Darla Çepele përkthyesja më e vogël e shtëpisë botuese Living, talentet i kanë fillesat që në fëmijëri

+

darlljaer

Fëmijët janë bashkëbisedues të mirë kur fillojnë të tregojnë ndonjë episod nga jeta e tyre apo kur duan të identifikohen me personazhet e tyre ideale. Imagjinata me realitetin shkrihen aq sa është e vështirë të vendosësh kufijtë e secilës, por janë të rrallë ata që kur nisin të tregojnë nga jeta e tyre, të lënë gojëhapur, aq sa ti pyet veten nëse po flet me një të rritur apo me një

fëmijë. Një prej tyre, edhe pse vetëm 10 vjeçe, është Darla Çepele. Me një oratori mbresëlënëse për moshën e saj, ajo është përkthyesja më e vogël e shtëpisë botuese “Living”. Deri tani, Darla ka përkthyer dy libra të serisë së derrkuces më të famshme në botë, derrkuces Pepa, më konkretisht: “Pepa shkon në pishinë “ dhe “ Gëzuar ditëlindjen, Pepa”, dhe shpreson që rrugëtimin e saj drejt kësaj fushe ta vazhdojë edhe më gjatë, ndoshta edhe duke botuar ndonjë libër të sajin. Ajo ka që tani një dorëshkrim në gjuhën angleze dhe është duke punuar me të dytin, e shpreson t’i botojë një ditë. Që në moshë të vogël, Darla e ka zotëruar gjuhën angleze më mirë sesa shqipen, aq sa dhe vetë thotë se ndihet më e sigurt në anglisht, sesa në shqip. Në fakt, ajo nuk ka qenë nga ata fëmijë që prindërit e kanë çuar nëpër kurse për mësimin e gjuhës së huaj. Fati i saj është që ka dy prindër, të cilët e njohin mjaft mirë këtë gjuhë e kështu, që kur ajo ka qenë vogël, në shtëpinë e tyre flitej anglisht. Kështu Darla nisi të fliste, të shkruante e më pas të lexonte në gjuhën angleze.
“Mami më ka treguar që kur kam qenë brenda barkut të saj, ajo gjithmonë më fliste anglisht. Rreth moshës katër vjeçe, nisa të flisja anglisht njëkohësisht me shqipen, edhe pse sot më duket sikur jam më mirë në anglisht, sesa në shqip.” Ndryshe nga bashkëmoshatarët e saj, Darla bie në sy për sigurinë që e karakterizon, për mënyrën se si i sheh gjërat dhe për gjykimet e saj, që i kanë shumë lezet. Ajo ka aftësinë të të bëjë për vete që në çastin e parë kur e takon, me sytë plot shkëlqim, që shprehin një natyrë të gjallë prej fëmije e dëshirën për të shprehur hapur çdo mendim. Bota e saj është një univers me gjëra që i përshtaten moshës së saj: libra, filma, muzikë e pak shoqe, edhe pse ajo do të kishte dashur të kishte më shumë dhe do të dëshironte edhe një motër .
“Filmin e Pepës e kam parë që kur isha e vogël. Ka raste që më pëlqen ta shoh edhe tani. Kur mora vesh që do të merrej libri nga shtëpia botuese “Living” fillova të përktheja librin e parë, thjesht për qejf dhe provë njëkohësisht, pastaj erdhi dhe i dyti. Tani pres të tretin. Filmi më ka ndihmuar për ta përshtatur sa më mirë në gjuhën tonë. Sigurisht që ka fjalë të ndryshme nga filmi në libër, por kam qenë e lumtur, sepse është një nga serialet e mia të preferuara. Kam ndier shumë kënaqësi gjatë kohës që përktheva librin, por dhe jam vënë në vështirësi me një fjalë, që ende kam vështirësi ta them e jo më ta shkruaj. Është fjala “abrakadabra”, të cilën asnjëherë nuk e shkruaja si duhej në shqip . Libri i dytë ishte më i vështirë në përkthim, sepse për disa fjalë duhej të kërkoja ndihmën e babit për t’i përshtatur në shqip. Kam patur dhe ngarkesë nga shkolla. Pepa më kujton veten kur kam qenë më e vogël, por unë do të doja më shumë të kisha një motër sesa një vëlla, sepse kam dëgjuar që çunat janë gjumashë deri në moshën 6-vjeçare dhe interesohen vetëm për sportin. Po të kisha një motër, do të isha shumë e lumtur.”
Thonë që udhëtimi më i bukur për një fëmijë është libri dhe Darla është nga ata fëmijë që lexon shumë. Asaj i pëlqen të ketë gjithmonë në duar librat më të fundit e më të pëlqyer të letërsisë amerikane për moshat e paraadoleshencës. Autorët e saj të parapëlqyer janë Scott Cawthon dhe Zoe Sugg. Scott Cawthon është bashkautor i serisë së librave për paraadoleshentë
“Five nighs at Freddy’s”, ndërsa Zoe Sugg është autorja e librave “Vajza online”. Aktualisht, ajo është duke lexuar librin “Dragons Green”, nga autorja Scarlett Thomas.
E nëse këtë vit keni kaluar në Panairin e Librit që zhvillohet çdo nëntor në Tiranë, në stendën e botimeve “Living” do të keni parë një vajzë të vogël që ndihmonte njerëzit në përzgjedhjen e titujve më të rinj, jo vetëm ata për fëmijë, por edhe për të rritur.
Darla tregon me kënaqësi çastet kur u ka treguar shokëve dhe shoqeve të klasës për botimin e dy librave të përkthyer prej saj dhe është ndier shumë mirë që edhe mësuesit e kanë përgëzuar për punën e bërë. Gjatë kësaj periudhe, asaj i është dashur të punojë shumë, si në shkollë ashtu edhe gjatë kohës së lirë, për t’u marrë me përkthime. I pëlqen të dëgjojë muzikë, kryesisht të huaj. Por, mbi të gjitha i pëlqen të këndojë. Të gjitha këto janë pasione të moshës, që me kultivimin ndër vite mund të shndërrohen mjaft mirë në talente, që do ta bëjnë atë një vajzë të kompletuar në fushën e letrave. Ndoshta, në të ardhmen mund të kemi një emër të ri në fushën e përkthimit, me baza të forta që në fëmijëri, të cilat ndonjëherë janë më të vlefshme se shumë specializime të marra së bashku SANTANA ÇOMORA/ Fotografia Armand Habazaj