Shenjat që paralajmëron Meri Gjini, çfarë ju pret këtë fundjavë
Meri Gjini ka bërë parashikimin për të gjitha shenjat, për atë çfarë i pret në katër ditët e ardhshme...
Gazetarja Fjodora Fjora po përjeton një moment ndryshimesh të mëdha në jetën e saj. Është zhvendosur në një ekran tjetër, po ndërron shtëpinë e mbi të gjitha është bërë nënë. Por sërish, në njëfarë mënyre, ajo mbetet “e njëjta”....
Pasi kemi folur disa herë në telefon, Fjodora më lë takim në COIN. Më mirë për mua! Bisedat në lëvizje më pëlqejnë më tepër se të “trashem” ulur në një kafene të mërzitshme. E gjej në sektorin e veshjeve për fëmijë, me paliçeta në duar dhe një bluzë marinari që e rrotullon nga të tëra anët. “Eh, kjo jo! Është me mëngë të shkurtra, pastaj dizajni është veror”, i flet vetes me zë të lartë. Pastaj rrëmben një bluzë tjetër, po kërkon diçka për ta kombinuar. Duket seriozisht e përqendruar në “misionin” e saj. Nuk ma merrte mendja se do e shikoja kaq shpejt në këtë sektor të qendrës tregtare. As ajo vetë nuk e mendonte deri para disa muajsh se do ishte këtu, duke blerë veshje për një bebe. Beben e saj. Sa herë që merr në duar një bluzë, e zgjat para vetes dhe i flet me përkëdheli. Pastaj sheh etiketën. Zgjedh rroba për fëmijë më të mëdhenj, se “çuni është në rritje”. Gati ka harruar që unë jam aty, kur ndërhyj me një sugjerim. Një palë xhinse me prerje moderne, që kur i sheh, shpirti të shkrin nga lezeti. Se ç’kanë magjike këto këpuckat, pantallonat e bluzat për “njerëzit e veckël”, që të bëjnë të marrosesh pas tyre. Teksa jemi duke bërë pagesën, marrim një lajm të mirë. Për çdo kombinim, përfiton një tjetër falas. Fjodora nuk do ta shesë ardhjen në jetën e saj të një fëmije si diçka të sheqerosur, ndaj shprehet natyrshëm: “Epo, shyqyr! Më në fund, diçka falas”. Kështu do të thoshte çdo nënë, apo jo? Me çanta në duar marrim shkallët lëvizëse dhe ajo lëshon “shyqyr”-in e dytë brenda pak minutave. “Shyqyr që këto ecin vetë, se nuk do kisha takat t’i ngjisja”.
Në bisedën tonë “shpejt e shpejt”, Fjodora është “mprehur” të më thotë se nuk është mirë të dalë në një revistë e të flasë për diçka kaq private e intime. Lista e arsyeve është e gjatë e për hir të së vërtetës, e justifikueshme. Gazetarja më tregon si ndodhën gjërat, si e priti familja dhe shoqëria vendimin e saj, i cili erdhi natyrshëm, si dhe presioni i medias për të publikuar lajmin. Si të mos mjaftonte historia e adoptimit, po kalon një periudhë të ngarkuar edhe për sa i përket jetës profesionale. Sapo ka kaluar në një ekran tjetër. Gjithashtu po ndërron shtëpi. Në fakt, nuk kishte planifikuar të zhvendosej kaq shpejt, por ardhja e bebit i përshpejtoi gjërat. Jeta e saj po merr kthesa të forta. “Jam vërtet e hutuar nga të gjitha këto ndryshime, gjërat po ndodhin shumë shpejt. Vendimi për të kaluar tek “Ora News” nuk ishte i menduar gjatë, por një lëvizje e momentit. Nuk ishte e lehtë të lija “Vizion Plus”-in, një ekran që e kam dashur shumë, pasi kam kaluar tetë vite të bukura aty”, thotë ajo. “Por ndryshimi është i mirë... Tani jam në një presion pozitiv; kur bën të njëjtën punë për një kohë të gjatë, në të njëjtin vend, i ke të thjeshta gjërat, por kur ia nis nga e para, vihesh në lëvizje”.
Ngrihemi nga kafeja pa një përgjigje përfundimtare dhe kur pas disa ditësh dëgjohemi sërish në telefon, mes hezitimesh biem dakord për një kopertinë. Por vendosim kushte. I pari, anonimati i fëmijës. “E kam ndjerë dhe vazhdoj ta ndiej çdo ditë presionin e medias që kërkon të flasë për këtë histori”, thotë gazetarja. “Por jeta ime dhe e tim biri nuk është spektakël. Këtë artikull po e bëj vetëm sepse shkruhet në shtyp dhe dua të jem unë që flas për gjërat e mia, jo të tjerët”. I duhet të përshtatet me një jetë të re, të përballojë sfidat e një nëne që e ka gjithçka për herë të parë, por si të mos mjaftonte e gjitha kjo, i duhet të durojë presionin që vjen nga kolegët. Nuk numërohen telefonatat që ka bërë për të anuluar publikimin e lajmit, por erdhi një moment kur nuk mund ta mbante dot më nën kontroll situatën. “S’është problem që u publikua lajmi se kisha adoptuar një fëmijë, por detajet që vetëm dëmtojnë e nuk kanë asnjë interes për publikun, mund të ishin kursyer”, thotë me keqardhje. Ndonëse është vetë gazetare, nuk e kupton kërshërinë e shtypit rozë. Ka mbuluar kulturën, nuk i është dashur të vihet përballë mëdyshjeve të tilla. Megjithatë, sado e pakëndshme të jetë, Fjodora shikon dhe anën pozitive të gjërave. “Shpresoj që historia ime të frymëzojë njerëz të tjerë të hedhin këtë hap, sepse ata fëmijë kanë vërtet nevojë për një familje”, thotë.
Me prirjen që po merr jeta e grave ia vlen ta zgjerosh debatin për një zgjedhje të tillë si ajo e Fjodorës. Ato punojnë, bëjnë karrierë, kanë të ardhurat e tyre dhe është më e thjeshtë të ndërtojnë jetën pa pasur nevojë për një mashkull në krah. Fjodora e kishte një model që i dha ngacmimin për të hedhur një hap të tillë kaq të rëndësishëm. Një nga mikeshat e saj, Klodi, e cila është pronare e lokalit “At the Square” pranë stadiumit “Dinamo”, ku jemi ulur e po bisedojmë, ka adoptuar një fëmijë, që sot është dy vjeç. “Momentin e parë që takova Maxwell-in jam mrekulluar”, tregon gazetarja. “Nga ata fëmijët aq të zgjuar e të veçantë, sa është e pamundur të mos i duash”. Kërcitjet e filxhanëve rrotull nesh e bëjnë më të ngrohtë bisedën. Ka ardhur vjeshta me gjithë “zërat” e saj dhe ja, kjo është ndjesia në një lokal vjeshte, me shiun që bie përtej dritares dhe tavolinat e qullura e të braktisura në verandë. Fjodora thotë se fakti që Klodi ia dilte për bukuri të rriste e vetme një fëmijë, e bënte ta shikonte me adhurim, por ende nuk kishte zbuluar te vetja ndonjë dëshirë për t’u bërë nënë. “Unë nuk doja të adoptoja një fëmijë, s’e kisha në plan. Ideja lindi kur pashë nga afër bebet e braktisura. Kushtet në “Shtëpinë e Foshnjës” janë të mira, por sërish ngrohtësinë nuk mund ta gjesh askund si në një familje”, thotë duke hedhur poshtë dyshimet se e mori beben për të mbushur një boshllëk në jetën e saj. Madje i duket qesharake që ka njerëz që mendojnë në këtë mënyrë... “Përkundrazi, kështu i kam hapur punë vetes. Jeta ime ishte “ok” më parë. Kisha një karrierë të shkëlqyer e m’u desh të heq dorë nga disa punë, që të krijoj hapësira për t’u kujdesur për djalin; kjo do të thotë më pak të ardhura dhe më shumë shpenzime, pasi një fëmijë ka nevojë për shumë gjëra. Im bir ma ka bërë jetën më të bukur, por ajo që më shtyu të hedh këtë hap, është dëshira që t’i jepja atij një jetë më të mirë, jo vetes”. Nuk mund të bësh kapriço dhe lojëra me diçka të tillë. Vogëlushi ka kaluar një virozë së fundmi dhe kjo ka qenë e vështirë për Fjodorën. Ndjenjë sfilitëse kur ishte me temperaturë 39 për tre ditë rresht; ajo nuk la gjë pa bërë, nuk la doktor pa shkuar, shoqe pa telefonuar. Përgjonte oraret kur duhej t’i jepte ilaçin, e ruante mos i ngrihej temperatura. E kapte stresi se nuk fuste gjë në gojë. Pyet veten “si mundet një fëmijë që nuk ka bërë akoma një vjeç të jetojë tre ditë vetëm me ujë?”. “Ma thoni ju, a mund të kalosh nëpër gjithë këtë stres thjesht për një tekë?”, pyet ajo.
Jeta ime ishte “ok” më parë. Kisha një karrierë të shkëlqyer e m’u desh të heq dorë nga disa punë, që të krijoj hapësira për t’u kujdesur për djalin; kjo do të thotë më pak të ardhura dhe më shumë shpenzime, pasi një fëmijë ka nevojë për shumë gjëra. Im bir ma ka bërë jetën më të bukur, por ajo që më shtyu të hedh këtë hap, është dëshira që t’i jepja atij një jetë më të mirë, jo vetes”.
“Ishte periudhë festash dhe pas një mbrëmjeje me njërin nga stafet me të cilët punoja, u ktheva e dërrmuar në shtëpi, në katër të mëngjesit. Kur u shtriva për të fjetur, m’u shfaq para syve fytyra e bebit që kisha marrë në krahë. Pyesja veten: “Çfarë po bën ai tani?”.
Krishtlindja që po afron do të jetë e dyta që Fjodora kalon me djalin e saj, sepse ka qenë pikërisht periudhë festash kur ata u takuan. Ajo më tregon se mikesha e saj, Klodi, ndonëse adoptoi Maxwell-in, nuk u shkëput nga “Shtëpia e Foshnjës” në Tiranë, por vazhdoi të ndihmonte me çfarë të mundej. Për Krishtlindje, realizoi një kalendar me sytë e vogëlushëve, të ardhurat nga shitjet e të cilit do të shkonin në ndihmë të tyre. Bëhej fjalë për të siguruar gjërat më bazike, si ushqimi dhe veshjet. Mikeshat e saj, ndër to edhe Fjodora, e ndihmuan në këtë nismë. Me daljen e kalendarit u bë një festë e vogël, ku i ftuar ishte ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj. “Nuk e kisha shkuar në mendje deri në atë moment se aty brenda do të gjeja lumturinë e jetës”, thotë Fjora, teksa fantazia më çon te pema me drita dhe shirita; po dëgjoj tingujt e “Jingle Bells” në sfond e tavolina jonë më duket sikur është mbështjellë nga mjegulla e dhjetorit. “Rastësisht më dhanë të mbaja bebushin që do të bëhej im bir. Ishte vetëm dy muajsh e dukej aq i vogël, sa kisha frikë mos më “thyhej” në duar. Në atë çast, Erioni më pa dhe tha: “Të isha si ty, e merrja direkt në shtëpi, nuk e lija këtu”. Bënim batuta, por ishte një rastësi e madhe dhe fatlume, sepse një ditë do të bëhej vërtet im bir”. Kur aplikon për të adoptuar një fëmijë, ti nuk e di se cilin do të të besojë Komiteti i Birësimit, kështu që Fjodora nuk po kërkonte me çdo kusht djalin që kishte mbajtur në krahë. Ishte gjithçka një seri rastësish, sikur të qe “e shkruar”. Përveç këtij momenti, ato ditë ndodhi diçka tjetër, po aq e çuditshme dhe domethënëse. “Ishte periudhë festash dhe pas një mbrëmjeje me njërin nga stafet me të cilët punoja, u ktheva e dërrmuar në shtëpi, në katër të mëngjesit. Kur u shtriva për të fjetur, m’u shfaq para syve fytyra e bebit që kisha marrë në krahë. Pyesja veten: “Çfarë po bën ai tani?”. Si prind i ardhshëm ke të drejtën ligjore të përshkruash si e do fëmijën, tiparet e përafërta të tij, por gjithsesi, kushdo prej atyre vogëlushëve të kishte fatin të jetonte me mua, do t’i jepja më të mirën. Nuk doja medoemos fëmijën që kam tani, por ama jam e lumtur që ndodhi kështu, sepse e adhuroj tim bir. Ai ka një karakter fantastik, është i qetë dhe i dashur”.
Komiteti i Birësimit vendosi t’ia jepte bebin kur ai ishte shtatë muaj e gjysmë. Pati seanca takimesh me një psikolog e gjykatësin, të cilat bëhen për të kuptuar nëse je e aftë të marrësh dhe të mbash një fëmijë. Ata shikojnë ambientin e banimit, analizojnë nëse ke kushtet e duhura dhe jeton mirë. “Ditën kur do të merrej vendimi isha e trazuar, në ankth dhe e emocionuar. Nuk e dija ç’më priste, pastaj ishte dhe kureshtja se cilin fëmijë do të më besonin”, rreket të kthehet pas në kohë. Sytë i marrin një tjetër shkëlqim teksa risjell ndër mend çastin kur mori letrën me vendimin në dorë. Qante dhe telefononte miqtë e familjen, u jepte lajmin se “u bë me djalë”. Nuk i kujtohen shumë detaje nga ajo ditë, sepse ishte si në gjendje shoku për shkak të ngarkesës emocionale. I vetmi moment që e ka të fiksuar në kujtesë me imtësi është takimi i parë pas lajmit të mirë me të birin. “Kur shkova te “Shtëpia e Foshnjës”, ai po flinte. E zgjuam nga gjumi që ta përqafoja e puthja, ashtu mes lotëve”, psherëtin ajo. “Nuk di ta përshkruaj... Ai ishte i hutuar. E kuptoi se dikush e mori dhe po e “shtrydhte”. Kam foto nga ajo ditë... Më ka kapur nga flokët, është kruspullosur në gjoksin tim. Nuk qau për asnjë moment, vetëm qeshte, sikur ta kishte kuptuar çfarë po ndodhte”.
Biseda jonë ndërpritet herë pas here nga telefonatat. Fjodora flet me prindërit. Ata kanë ardhur nga Greqia e do të rrinë për pak kohë këtu, ta ndihmojnë. I pyet nëse vogëlushi ka ngrënë, ka bërë banjë. U lë porosi të ndryshme pastaj e kërkon në telefon e shkrihet me belbëzimet e tij. “Po ata, çfarë mendojnë për zgjedhjen tënden?”, e pyes pasi ka mbyllur telefonin. I ati nuk e pati të lehtë ta pranonte në fillim, kurse e ëma dhe vëllai ishin entuziastë. Ka veçanërisht mirënjohje për mami Nexhin, e cila në gjithçka ka bërë në jetë, e ka mbështetur, duke ia bërë gjërat më të lehta. E takova kur bëmë fotot e kopertinës. Ishte krenare për gjestin e së bijës. “Kur festuam njëvjetorin e djalit, të ftuar ishin fqinjët me fëmijët”, tregon Nexhi. “U preka kur njëra prej tyre më tha se e kishte menduar seriozisht të adoptonte një fëmijë, ndonëse ka tashmë një djalë e një vajzë”. Gjyshja është një grua mendjehapur. E mban nipin tërë kohës në krahë, herë pas here e vendos në tokë dhe e ndihmon të ecë. “Është gati për t’u ngritur në këmbë”, thotë e lumtur. “Këto ditë do të ndodhë, me siguri”. Fjodora e mori të birin në një moshë të vogël , kjo është diçka e mirë; kështu do të ketë mundësinë të përjetojë gjithçka që ai e ka për herë të parë. Fjalën e parë, daljen e një dhëmbi, ngritjen në këmbë.
“Nuk dua të jap imazhin e një nëne perfekte, sepse nuk jam e tillë. Do të bëj më të mirën që im bir të rritet i lumtur, por nuk mund të bësh të lumtur dikë tjetër, nëse nuk je vetë e tillë”.
Përveçse një fëmijë i bukur, me sy të shkruar, bebushi i Fjodorës është shumë “tip”. Duket lezetshëm kur bën “bye, bye” duke përthyer doçkat e vogla bullafiqe. Zgjat krahët e më afrohet mua, fotografit dhe grimierit, Arturit. Fjodora qesh dhe thotë se djemtë i do më shumë se vajzat, u afrohet menjëherë. Në një moment, kur realizojmë foton e kopertinës, e vetmja për të cilën ramë dakord, ai luan me flokët dhe fytyrën e saj. Teksa e ëma i puth duart e vogla që “i bredhin” nëpër fytyrë, e fut brenda palltos, e shtrëngon në gjoks dhe i thotë: “E dija se një ditë do çmendesha pas një mashkulli, por nuk ma merrte kurrë mendja se ai do të ishte vetëm një vjeç”. Ardhja e këtij fëmije në jetën e saj i ka sjellë Fjodorës momente të lumtura. Bebi u bë shkak që gazetarja më në fund të fliste me të atin si asnjëherë më parë. “Në fillim im atë nuk ishte dakord me zgjedhjen time, por më pas, kur e njohu më mirë ra edhe ai në dashuri me “çunin tim”, e thërret vazhdimisht kështu, “çuni im”. Për disa minuta qëndrojmë në heshtje. Fjodora mendon për gjëra të bukura, kjo mund të lexohet në buzëqeshjen e saj. Pastaj, duke u kthyer nga unë, vazhdon: “Kjo ngjarje na ka afruar shumë. Im atë i përket gjeneratës që shkruan letra, nuk nis e-maile. Më ka dhënë një letër që më bën për të qarë sa herë e lexoj. Midis të tjerave, më shkruante se “kjo është gjëja më pak egoiste që kam bërë në jetën time”, se ishte krenar për mua, që nuk e kisha pyetur asnjëherë për gjërat që kisha bërë, por sërish, i kisha bërë mirë. Ishte hera e parë që ne flisnim kaq hapur”.
A ka meshkuj shqiptarë që do të ishin të gatshëm të lidheshin dhe martoheshim me një nënë me fëmijë? Aq më tepër kur ai është i adoptuar? Fjodora “ka të reja” për sa i përket qëndrimit ndaj meshkujve. “Deri përpara pak kohësh besoja te martesa, tani jo më e nuk ma merr mendja se do të ndryshoj mendim në lidhje me këtë”, thotë. “Dua të kem një partner, por jo të martohem. Nëse fus dikë aq shumë në jetën time, dua të jem e sigurt se ai nuk është thjesht i mirë për mua, por dhe për tim bir”. Femrat kanë prirjen ta sjellin jetën rreth një mashkulli, por përvoja i ka treguar gazetares se lidhjet më të qëndrueshme e që nuk kanë “afat skadence” janë miqësitë. “Si kur kam pasur të dashur, edhe kur nuk kam pasur, miqtë kanë qenë gjithnjë aty”, thotë, duke u përpjekur ndërkohë të këndojë refrenin e këngës “At least I got my friends”, e cila është kthy er në kolonën zanore të jetës së saj. Duke qenë se familjen e ka larg, rolin e saj e ka luajtur shoqëria. “Refrenin e kësaj kënge ia kam “kënduar” shpesh vetes në momente të vështira. “Të paktën kam miqtë e mi”, se vërtet, sa herë kam nevojë, ata janë aty”. Sidomos në këtë moment delikat të jetës së saj. Fjodora kishte vendosur të mos blinte asgjë për të birin, deri ditën që ai të futej në shtëpi, pra, të bëhej “fakt i kryer”. Kjo ishte çmenduri më vete, se brenda një dite u desh të sigurohej gjithçka, që nga krevati, sexholinoja, karroca e deri te pelenat. “Por për mikeshat e mia, asgjë nuk është e pamundur”, thotë. “Roana, një mama e re në shoqërinë tonë, ishte ndihmesa më e madhe, se e dinte mirë çfarë na duhej e ku ta gjenim. Por dhe të tjerat kanë bërë shumë për mua dhe u jam pafund mirënjohëse. Klodi, Roana, Dorina, Arjola, Anila... ju kam shumë xhan!”.
E njoh pak Fjodorën, e kam takuar disa herë për arsye pune, por pas çajit të sotshëm kam ndjesinë se ka ndryshuar. Duket më e dhembshur, më e ndjeshme. E në të njëjtën kohë është po e njëjta. Kur mora vesh për atë që kishte bërë dhe projektova kopertinën me të, mendova si fillim një editorial me titull “vjeshta tjetër”. Dy vite më parë, në të njëjtën periudhë, pra, në numrin e vjeshtës së “Living”, ne e kemi pasur personazh të editorialit fashion me titull “Living Tirana”. Në ato foto, gazetarja shfaqej duke ecur rrugëve të metropolit, veshur rock, pastaj shik si Audrey Hepburn, duke zgjedhur një shishe vere në supermarket, ulur në një karusel me qenushin në prehër, duke pirë diçka në pub e së fundmi, duke dalë nga COIN me çantat plot, si Julia Roberts tek “Gruaja e bukur”. Kur e takova në një dyqan me veshje për fëmijë kësaj here, mendova: “Shiko sa kanë ndryshuar gjërat dy “vjeshta” më pas”. Ndaj i propozova një editorial ku të vinim “në lojë” atë të parin: tashmë Fjodora do të shfaqej në rrugë duke shtyrë një karrocë, do të ishte në supermarket duke blerë qumësht, jo verë, do të dilte në karusel me të birin në prehër dhe do blinte veshje për fëmijë, në vend të fustaneve firmato. Por, ndonëse ideja iu duk argëtuese, nuk ishte plotësisht e bindur. Sepse nuk mendon që gjërat kanë ndryshuar deri në këtë pikë. Sigurisht, me kufizime, por jeta e saj vazhdon njësoj si më parë. Punon, argëtohet, jeton. Ndaj e fotografuam siç është, “një femër në karrierë, që e shijon jetën 360°”. “Nuk dua të jap imazhin e një nëne perfekte, sepse nuk jam e tillë”, thotë ajo dhe largon nga vetja filxhanin e çajit. Kjo është shenja se bisedës po i vjen fundi. “Do të bëj më të mirën që im bir të rritet i lumtur, por nuk mund të bësh të lumtur dikë tjetër, nëse nuk je vetë e tillë”. E me të thënë këtë, pranon ftesën që i ka mbërritur në “whats app” për një gotë verë. Sot është e qetë, sepse “çunin e saj” e ka lënë me prindërit.
Meri Gjini ka bërë parashikimin për të gjitha shenjat, për atë çfarë i pret në katër ditët e ardhshme...
“Kam fol me familjen time kur u zura me Meritonin”, kështu ka deklaruar Rike Roçi në një diskutim brenda shtëpis&...
Njoftimi i Kate Middleton se ishte diagnostikuar me kancer tronditi botën, menjëherë pas lajmit se edhe mbreti Charles vuante nga kanceri, duke...