Kategoritë që përfitojnë rritje rroge nga 1 korriku, ja sa do të jetë shtesa
Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë rritje të pagës, duke filluar nga 1 Korriku 2024. E ndërsa paga me...
Genta Ahmeti është e vetmja vajzë (ndoshta edhe njeriu i vetëm) në Shqipëri, që prodhon varka druri sipas të gjitha parametrave teknike që ka mësuar në shkollë. Kjo ka qenë ëndrra e saj që në fëmijëri dhe sot, ia ka dalë!
Ajo na tregon se si ka lindur kjo dashuri vite më parë, kur s’linte dru që gjente pa marrë në shtëpi, e deri sot, që është gati të ndërtojë një jaht me duart e saj. Varkën nuk e ndan dot nga deti. Nëse dikush të thotë se është I dhënë pas tyre, të shkon mendja te dashuria që mund të ketë ai për detin. Për Gentën nuk ka qenë kështu. Ajo ishte shumë e vogël për ta njohur lundrimin me varkë në det. As vetë nuk e mban mend se sa vjeç mund të ketë qenë kur rrëmbente shkopinj druri ngado, për t’iu dhënë format që i vinin në mendje. Veglat e punës i kishte të gjitha në shtëpi. Kuptohet që, për ta pasur terrenin gati, dikush përpara teje duhet të ketë bërë të njëjtën gjë. Babai i saj, një inxhinier druri, po i rriste të dyja vajzat me një botë që edhe sot, pakkush e njeh e jo më ta lëvrojë.
Në vitet `90, kur e gjithë Shqipëria ishte rrënuar nga dështimi i një ëndrre, Genta Ahmetaj ndërtonte shtëpinë e saj në Rrugën e Elbasanit. Nuk është një shtëpi kukullash, por e vërtetë dhe me të gjitha parametrat e duhura, ku Genta së bashku me familjen, jeton prej më shumë se 20 vitesh. Çdo minutë ajo e kalonte pas të atit, për ta ndihmuar. Gozhda, çekiçi, zdrukthi... vegla si këto ishin dhuratat që ka marrë në fëmijëri. Nuk donte asgjë tjetër. Mirëpo, nga gjithë ç’kishte krijuar i ati deri më atëherë, diçka “flinte” në ëndrrat e të dyve: varka... Ishin të bindur se një ditë do t’ia dilnin dhe ashtu u bë! Sot Genta ka realizuar ëndrrën e të gjitha kohërave. Sapo ka mbaruar së ndërtuari dy varkat e para që kanë marrë emrat e dy mbesave të saj. Tani deti le të bëhet gati t’i presë…
Që një vajzë të zgjedhë të studiojë për inxhinieri druri, të ndërtojë me dru, e të shohë ëndrra me çekiç e gozhdë, duhet të jetë patjetër gjenetike e dikush duhet t’ia ketë ushqyer…
Patjetër! Që kur unë dhe ime motër kemi qenë fare të vogla, babai na ka ushqyer me këtë dashuri. Ai vetë ka studiuar për inxhinieri druri dhe kështu bëmë edhe ne të dyja.
Nuk bëtë fare naze kur erdhi puna te zgjedhja e universitetit, nuk patët asnjë dyshim?
Nuk pata nevojë të mendohesha, në mendjen time e kisha vendosur prej kohësh. Me atë ide isha rritur dhe atë do të zhvilloja. Kur zgjodha shkollën dhe arrita te tema e diplomës, kisha një kërkesë specifike, që tema ime të kishte lidhje me mjetet detare prej druri: që nga varkat e mjetet e vogla, e deri tek ato të mëdhatë, siç mund të jenë anijet me vela, jahtet, etj. Kështu, e nisa prezantimin me një historik të detarisë shqiptare për të mbërritur te konstruksionet më moderne sot për sot në botë. Pjesa e varkave të drurit, hyn te produktet e shtrenjta. Është e gjitha ndërtim me dorë dhe veglat janë tejet të vogla, pasi forma të dikton që të punosh në çdo detaj. Kjo ishte dhe përvoja e parë, që më përfshiu aq shumë. Pas shkolle ishte pak vështirë të gjeja punë si inxhiniere, ndaj iu përkushtova pak kohë turizmit.
Turizmi është i lidhur me detin, me anijet, me varkat...
Kjo ishte pjesa më e bukur e asaj që zgjodha të bëja, sepse duke udhëtuar, njoha historinë e detit, varkave dhe turizmit. Kam udhëtuar kryesisht në Spanjë, gjë që më ndihmoi pa masë, sepse ky vend njihet për punimet e varkave, pasi dhe tradita e tyre familjare është peshkimi. Sa më shumë udhëtoja, aq më shumë më shtohej dëshira t’i bëja vetë varkat. Nga ana tjetër, ndikimi i tim eti dhe miqve të tij, patën rol vendimtar.
Përfytyroj sikur keni një shtëpi të tejmbushur me objekte druri, varka të vogla, të mëdha e gjithçka tjetër që mund të bëhet me dru. Sa e vërtetë është kjo?
Në fakt, nuk kemi vetëm objektet prej druri, por edhe shtëpinë. Çdo gjë që ka të bëjë me drurin gjendet në shtëpinë tonë. Dhuratat që kam marrë në fëmijëri, nuk kanë qenë kukulla, por çekiç e vegla pune. Për mua ishte maksimumi, nuk është se doja gjëra të tjera.
Jeni fëmijë i vetëm?
Kam edhe një motër, e cila gjithashtu ka studiuar për inxhinieri druri. Të gjithë në familje jemi të përfshirë.
Edhe mamaja?
Jo, ajo është mjeke, por edhe ajo në kantier e ka nisur punën.
Dikush duhet t’ju ruajë nga gjithë ato vegla që keni në shtëpi…
Deri tani nuk është dëmtuar njeri.
Kur mbaruat studimet, babai vazhdonte të ishte i lidhur me punimin e drurit?
Babai gjithmonë ka qenë i lidhur. Fillimisht hapi një punishte mobiliesh, me synimin që më vonë ta shndërronte në vendin ku do të ndërtonim varkat dhe ashtu ndodhi. Ajo është ngritur në momentin që unë nisa fakultetin, që në shtëpi të mos më mungonte shtysa.
Por edhe puna si guidë turistike duket tunduese, apo jo?
Ashtu është, por në rastin tim shërbeu më shumë si nxitje. Pas kësaj përvoje u ktheva në punishten tonë. Diçka tjetër që më ngacmoi, ishte dhe fakti se një mik i familjes po përpiqej të ngrinte muzeun e detarisë në Shqipëri dhe ai më ndihmonte me informacione.
Kështu dhe u lidhën gjërat, sepse praktika u lidh me historinë. Kjo më bëri që në Itali të prezantoja një projekt në një muze “të gjallë”, ku njerëzit mund të shihnin se si prodhoheshin varkat dhe të njiheshin me historinë e tyre. Kthimi dhe realiteti nuk janë aq të lehtë, por ne nisëm me ndërtimin e varkave. Të hedhim themelet dhe hapat e parë të një muzeu të vogël, derisa të mbërrijmë tek ajo që duam.
Kur keni filluar të bëni punën e pare me dru?
Kam qenë 6 ose 7 vjeç; kemi qenë duke ndërtuar shtëpinë tonë prej druri. Ndërsa im atë ndërtonte gjithçka vetë, unë e ndihmoja dhe bëja ç’më thoshte. Ngulja një gozhdë, transportoja një dërrasë dhe pas kësaj, jam marrë tërë kohën me mirëmbajtjen e mobilieve të shtëpisë apo krijimit të objekteve të reja. Kjo është kënaqësia ime më e madhe. Fundjavat i kaloja në kërkim të copave të drurit, për të krijuar një gjë të veçantë. Sa herë e arrija këtë gjë, shkoja tek im atë e i thosha: “Shiko çfarë kam bërë!”.
Ani Jaupaj/ Fotografia Armand Habazaj
Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë rritje të pagës, duke filluar nga 1 Korriku 2024. E ndërsa paga me...
Vin Diesel po i kërkon një gjyqtari të Los Anxhelosit që të hedhë poshtë padinë e ngacmimit se*sual të ngritur ku...
Çmimi i kakaos është rritur me shpejtësi gjatë muajve të fundit. Një ton kakao të martën arriti vlerën e m...