Gruaja e famshme e këpucëve, Donika Mici: ish-ët e mi i mbaj në jetë

+

donikaok
Nga Elona Jaçellari, Fotografia Armand Habazaj

Thjeshtësia është niveli më i lartë i sofistikimit. Një tipar që nuk e ndesh shpesh sot, por që unë pata fatin ta kem një takim të tillë përmes një gruaje, e cila edhe pse mbart një peshë të madhe, më rikujtoi se të mbetesh i thjeshtë, është vlera më e lartë që mund t’I veshim vetes. Ndërsa dhjetëra furnitorë të ardhur nga jashtë e prisnin Donika Micin në oborrin e mjediseve ku ndodhet fabrika e këpucëve “Donianna”, ajo qetësisht qëndroi me mua dy-tre orë në zyrën e saj. Edhe pse puna vlonte në atë orar piku të ditës, Donika nuk u tregua aspak e kursyer në kohë për të ndarë këtë rrëfim për revistën “Living”, edhe pse koha është për të gjëja më e vyer. Por, ajo ka rritur të gjejë atë ekuilibër perfekt të gjërave, i cili e ka bërë këtë biznesmene, që për më shumë se dy dekada të lundrojë e luftojë nëpër dallgë jete e biznesi gati apokaliptike. Ka arritur vërtet shumë, por tregon se jo aty ku ajo do të donte të ishte. Donika Micin, gruan që sot u mundova ta “zhvesh” nga lëkura e biznesmenes së suksesshme, e gjeta në mes të punëtorëve në fabrikë, aty ku ajo ka krijuar zemrën e bizneseve të saj. Dhe në fakt është e vështirë ta shkëpusësh Donikën nga ky vend, edhe pse lehtësisht ajo m’u ofrua për një bisedë në zyrën e saj, ku thjeshtësia në arredim, pasi njoha atë, nuk duhet të më habisë. Të zhvillosh një biznes të përmasave, siç ajo ia ka arritur të bëjë, nuk do shumë mend të kuptohet se, Donika ka hequr dorë nga shumë gjëra në jetë. Biznesi është bërë jeta e saj. “Kjo është baza ime, - rrëfen biznesmenia më e madhe grua në Shqipëri, - dhe dua s’dua, më është kthyer në jetën time. Shpeshherë më ndodh të dielave të nisem për diku dhe vetëm kur e shoh veten te dera e fabrikës. Aty e kuptoj që kjo sipërmarrje më ka rrëmbyer të gjithën. Në fakt, nuk dua, por kështu më ndodh. Edhe kur dua të jem pushim, instinktivisht rrotat e makinës më kthejnë këtej.”
E gjithë kjo përfshirje nuk ndodh si rëndom mund ta kuptojmë, nga mania për pasuri. Përkundrazi, Donika më dëshmon të kundërtën. Ajo ka një pasion të madh, e sigurisht që ky passion nuk përkthehet në shifra të ardhurash. “Asnjëherë nuk ulem të bëj një llogari parash, se sa do të fitoj. Paraja për mua nuk ka rëndësi, - shprehet Donika. - Gjithë puna që unë bëj, është në shërbim të njerëzve. Unë e bëj për ata. Kur bankat tregohen të egra me ne, të dhunshme, unë nuk mendoj se po më dëmtojmë mua, por mendoj se po dëmtojnë qindra njerëz. Dhe e vuaj që nuk e kam pasur kurrë shtetin, apo bankat në krah. Sepse “Donianna”, është mundësia e 2500 familjeve që punojnë për të, që po ta shumëzosh për 4, janë 10 mijë persona që jetojnë me këtë frymë. Asnjë nuk e sheh me këtë sy. Dhe shpeshherë rri brenda këtyre mureve, - vazhdon rrëfimin e saj biznesmenia, - sepse nuk dua të dëgjoj. Më shqetësojnë shumë kur dëgjoj gjëra që janë jashtë asaj logjike që njeriu duhet të bëjë në jetë. Njerëz të egër pas parasë, pas fitimeve marramendëse, njerëz të egër pa menduar fundin, ku
njeriu në finale merr vetëm 2 metra tokë dhe ca dhe mbi vete”.

mici2

Prodhuesja më e madhe e këpucëve që nuk I pëlqen të ketë shumë palë për vete
“Jam vetëm skllave e një gjëje: këpucës, edhe pse këpucë kam shumë pak, - thotë Donika. – Po të shikosh dollapin tim gjen shumë pak këpucë. Gati 10 palë. I dua shumë, por shumë nuk kam. U them ndonjëherë këtyre, më bëni ndonjë palë këpucë. Por harrohemi pas punës. Kur vjen ndonjë model i bukur u them: I dua të gjitha ngjyrat. Mirë, thonë, dhe përsëritet e njëjta histori. Harrojnë ata, harroj unë”. Ironike dhe komike, por administratorja dhe aksionarja e një prej sipërmarrjeve më të mëdha në vend për prodhimin e këpucëve, ndodh që nuk ka shumë këpucë për vete. “Donianna” është sot, një prej fabrikave prodhuese e shitëse më të suksesshme në Shqipëri. Por, krijuesja e saj thotë se ka ende shumë për të arritur. Ajo dëshiron të rinovojë teknologjinë, të shtojë klientët, të kapërcejë brendet. Dëshiron që “Donianna” dhe gjithë degëzimet e saj, të jenë jo vetëm aktivitete prodhimi të qëndrueshme, por madje të zhvillohen më tej, në mënyrë që të tjerë persona të përfshihen e të kenë mundësi punësimi. Dhe vërtet që ajo ka krijuar shumë të tilla. Një prej sipërmarrjeve të saj quhet “Mici’s”, pasi thuasje gjithë familja punon në atë sektor. Janë dy vëllezërit dhe gjithashtu motrat, të cilave u ka hapur fabrikë e punojnë për të. Janë nipër, mbesa, të cilët gjithashtu punojnë në sektorë të ndryshëm. Vajza e saj e vetme punon për “Dolce Gabbana”-n.
Pra, janë shumë fabrika që funksionojnë si satelitë për “Donianna”-n. Dhe këto janë të drejtuara nga titullarë, për të cilët ajo ka dëshiruar të kenë një mundësi të punojnë e zhvillojnë këtë treg. Gjithsekush ka një drejtues. Por, Donika është e bazuar vetëm tek “Donianna”, pasi ajo ka një strukturë tjetër. Vetëm furnitorë për blerje ka 400 dhe 100 klientë për shitje. “U kam krijuar një mundësi, por për mua familja në punë nuk ekziston, - shprehet administratorja e ‘Donianna’-s, - Shpeshherë më thonë se jam e rreptë. Më thonë: ‘Unë jam motra jote’. ‘Le të jesh’ u them, ‘në punë nuk je motra ime’. Por, pas pune jam tjetër njeri. I dua shumë dhe kaloj shumë kohë me familjarët e mi.” Koha i ka mësuar shumëçka. Dhe nëse dikur do të takoje, ndoshta një Donikë deri diku agresive, për shkak se ishte një grua e cila çante e vetme një treg, që jo shumëkush do ta bënte, tani gjërat kanë ndryshuar. “Jam bërë më e qetë tani, - rrëfen ajo, - edhe pse asnjëherë nuk ka gjëra në vijë.

AHP 9511

Divorci që nuk e ndau nga bashkëshorti

Duket se ka një aftësi të jashtëzakonshme kjo grua për të shuar edhe fuqinë shpërthyese të vullkaneve. Shpesh, të jesh e suksesshme në një fushë, ku ajo guxoi të ishte ndër të parat dhe e vetmja grua në sektor, nuk mjaftojnë vetëm aftësitë profesionale, por edhe virtytet dhe vlerat njerëzore. Donika ka shumë të tilla. Ndaj edhe galaktika e jetës së saj graviton kaq perfekt, si në biznes, ashtu edhe në aspekte të tjera të jetës personale. Ajo ka zgjedhur t’i mbajë të lidhura fort të dyja këto, pikërisht për shkak të një aftësie që ka, për të ruajtur ekuilibrat në mënyrë perfekte. Në jetën e saj ka ndodhur të ketë një divorc, me të cilin zgjodhi të ketë fund ligjor, por jo njerëzor. Sepse edhe pas ndarjes nga ish-bashkëshorti, Donika nuk i ndërpreu kurrë marrëdhëniet. “Me gjithë jetën time personale kam marrëdhënie shumë të mira. Të gjitha raportet që kam pasur, sidomos me ish-burrin, me të cilin kam dhe një vajzë, i kam ruajtur marrëdhëniet miqësore edhe më vonë. Me bashkëshortin jemi ndarë paqësisht. Ishte puna, në fakt, ajo që na ndau, sepse unë zgjodha të isha këtu, ai nuk më
ndoqi dhe arriti momenti që të dy ishim të fokusuar në vende të ndryshme. Në një moment të dytë e mora ish-burrin të drejtonte një prej fabrikave të mia. Kam mbajtur ish-kunatat në punë. U kam dhënë gjithnjë mundësinë që të punojnë dhe të marrin paratë që u takojnë. Kjo ndodhi dhe me ish-burrin derisa ai iku përgjithmonë në Amerikë, - rrëfen Donika. - Madje ai nuk ishte këtu kur nëna e tij u nda nga jeta dhe unë shkova e kreva të gjitha adetet për ish vjehrrën.” Donika na rrëfen edhe për një raport tjetër të gjatë, ku pas 20 vitesh bashkëjetese, erdhi çasti i ndarjes. Por, ajo thotë se, edhe me këtë histori, nuk I ndau rrugët përgjithmonë, pasi ky person sot është një prej ortakëve në kompani. “Historitë e mia i kam të lidhura me jetën, me punën. Bashkëbisedojmë gjithmonë se si mund t’i zgjidhim problemet. I kam gjërat të hapura. I kam me të gjithë kështu marrëdhëniet. Dhe kur unë kam festë, i kam të gjithë aty, me nuset e tyre, me fëmijët, me nipërit. Janë pjesë e jetës sime, ku unë kam zgjedhur jo t’i hedh, por t’i kem aty.” Sepse Donika, ka një virtyt të çmuar: faljen. Ajo fal gjithmonë, edhe kur zemra thyhet, edhe kur dikush e ka dëmtuar në rrugën e saj të biznesit. “Thyhet zemra për një moment të caktuar, por harroj më pas. Kam kaluar vite të tëra me këta njerëz dhe ata kanë një vend në jetën time. Unë nuk e duroj dot zotërimin e gjërave. Kam qenë gjithmonë njeri i lirë. Më ka pëlqyer të flas hapur dhe kam falur. Kjo m’i ka bërë gjërat të thjeshta. Unë dua të jetoj mirë. Më mjaftojnë ato që kam dhe dua që të kem pranë njerëzit më të dashur.” Donika ka kërkuar gjithnjë të thjeshtën dhe rruga që ka zgjedhur ta ndjekë atë ka ecur gjithmonë përmenjerëzores. Ajo është një grua që i ka të qarta idetë e saj. E di çfarë do dhe ku do të shkojë, dhe këtë gjë e bën me zemër të
hapur, thjeshtësisht, duke qenë një grua me zemër të madhe.