Historia e dashurisë së Almedës dhe Tolgahanit rrëfyer për Living nga ata vetë

+

almede

Nga Brunilda Lahe | Fotografia: Eren Yigit

Kur projektorët u ndezën dhe gjithçka ishte gati, në hollin e madh të hotelit me 5 yje “Mercure”, u shfaqën yjet e vërteta. Almeda, ose më saktë, zonja Sayisman, dhe ylli I serialeve turke, Tolgahan Sayisman, po vinin drejt nesh në orarin e caktuar, ndonëse pas një nate intensive xhirimesh e vetëm me një orë e gjysmë gjumë. Ne vijmë nga Tirana e për dhëndrin e Shqipërisë, edhe pse me statusin Vip, (nuk ekzagjeroj, nëse them si ata të Hollivudit), mikpritja, veçanërisht për “njerëzit e nuses”, qëndron përmbi gjithçka. Për të realizuar shërbimin fotografik, stafi i revistës “Living” dëshironte ta rikthente çiftin aty ku ishin njohur për herë të parë, por duke qenë se fansat e tyre janëaq të shumtë e të papërmbajtur, sa puna do të ishte bërë gati e pamundur, u vendos që hoteli “Mercure” të ishte vendi më i përshtatshëm. Rrjeti i hoteleve “Mercure” është në pronësi të familjes së Tolgës dhe ky vend është për ta si një shtëpi e dytë, ku marrin shërbime estetike, notojnë në pishinë apo darkojnë vetëm ose me miq.

Almeda është kujdesur vetë për arredimin e shtëpisë. Tashmë gjithçka është në vendin e duhur, mungojnë vetëm pikturat, të cilat i ka zgjedhur, por duhet të përcaktojë vendin e secilës. “Ia kam lënë asaj në dorë, sepse, nëse Almeda është e lumtur, edhe unë jam i lumtur”, – thotë Tolga, i cili duket i dorëzuar përballë lumturisë së bashkëshortes së tij dhe kënaqësisë që i sjell të kujdeset për këtë gjë. “E kam pasur ëndërr që, kur të kisha shtëpinë time, të kujdesesha vetë për gjithçka. Kam shkrirë stilin modern me atë klasik, ku nuk mungojnë edhe elemente tradicionale. Dua t’ju rrëfej një sekret që Tolga nuk e ka ndarë me asnjë medie tjetër deri më tani: ai është i apasionuar pas “Star Wars” dhe ka një koleksion të pasur të personazheve, simboleve e shpatave të atij seriali. E dija që do të donte t’i kishte të ekspozuara diku në shtëpi ato, ndaj vendosa t’i rendisnim të gjitha në krah të televizorit, në sallon. Pranë një mobilieje klasike, gjenden këto personazhe futuriste. Kjo është pak a shumë linja që kam ndjekur në arredimin e gjithë shtëpisë. Fasada është e gjitha prej xhami dhe të dhuron pamje spektakolare të Stambollit. Prej aty, shoh se si vazhdon jeta teksa unë jam në shtëpi: diku ka trafik, diku njerëz që argëtohen, që hyjnë e dalin nga dyqanet, e gjithçka tjetër që ndodh. Asgjë nuk më çlodh më shumë sesa të ulem në tarracë në mbrëmje e të pi një kafe apo një çaj duke admiruar pamjen që kam përpara. Jam duke jetuar ëndrrën.”

lamedad4

Edhe Tolga ka gjetur lumturinë kur u takua me Almedën. “Almeda është njeriu me zemrën dhe shpirtin më të mirë që kam parë dhe njohur deri më sot. Është shumë e veçantë. Ajo është e bukur kur e shikon, por ajo çka shoh unë, është një bukuri tjetër dhe ky aspekt është shumë më I rëndësishëm për mua. Finalizimi i ndjenjës sonënë martesë është diçka kaq e bukur, sa nuk mund të përshkruhet me fjalë. Kur mendimi për jetën, pikëpamja për të, pritshmëria dhe vlerat e tua përputhen me ato të dikujt tjetër, je më i motivuar dhe më i lumtur. Me shpresën te Zoti, uroj që unë e Almeda të jemi përjetësisht kështu, të mos ndahemi asnjëherë. Në botë, ka shumë martesa të bukura, çifte që përshtaten me njëri-tjetrin, por nuk ka rëndësi të përshtatesh vetëm në pamjen e jashtme; ato çka duhet të përshtaten, janë zemrat dhe vlerat morale. Vetëm atëherë mund ta gjesh qetësinë e vërtetë. Ne u martuam duke menduar se e kemi arritur këtë. Shpresoj që të mos e humbasim këtë qetësi gjatë gjithë jetës.”

Apartamenti i tyre ka shumë hapësirë dhe dhomat e fëmijëve janë planifikuar tanimë, por, hëpërhë, ata po jetojnë dashurinë e tyre, pa e ndarë me dikë tjetër. Shtimin e familjes e kanë lënë në vullnetin e Zotit. Të dy duan familje të madhe. Almeda e ka pare gjithmonë veten si një grua sa moderne, aq edhe tradicionale. E suksesshme në karrierë, por kur të kthehej në shtëpi e të hiqte takat e makijazhin, të niste ta pastronte vetë shtëpinë, të gatuante receta të shijshme e të rriste fëmijët.

Almeda ne kuzhinë 

Edhe pse mund të kishte “një departament” të tërë me persona që të kujdeseshin për higjienën, veshjet dhe kuzhinën, ajo ka zgjedhur ta bëjë vetë këtë. Para se të martohej, nuk kishte gatuar thuajse asnjëherë, për këtë, kujdesej nëna e saj, por tani ajo është zonja e shtëpisë që ia del më së miri. Tolga i shijon shumë recetat që përgatit Almeda. Për pak muaj, ajo është bërë një “shefe e vërtetë” me ndihmën e librave të kuzhinës, recetave në internet apo komunikimin me Facetime me nënën e saj, e cila ndjek nga fillimi deri në fund përgatitjen e çdo gatimi tradicional, si për shembull tavën e kosit. “Ne hamë vetëm vaktin e mëngjesit dhe darkën, e shmangim drekën. Mëngjesi këtu është po aq i rëndësishëm sa edhe darka, ndoshta edhe më shumë. Duhet të jetë një vakt i pasur, i larmishëm dhe i shëndetshëm. Unë e kam të lehtë ta përgatis, pasi është një rutinë pa të cilën nuk bëj dot. Ndërkohë, po përsos përgatitjen e darkës, në të cilën duhet të ketë patjetër mish. Si unë, edhe Tolga, e pëlqejmë shumë mishin. Kam vendosur t’ia dal vetë me punët e shtëpisë, ashtu siç ka bërë edhe mamaja ime, mamaja e mamasë sime e kështu me radhë. Uroj që edhe në të ardhmen, të mund ta menaxhoj edhe punën, edhe shtëpinë.” Deri para dy vjetësh, Almeda as që do tamendonte të jetonte pa marrë pjesë në një projekt televiziv, por tashmë i sheh gjërat në një perspektivë tjetër dhe Tolga ka ndikuar drejtpërdrejt për këtë. “Ai ka ndryshuar edhe një pjesë tjetër timen, ka bërë edhe më të forte besimin tim në Zot. Tani ndihem më e pjekur, kam një vizion të gjerë dhe e kuptoj më mirë për çfarë kam ardhur në këtë botë. Qëllimi im është të bëj mirë, të jem e lumtur e të përcjell lumturi përreth. Mbi të gjitha, të jem në paqe me veten.” Almeda është e lumtur. Ajo e Tolga nuk janë vetëm bashkëshortë, por edhe shokë shumë të mirë. Ndajnë bashkë biseda e mendime që nuk do t’i ndanin me askënd tjetër, plotësojnë njëri-tjetrin dhe kuptohen edhe me shikim. Ç’është më e rëndësishmja, pas çdo bisede, në fund bien gjithmonë dakord. Almeda thotë se, në jo pak raste, Tolga i duket edhe si shqiptar e i kujton të atin, pasi është kokëfortë e me shumë karakter. Si natyrë është xheloz, edhe pse Almeda nuk i ka lënë asnjëherë shkak që ta shfaqë.

almedad3

Shqiptarët janë shumë kureshtarë për serialet turke me tematikë të ditëve të sotme. A jetohet vërtet kështu në Turqi? A janë të vërteta ato shtëpitë e bukura, të arreduara aq bukur dhe marrëdhëniet që krijohen në familje?
Turqia është shtet kozmopolit, shumë i madh. Këtu jetojnë 80 milionë banorë dhe është e vështirë të jesh mes kulturave të
ndryshme. Republika e Turqisë është formuar nga grupimi I njerëzve me etni të ndryshme, një lloj ekstrakti i shtetit osman. Meqë shpesh ndodh që njerëz me kultura të ndryshme janë të detyruar të jetojnë në të njëjtin vend, mund të dalin në pah sjellje dhe marrëdhënie të ndryshme. Për këtë shkak, edhe televizionet turke nuk i lënë shumë vend imagjinatës, por huazojnë gjëra që janë parë e janë dëgjuar në Turqi, gjëra që u kanë ndodhur njerëzve, qoftë lidhje familjare, qoftë marrëdhënie pune. Pra, pak a shumë, janë gjëra që tregojnë jetën në Turqi. Megjithatë, për hir të skenarit, sajohen edhe situata që nuk kanë ndodhur. Sigurisht, një rëndësi të madhe ka edhe aspekti ekonomik. Jeta e njerëzve të pasur dhe ajo e njerëzve të varfër që shihni në përgjithësi në seriale, është e vërtetë, sepse edhe xhirimet bëhen në shtëpi të banuara në Turqi. Pra, ato që keni parë, janë të vërteta.
Besoj se bashkëshortja jote, Almeda, duhet të të ketë thënë sa i famshëm dhe sa i dashur je në Shqipëri.
Marshallah! Është një gjë shumë e mirë. Të të duan dhe të komunikosh me njerëzit përmes ekranit, është diçka e bukur.
Seriali “Mos u dorëzo” po transmetohet me shumë sukses në platformën Tring. Është një serial që mund ta ndjekë gjithë familja, por veçanërisht vajzat janë apasionuar pas teje. Si ndihesh kur mëson se ka edhe vajza të tjera shqiptare, përveç Almedës, që të admirojnë?
Për mua, sigurisht që është ndjesi e mirë, por nuk e di sa e mire është kjo për bashkëshorten time (qesh). Gjithsesi, kulturat
tona ngjasojnë shumë. Në perëndim, ka shumë njerëz që kanë emigruar nga Ballkani. Ata ngjajnë shumë me shqiptarët. Ja
pse e kuptoj shumë mirë edhe këtë lloj reagimi të atyre që më duan. Ndoshta prandaj më pëlqejnë. Ndoshta më duan edhe ngaqë nga ana e babait tim janë emigrantë dhe unë kam gjak shqiptari.
Mund të na zbulosh diçka për prapaskenat e “Mos u dorëzo”, që ngjallin po aq shumë kuriozitet sa edhe vetë seriali?
Në Turqi, transmetimi zgjati 60 javë. Xhirimet janë zhvilluar për afro një vit e gjysmë dhe sigurisht që unë u lodha gjatë kësaj periudhe. Por, nëse e bën punën me dëshirë, nuk e ndien lodhjen. Pastaj, kur mbaronte seria, kisha një ditë kohë për të pushuar. Pra, të them të drejtën, nuk ishte shumë problem. Marrëdhënia me të gjithë kolegët e serialit ishte shumë e mirë. Të gjithë janë shumë të dashur, të respektuar dhe e bënin punën me dëshirë. Ishim si një familje. Nuk kemi pasur asnjëherë probleme.
Sa kohë xhironit për një seri?
Në fillim, zgjaste më shumë, por më pas e mbaronim për gjashtë ditë.
A i sheh serialet e tua?
Ndonjëherë. Të them të drejtën, shoh skenat e rëndësishme për të parë se si i kemi realizuar. Kur je brenda, nuk mund t’I shohësh me syrin e atij që është jashtë. Kur je profesionist, I shikon me sy më kritik dhe nuk merr shumë kënaqësi.
Në ato raste që i sheh, me kë i sheh? Me familjarë? Me Almedën? Apo i shikon vetëm, për të qenë plotësisht kritik?
Kjo nuk ka shumë rëndësi. Edhe me Almedën i kam parë. Madje i kam parë edhe me familjen e Almedës. Mund t’i shoh edhe me shumë njerëz.
Sa të duhet të punosh për ta bërë tëndin një personazh? Sa punon në momentin që producentët të zgjedhin ty si aktorin kryesor, sepse kryesisht rolet e tua kanë qenë si aktor kryesor.
Kjo është diçka që ndryshon në varësi të situatës. Lidhet ngushtë me faktin se sa i vështirë është interpretimi i një
personazhi. Varet edhe nga ajo që mund t’i ofrojë personazhi skenarit. Në Turqi, zakonisht, sidomos në seriale, personazhi ndryshon vazhdimisht edhe pas ndërtimit fillestar të karakterit. Ndonjëherë, ndodh që duhet një vit për një personazh, ndonjëherë më pak se një muaj. Mua më mjaftojnë një ose dy muaj për ta krijuar plotësisht një personazh. Kjo është shumë e rëndësishme. Në Hollivud, kjo periudhë varion nga një deri në dy vjet. Unë e realizoj personazhin për një ose dy muaj.