Kristofor Pitushi: Guximi më bëri yllin e pasarelave botërore të modës

+

krristt

Trupi perfekt dhe fakti që është aq fotozhenik, do të “tundonte” pa më të voglin dyshim, çdo aparat fotografik. Ashtu siç edhe tregoi me kalimin e kohës, ai ishte i aftë të bënte për vete marka shumë të njohura ndërkombëtare të modës, të cilat e rekrutuan si imazhin e tyre. Sot, e sheh të sfilojë suksesshëm për Calvin Klein, Dolce & Gabbana, LEE Jeans, Carrera, Billionaire, Boggi Milano, Reporter, e shumë marka të tjera të njohura.

NGA Elona Jaçellari

Falë dhuntive, por mbi të gjitha falë pasionit dhe vullnetit për të arritur majat, Kristofor Pitushi ia ka dalë të jetë një prej atyre pak të rinjve shqiptarë, që “marshojnë” suksesshëm pasarelave botërore të modës. Ai është 26 vjeç, por mban mbi supe një karrierë të konsoliduar në fushën e modës. Ishte qershori i vitit 2015, kur djali nga Kuçova, i sapodiplomuar për Inxhinieri Hidroteknike në Tiranë, mori guximin t’u drejtohej agjencive të huaja të modës, për t’u bërë pjesë e tyre. “Me të përfunduar universitetin, kisha një ëndërr të lënë përgjysmë, - tregon Kristofori. - Kështu, u nisa drejt Milanos, ku zhvillova takime me disa agjenci mode. Nuk njihja asnjë.

2017 03 25 202004 1

 

Thjesht mora guximin t’u shkoja në derë dhe t’u trokisja. E kisha të qartë që ky është një biznes shumë fitimprurës dhe nëse do t’u interesonte, do të m’i hapnin dyert.” E në fakt, ndodhi që “Boom Models”, një agjenci mode në Milano, e bëri menjëherë pjesë të aktiviteteve të saj. Prej aty, Kristoforit nisi t’i ndrinte ylli I famës. Me të shkelur në “Boom Models”, u bë imazhi i markave, të cilat mbajnë majën e firmave të modës në botë, duke marrë pjesë edhe në sfilata Alta Moda. POR, AMBICIA E KRISTOFORIT ishte që t’I thyente edhe kufijtë e Milanos.

Sot, pas gati dy vitesh karrierë të suksesshme si model, ai po e zhvillon këtë intervistë për revistën “Living” nga Shangai, sepse kërkesat për të si model, i kanë kapërcyer prej kohësh kufijtë e kryeqytetit italian të modës. Përpos “Boom Models”, Kristofori është edhe pjesë e një prej agjencive me modelët më të mirë në botë me qendër në Milano, “I love models”. Kjo është agjencia meme për të. “Prezantimi i imazhit tim nga kjo agjenci ka qenë akoma më i suksesshëm dhe më ka dhënë mundësi të punoj për shumë marka me famë botërore.” Ndërsa prej janarit 2017, të riun shqiptar e ka rekrutuar edhe “Next Models London”, një prej agjencive më të mira në botë të modelingut. “Rrugët më janë hapur falë besimit dhe vullnetit, por, duke marrë parasysh edhe kërkesat për t’u bërë një model profesionist dhe për më tepër në Milano,” - tregon Kristofori. E këtu ndalet pak për të krahasuar tregun e modelingut shqiptar me atë që gjeti jashtë. “Siç dihet, në Shqipëri nuk mund të bësh namin me këtë profesion, edhe pse kam qenë pjesë e shumë editorialeve, sepse në Shqipëri modelingu nuk është profesion me plot kuptim e fjalës. Madje, kur përfundova studimet dhe doja t’i rikthehesha modelingut, duke guxuar tregun e huaj, as materialet e editorialeve nuk m’i jepnin për CV, duke më injoruar.”

20170425mw9285 拷贝 1

Modeli shqiptar me fame ndërkombëtare, rrëfen se si i është dashur shumë punë e mund për të arritur nivele të larta në këtë fushë. “Në modeling gjërat janë të paparashikueshme, - thotë ai. - Dita-ditës ndryshimet mund të jenë aq të mëdha, sa të kthejnë tërësisht ecurinë e karrierës. Vështirësitë më të mëdha që kam hasur kanë qenë: të krijoja besimin tek agjencia dhe klientët, mungesa e një katalogu fotografik, për arsyen që përmenda më sipër, dhe të krijoja imazhin tim për një prezantim ideal. Por i kam zgjidhur të gjitha falë pasionit, vullnetit dhe qetësisë që më karakterizon.” Në kaq pak kohë, modeli shqiptar, ka arritur shumë në arenën ndërkombëtare të modës, por, për të ende nuk mjafton, që të ndalet dhe të vetëkënaqet me suksesin. 26-vjeçari synon të jetë imazhi i markave më të njohura dhe të sfilojë për to. NjuJorku është synimi i tij i radhës. Kjo, sa i takon të ardhmes së afërt. Në atë më të largëtën, ai e shikon veten si një inxhinier të zotin. Edhe pse ka bërë shumë pak praktikë në këtë fushë, beson që në momentin e duhur do t’i kushtohet për të fituar aftësimin profesional, sepse ai ka besim te vetja dhe thotë se do të arrijë të përmbushë çdo vendim që merr në jetë.

2017.5.15天台0047