Nutricionistja Diola Dosti bën publike videon plot puthje e prekje me partnerin e ri
Prej disa kohësh si një nënë beqare dhe super elegante, padyshim dhe e bukur, nutricionistja Diola Dosti nuk pengohet nga asgjë t&eum...
Nga: Santana Çomora / Fotografia: Armand Habazaj
Që kur interneti është bërë pjesë e përditshmërisë e telefoni është kthyer në fiksim në duart tona, publikimi i çdo gjëje nuk na përket më vetëm neve, por të gjithëve. Në Instagram jemi mësuar të shohim se si zhvillohet moda e të marrim impulset e para pas trendeve më të reja, por tashmë ka lindur edhe një trend i ri, i cili lidhet me ushqimin, gatimin e mënyrën e kompozimit sa më bukur të fotove me receta të shumta. Besoj se dhe food blogger-et, ashtu si fashion blogger-et kanë fansat e tyre. Kërkoni pak tani në Instagram papare_thebeautyofsmallthings dhe do të gjeni një botë të tërë me receta të ndryshme, që nga ato tradicionalet e deri te më modernet. Pas kësaj faqeje me një mesazh kaq të thjeshtë, fshihet një zonjë e papërtuar dhe duarartë, që quhet Mirela Andoni, e dashuruar pas ushqimit e gatimit që në fëmijëri. Jam e sigurt që më shumë sesa gatimet, në momentin e parë ju ka bërë përshtypje emri i zgjedhur. E kush nga ne nuk ka ngrënë një pjatë papare kur ka qenë fëmijë dhe nuk i është rikthyer asaj sikur edhe për nostalgji?! Shumë, besoj… Pikërisht kjo ishte dhe arsyeja pse Mirela zgjodhi këtë emër
“Papare, sepse më mban të lidhur me fëmijërinë. Ka qenë ushqimi im i preferuar, madje mbetet edhe sot kur nuk ke oreks për asgjë tjetër. Më kanë treguar se, kur isha e vogël dhe shkoja te gjyshja në fshat, edhe pse atje kishte shumëllojshmëri ushqimesh, unë kërkoja vetëm atë. Pa pare, sepse unë nuk fitoj asgjë nga kjo faqe dhe ata që më ndjekin nuk paguajnë asgjë. Unë thjesht ndaj diçka nga dita ime e nëse dikujt i pëlqen, e merr si ide.”
Hapja e kësaj faqeje erdhi si bashkim i dy pasioneve të saj, gatimit dhe fotografisë: "Fillimisht – kujton ajo - vetëm gatuaja dhe nuk i fotografoja ushqimet ose edhe nëse e bëja, nuk isha shumë e kënaqur, ndaj vendosa të ndiqja një kurs fotografie. Tani ndihem më e sigurt. Më mungon vetëm aparati . Çdo foto në faqen time është e bërë me celular, ndaj uroj që të më plotësohet dëshira dhe në një të ardhme, fotografitë të jenë të realizuar me aparat fotografik profesional."
Mirela ndihet e vlerësuar për faktin se miqtë e saj e kanë mbështetur që në fillim në këtë nismë të re dhe në njëfarë mënyre kanë qenë edhe kritikët e saj të parë. Ndërkohë, faqja shtohet dita ditës me fansa të rinj, të cilët me një postim të bërë kërkojnë menjëherë edhe recetën e radhës. Kjo e lumturon akoma më shumë Mirelën. Pastaj, sugjerimet janë nga më të ndryshmet. Ato nuk kanë lidhje vetëm me recetat, por edhe me mënyrën e kompozimit të fotove dhe këndeve të zgjedhura për t’i dhënë faqes sa më shumë larmi.
Nëse do të shikoni me kujdes postimet e saj, do të vini re dhe një copë druri të vogël, me emrin e faqes. Mirela kujdeset edhe për detajet më të vogla. Së pari, mund të themi se ajo është logoja që e përfaqëson dhe, së dyti, ajo pëlqen të luajë me gjërat e vogla, siç i quan ajo, për t’u dhënë fotove një ngjyrim ndryshe nga shumë faqe të tjera kushtuar gatimit. Në fillim, ajo e shkruante këtë emër me shkumës në një tabelë të zezë, sepse donte të kishte diçka të veçantë dhe jo vetëm një emër të shkruar mbi foto. Më pas, kjo gjë u zhvillua më shumë me ndihmën e miqve. Mirela përpiqet gjithashtu të mos humbasë stilin e fotove, në fokus të të cilave duhet të mbetet vetëm ushqimi e disa gjëra të vogla rreth tij, sepse ajo beson se ka bukuri edhe në to, ndaj e ka zgjedhur si emër të dytë të faqes papare_thebeautyofsmallthings.
Thonë që duhet të gatuash duke menduar për dikë, ndryshe thjesht po bën për të ngrënë dhe kaq, por ky nuk është rasti i Mirelës. Ajo është rritur në një familje me origjinë korçare dhe gjirokastrite, ku gratë gatuajnë shumë mirë dhe nëse nuk mësoje të bëje byrek që në klasë të katërt fillore, i kishe punët keq. Gjyshja e saj, Marigoja, e ka mësuar të tëhollë petët, por më pas erdhi dëshira për të eksperimentuar vetë në kuzhinë.
“Fillimisht, shumë gjëra i bëja edhe gabim, madje më kujtohet njëherë, kur isha 11 vjeç dhe na kishte ardhur daja, bëra fasule me shumë kripë dhe për ta rregulluar i hodha sheqer, por pa rezultat. I hëngrëm ashtu. Sot kam mësuar që duhet të hedh 2-3 patate për të ekuilibruar shijen e kripës.”
Mirela është nga ato që nuk përton t’i shkojë pas çdo shijeje. Përpiqet t’ua bëjë qejfin të gjithëve, duke kërkuar gjithnjë ide të reja për t’i përshtatur me shijet e të afërmve të saj. Ka fatin që punon edhe me njerëz që e duan ushqimin dhe gatuajnë shumë mirë, kështu që është gjithmonë në kontakt me gjëra të reja. Në shtëpinë e saj, të gjithë janë me shije të ndryshme: i shoqi shumë tradicional, vajza e vogël shumë përzgjedhëse, ndërsa vajza e madhe ka qejf të provojë gjëra të reja, kështu që ajo përpiqet që t’ua plotësojë dëshirat të gjithëve.
Çfarë është gatimi për ty?
Gatimi për mua është kënaqësi dhe terapi. Ndihem e lumtur kur gatuaj, ndaj më pëlqen ta ndaj atë edhe me të tjerët. Më duket sikur u përcjell një pjesë të lumturisë sime. Gatuaj për familjen, sepse më pëlqen të mblidhemi të gjithë bashkë. E diela pastaj, është kulmi i kënaqësisë, sepse gatuajmë të tria. Më pëlqen të dhuroj ëmbëlsira ose torta në ditëlindjet e kolegëve dhe duke i njohur shijet, i personalizoj ato. Tani kam një sfidë të radhës; duhet të personalizoj një tortë me makarona. Booo, se di a do t’ia dal mbanë!
Ku e gjen kohën për të bërë gjithë këto gjëra? Kur zgjohem në mëngjes (unë zakonisht zgjohem në orën 7:00) shoh që ke e publikuar me kohë foton e parë. Kur e nis ditën Mirela?
Dita ime nis shumë herët, zakonisht në orën 06:00. Tashmë është bërë rutinë që t’i kushtoj vetes dhe pasionit tim 30 minuta për të fotografuar atë çka ne konsumojmë. Mund të jetë mëngjesi që sapo kam përgatitur, dreka që do të marr me vete për në punë ose e diela jonë. Pas fotos në Instagram fshihet ndihma që më jep gjithmonë mamaja ime, nxitimi për të kapur furgonin e punës, pyetësori që u bëj shoqeve të mia çdo mëngjes se cila foto duket më e bukur, etj.
Të pëlqen të gatuash më shumë të ëmbla apo të kripura?
Më pëlqejnë të dyja, të kripurat pak më shumë, por ajo çka më përkufizon është nepsi. Edhe nëse shoh dikë që ha bukë me djathë, të jeni të sigurt se sapo të shkoj në shtëpi është gjëja e parë që do të bëj. Për mua vlen shprehja "ç’më sheh syri e do goja". Më pëlqen të provoj sa më shumë gjëra të ndryshme. Sa herë shkojmë në një restorant, fjalia dhe këshilla e parë e tim shoqi është: "Mos porosit shumë se nuk i hamë dot."
Si mund ta fotografosh më mirë një ushqim? Ka ndonjë rregull të veçantë ose ndonjë këshillë?
Unë jam akoma duke provuar, por kam ndjekur këshillat e fotografit më të mirë të ushqimeve, Armand Habazajt, i cili më ka mësuar të gjej një dritare me dritë dhe pastaj të provoj derisa të gjej këndin dhe largësinë e duhur.
Prej disa kohësh si një nënë beqare dhe super elegante, padyshim dhe e bukur, nutricionistja Diola Dosti nuk pengohet nga asgjë t&eum...
Pashka (ose edhe Pashkët) është festa (e kremtja) më e madhe e kalendarit liturgjik të Kishës Katolike dhe të kishave t&eum...
Pluhuri saharian i cili mbërriti në Shqipëri që prej mëngjesit të ditës së djeshme dhe që pritet të zgjas&eu...