«Librat që dua» Njihuni me Inesin dhe Klean, vajzat që drejtojnë faqen më të ndjekur dedikuar librave

+

lobatewr
Nga Frensis Lloji/ Fotografia : Armand Habazaj

DUHET TË BËNI KUJDES PREJ LIBRAVE, BRENDISË SË TYRE, FJALËVE, SEPSE ATO KANË FUQINË TË NA NDRYSHOJNË.”
- Cassandra Clare
Ndoshta edhe historia e dy motrave që do t’ju prezantojmë, do të ketë të njëjtin efekt te ju. T’ju ndryshojë, t’ju frymëzojë, t’ju nxisë të lexoni e t’ju hapë dyert drejt botës së librave (nëse këto të fundit i keni mbyllur prej kohësh).
Nëse do t’i njihnit Inesin dhe Klean, nuk do të kishit pikë dyshimi që ato janë vajzat që “fshihen” pas faqes më të ndjekur në internet dedikuar librave. Nëse të gjithë fëmijët janë rritur mes lodrave, dy motrat nga Tirana e kanë kaluar fëmijërinë mes stivave me libra. Prindërit e Inesit dhe Kleas kanë punuar në shtëpi botuese e prej 10 vitesh drejtojnë një librari. Dashuria për librin u është kultivuar ndër vite, teksa krah prindërve kanë marrë pjesë që në moshë të herët thuajse në çdo panair apo promovim libri. “Besoj se janë të paktë titujt apo librat e një autori për të cilët nuk kam informacion. Gjithçka që di, ka ardhur aq gradualisht, sa më kujtohen dhe kopertinat apo shtëpitë botuese që i kanë nxjerrë në treg,” - thotë Inesi.
Ndonëse vajzat nuk kanë studiuar për letërsi apo një degë tjetër që do t’i lidhte edhe më shumë me librat, përkundrazi, janë më pranë shifrave, ato ishin të vendosura në nismën e tyre. Pasioni dhe dëshira për të afruar edhe më shumë të rinjtë me librat, i shtyu dy motrat të hapnin faqen “Librat që dua”. Si fillim, ishin miqtë ata që i nxitën dhe i mbështetën, e sot faqja që drejtohet nga Inesi dhe Klea numëron më shumë se 12 mijë ndjekës në rrjetin social Instagram dhe 15 mijë ndjekës në atë Facebook.

librew
VAJZAT QË SJELLIN NË SHTËPINË TUAJ “LIBRAT QË DONI”
Në shtator të vitit 2015 vajzat i dhanë jetë projektit të tyre duke hapur në rrjetet sociale faqen “Librat që dua”. Ishte pikërisht kjo, hapësira ku Inesi dhe Klea synonin t’i ekspozonin librat si të ishin në një vitrinë. Gjatë periudhës kur të dyja motrat ndiqnin studimet e larta në Fakultetin Ekonomik, në mendje u gëlonte ideja se ç’biznes mund të hapnin! “Puna në librari nuk shkonte si më parë, shitjet kishin rënë dhe ishte shumë e trishtë të shihje se numri i të interesuarve apo i blerësve sa vinte e binte. Ne donim të provonim një formë të re të promovimit të librit. Ndoshta njerëzit nuk kanë kohë për të shkuar në librari, por nëse e reklamon librin, ndoshta duan ta blejnë”, - shprehet Klea. Kështu, ideja e tyre rezultoi e suksesshme, sepse që në muajt e parë numri i të interesuarve ishte shumë i lartë. Gjetja dhe risia nuk lidhej aspak me shitjet në internet, por me produktin! Prej vitesh kemi patur mundësinë që me anë të kartave të kreditit të blejmë përmes kompjuterit apo celularit, por për të parën herë, në vend të veshjeve apo aksesorëve mund të porosisim një libër.
Prindërit, ndonëse paksa dyshues në fillim, u kanë qëndruar vajzave pranë në çdo hap që kanë hedhur, duke besuar se “Librat që dua” do të ishte më shumë se një faqe interneti! Për hir të së vërtetës, as vetë vajzat nuk prisnin që faqja e tyre të rritej aq shpejt! Askush nuk mendonte se libraria online do të shndërrohej në një biznes të mirëfilltë dhe do të vizitohej çdo ditë nga qindra njerëz e po aq shumë libra do të shiteshin çdo muaj.
Vajzat nuk i kanë lënë asgjë në dorë rastësisë, e kjo nuk është aspak e vështirë për t’u kuptuar. Mjafton të hyni në faqen e tyre dhe do të shihni se “Librat që dua”, është website më i ndjekur dhe më i pëlqyer. Gjithçka që do të shihni, nga kompozimi i fotove e deri te përshkrimi i tyre, është i mirëmenduar deri në detaj! “Pasi e diskutuam dhe vendosëm që do të hapnim një faqe interneti, na u desh thuajse një muaj që t’i vendosnim emrin. Nuk ishte e lehtë të gjenim një emër kuptimplotë dhe për më tepër në shqip”, - thotë Inesi. Vajzat pohojnë se frymëzimin e gjejnë kudo dhe të qenët kreativ, ka bërë që postimet të jenë aq të këndshme e tërheqëse.

shumenikw
Hapja e një blogu, afërsisht një vit më pas, erdhi si nevojë e vajzave për një hapësirë ku fjalës i jepet më shumë rëndësi sesa në Instagram, rrjetin social të fotografive ku deri atëherë ato ishin përfaqësuar me “Librat që dua”. Motrat pohojnë se blogu i tyre u shndërrua shumë shpejt në një komunitet virtual, ku të apasionuarit pas librave jo vetëm janë në kontakt me njëri-tjetrin, por dhe me botimet më të reja që dalin në treg! Duket se çdokush që viziton këtë librari online është i etur për më shumë dije e informacion. Faqja ka marrë karakteristikat e një guide udhëzuese e jo rrallë herë ndodh që të gjithë të përfshihen në diskutime, kur dikush është i pavendosur se cili do të jetë libri i radhës që duhet të lexojë apo të bëjë dhuratë. Në kushtet kur hapësira në mediet tradicionale është e kufizuar, shkrimtarët e rinj kanë gjetur gjithashtu një mënyrë shumë të mirë promovimi. Një ide mjaft interesante, në funksion të këtij qëllimi, ishte dhe ajo e Blind Date. Misioni mbetej i njëjtë: promovimi i librit dhe autorëve shqiptarë! Nëse deri më tani i keni gjykuar librat nga kopertina, pas një “takimi të verbër” me faqen “Librat që dua”, mund të blini një libër duke u tërhequr vetëm nga disa fjalë kyçe që zbërthejnë thelbin e tij. Sipas vajzave, kjo është një formë e mirë për t’i dhënë zë shkrimtarëve të rinj dhe ato pohojnë se kanë qenë të shumtë ata që kanë guxuar të blejnë një libër me “sy mbyllur”.

libratwr
Të jesh në kontakt me vajzat që “fshihen” pas librave që ju doni, është shumë më e lehtë nga sa e mendoni! Nga faqja e tyre nuk do të merrni asnjëherë mesazh automatik, pasi Inesi dhe Klea i përgjigjen vetë çdokujt që u shkruan! Pasi të keni bërë porosinë, vajzat nuk do të vonojnë më shumë se një ditë, për ta sjellë në adresën tuaj. Korrektësia, serioziteti dhe mënyra sesi ato e prezantojnë librin te lexuesit, bëri që numri i kërkesave dhe porosive të rritej brenda një kohe shumë të shkurtër. Inesi dhe Klea duhej të mendonin një mënyrë të përshtatshme transporti, që edhe pse ndokush nuk jetonte në Tiranë, të kishte në dorë librin që donte. Tashmë vajzat mund të dërgojnë me postë të gjithë librat që doni, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Qoftë dhuratë ose jo, libri që doni do të vijë në adresën tuaj, i paketuar aq bukur, sa të vjen keq ta hapësh! Të porosisësh një libër përmes faqes së Inesit dhe Kleas është një përvojë frymëzuese, e cila të bën të besosh se libri është një dhuratë pa kohë, që nuk del kurrë nga moda. Dërgimi i tij në formë dhurate pranë lexuesit, ka qenë ndër idetë e para të vajzave, kur faqja “Librat që dua” ishte ende duke marrë formë. Aksesorët e librave, si për shembull shënjuesit, ishin një tjetër detaj që plotësonin paketimin. Ndonëse në dukje janë detaje të parëndësishme, lulet dhe fjongot me ngjyra që vajzat vendosin aty, ia shtojnë lezetin çdo porosie.
PËRTEJ “LIBRAVE QË DUAM”
Vajzat janë të ndërgjegjshme se askush nuk duhet të privohet nga dija dhe përpiqen ta shpërndajnë atë në çdo formë! Inesi dhe Klea u janë bashkuar shumë nismave, me qëllim pasurimin e bibliotekave të shkollave, shtëpive të fëmijëve, familjeve në nevojë, e jo vetëm. Organizimi më i fundit ka qenë në shkollën e Krrabës, institucion arsimor që përfshin shkollën fillore, nëntë vjeçare dhe atë të mesme. Ato kanë dhuruar libra nga biblioteka personale për fëmijët nga mosha 6 deri 18 vjeç, të cilët ndjekin këtë shkollë. Inesi dhe Klea janë të mendimit se dashuria për librat e ushqyer që në moshë të herët, është mënyra e duhur për të afruar të rinjtë drejt dijes. Kjo është arsyeja përse ato u janë bashkuar gjithmonë nismave për dhurimin e librave, kryesisht fëmijëve në nevojë apo atyre që rriten në shtëpinë “Zyber Hallulli”. Bashkë më vajzat janë bashkuar dhjetëra të rinj, nga e gjithë Shqipëria të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në hapjen e një dritareje në botën e të gjithë këtyre fëmijëve. Deri më tani, vajzat kanë marrë porosi, por sot kanë një të tillë për të gjithë ne: “Mos lexoni siç bëjnë fëmijët, për t’u zbavitur apo siç bëjnë ambiciozët, për të mësuar. Jo! Lexoni që të jetoni!”, dhe mos harroni t’i ndiqni në rrjetet sociale me emrin “Librat që dua”.