Lorik Cana: Bojken, dhurata e Zotit që i zuri vendin futbollit, planet e afërta për një trashëgimtar tjetër

+

lorikwe

Për të kompensuar situatën që e detyroi Lorik Canën të braktiste përgjithmonë karrierën si futbollist, Zoti e bekoi atë me një fëmijë. Kur karrierës së tij si futbollist po i vinte fundi, erdhi në jetë Bojkeni, djali i tij. “Kur lindi im bir, ndryshoi gjithçka, - thotë Loriku. - Deri atëherë, prioritetet ishin krejt të ndryshme, kurse tani e gjithë vëmendja dhe dashuria shkojnë tek ai. Kur lindi Bojkeni, isha tridhjetë e dy vjeç dhe ishte koha e duhur për t’u bërë me fëmijë, duke përjetuar kështu ndjenjën më fantastike në botë. Ardhja e tij në jetë më kompletoi, sepse vetëm kjo më mungonte dhe për fat, erdhi në çastin më të mirë, sepse mbushi gjithë boshllëkun që la futbolli.” Muajt pas largimit nga fusha e blertë, Loriku i ka kaluar pranë të birit. Me Bojkenin pranë, e ka ndier më pak mungesën e futbollit. “Megjithatë, - shton ai, - kur shoh në shtëpi ndonjë top të djalit, filloj e luaj me të. Është një ndjenjë të cilën nuk e frenoj dot. E shoh që edhe Bojkeni e do futbollin. E kap topin më shumë me dorë, sesa me këmbë (qesh), por e do shumë. Luajmë bashkë. E rëndësishme është që ta dojë futbollin, pastaj është zgjedhja e tij në do të bëhet apo jo futbollist. Kur ishim bashkë në stadium, ditën e ceremonisë sime, reagoi mirë. I pëlqeu, bërtiste, duartrokiste.”
Bojkeni, trashëgimtari i Lorik Canës, mban emër ilir. Ishte dëshira e kapitenit që djali të mbante një emër autentik shqiptar, por përzgjedhja u bë me konsensusin e të dyve. Çifti dëshiron që të ketë edhe fëmijë të tjerë.
“Si unë, ashtu dhe Monica dëshirojmë fëmijë të tjerë, edhe pse dashuria për Bojkenin është aq e madhe, sa ti mendon se nuk mund të duash një tjetër aq shumë. Unë dëshiroj të kem tre fëmijë, kurse Monica dy. Dua që fëmija i dytë të jetë përsëri djalë, sepse kështu mund të kërkojmë një vajzë dhe e arrijmë treshin. Por
do ta marrim me qetësi; ndoshta nga viti i ardhshëm mund të mendojmë për një fëmijë tjetër.” Nuk do të ishte aspak keq që ish-kapiteni legjendar të sillte në jetë shumë trashëgimtarë, për t’i dhënë shpresë idesë se ëndrra vazhdon. Por Loriku nuk e shikon kështu. Edhe pse vetë ka nisur të luajë qysh i vogël dhe shtysa më e madhe në këtë rrugë ka qenë i ati, ai nuk dëshiron të bëjë të njëjtën gjë me të birin.
“Babi im e kishte bërë zgjedhjen për mua. Më dha dy alternativa: Ose do të bëhesh futbollist, ose do të bëhesh futbollist (qesh). Për fat, unë e doja shumë futbollin dhe deri diku, isha i talentuar. Babi mori rolin e drejtuesit, menaxherit, këshilltarit, shokut dhe ia dolëm mbanë. Ia dolëm mbanë, sepse e dëshiroja edhe unë këtë gjë, por do të kishte qenë shumë e vështirë të ndodhte e njëjta gjë, nëse nuk do të kisha mbështetjen e tij.”
“Unë do t’ia lë Bojkenit në dorë, - thotë ish-kapiteni. - Nëse do ta dëshirojë dhe do ta ketë pasion, do ta mbështes. Por çfarëdolloj zgjedhjeje që ai do të bëjë në jetë, unë do ta mbështes. Megjithatë, nëse do të merrej me sport, unë do të preferoja të bëhej tenist, meqë nuk kemi pasur asnjëherë lojtar të nivelit të lartë në këtë fushë. Nëse nuk do të merret me sport, por gjëra të tjera, është e drejta e tij dhe do ta
mbështes sa të mundem.” Të arrish majat në sport e të bësh histori në fushën e blertë, siç bëri Loriku, do të thotë të kalosh perms një rruge sakrificash të mëdha. Për Lorik Canën, ia ka vlejtur çdo sakrificë. “Miliona njerëz e kanë ëndërr të bëhen futbollistë. Ne që bëjmë pjesë tek ai 0.1 % që e kemi arritur këtë, jemi njerëzit më me fat në botë.” Elona Jaçellari/ Revista LIVING nr 27