Meshkujt shqiptarë nuk kanë stil? Njihuni me Edjon Hysenaj, arkitektin nga Shkodra, e ndryshoni mendim

+

edjonjd

NGA: SANTANA ÇOMORA FOTOGRAFIA: EDVINA META

Edjon Hysenaj është student i arkitekturës, por ka mundur ta ushtrojë profesionin e tij, edhe pse është ende në auditor. Me të folurën e ëmbël shkodrane, djaloshi 23-vjeçar bie në sy për një stil mjaft elegant. Gjithmonë i kuruar, me shije dhe i gatshëm të përqafojë prurjet e reja të modës, mund të themi me gojën plot se Edjoni është arkitekti me stilin unik të një fotomodeli. E adhuron stilin klasik, duke i shtuar gjithmonë atë të rrugës (street style–in). Pëlqen të kombinojë, të luajë e të përshtatë aktivitetin e ditës me paraqitjen estetike. Numëron një koleksion të tërë këmishësh, pantallonash, këpucësh dhe atletesh, duke i dhënë mundësi të shumta vetes në lojën e kombinimeve. Në këtë mënyrë, shijet e tij perfeksionohen çdo ditë, duke kuruar më tej paraqitjen e një djaloshi. I riu frymëzohet shumë nga moda e viteve `30. Kostumet janë pika e tij e dobët, sidomos ato elegante, që nxjerrin në pah tiparet mashkullore, si shpatullat e gjëra dhe format muskulore. Nuk e sheh këtë veshje si diçka zyrtare apo se e rrit në moshë, por thjesht pamja estetike është më e rregullt dhe kjo e bën të ndihet mirë. Këpucë lëkure dyngjyrëshe, xhaketa dopiopetë dhe kapela si aksesor mbeten gjithmonë pika frymëzimi për të, vetëm se sot moda ka ndryshuar, pantallonat janë me prerje të ngushtë dhe me bel poshtë.
Për të, profesioni që ka zgjedhur është pikëtakimi i së bukurës me funksionin. Në punët e tij si arkitekt ai transmeton shijet në teksturë, ngjyrë dhe formë, gjë që bën pak a shumë edhe me veshjet, duke ruajtur të njëjtën filozofi: "Çdo hapësirë projektohet për komoditetin e përdoruesit. Kështu duhet të jetë edhe veshja. Arredimet, qoftë edhe ato të jashtme, i evidentoj me elemente të veçanta që bien në sy në raport me pjesën tjetër. Një kostum të jep liri për të thyer kufijtë, por, kollarja, çorapet, ora apo këpucët janë elemente që i japin vlera veshjes. Shpesh e shoh si paralelizëm, interierin dhe veshjen, ku çdo mobilie lidhet me një pjesë të pamjes sonë." Përveç këtij profesioni, ai ka qenë pjesëmarrës në sfilata të ndryshme, videoklipe dhe reklama. I pëlqen bota e modës dhe për këtë arsye është dhe adhurues i stilit të futbollistit anglez, David Beckham dhe blogerit të njohur Mariano Di Vaio. Në Instagram nuk ka vetëm meshkuj që e ndjekin, shumica janë femra që me shijen e tyre të hollë mundohen t'i bëjnë edhe ndonjë kritikë të rastit, por në përgjithësi e mbështesin dhe i japin kurajë që të bëhet frymëzim edhe për meshkujt e tjerë. Edjoni e ndien që kohët kanë ndryshuar. Brezi i tij nuk është më aq konservator sa më parë. Meshkujt kanë nisur të kenë më kujdes ndaj vetes dhe, si rrjedhojë, kjo i bën të ndihen më të lirë në fantazinë e tyre të të veshurit. Djaloshi prij Shkodre nuk është se shpenzon shumë. Ai gjen mundësi të përballueshme financiare për të gjetur të mesmen mes cilësisë dhe çmimit.
Nuk është as nga ata të fiksuarit pas brendit, prandaj kurrë nuk shpenzon veç për një emër. Ndërkohë, nëse bëhet fjalë për diçka unike, nuk e humbet rastin, pavarësisht nga kostoja. Për të, një veshje nuk e bën të bukur çmimi, por kreativiteti. Është i përditësuar për çdo tendencë të re, kjo dhe falë faktit që sot bota është kthyer e tëra në virtuale dhe lajmet për këtë industri nuk mund të dalin nga vëmendja e tij. Aksesori më i rëndësishëm për të në një veshje është ora. Pa të ndihet sikur i mungon diçka. Kështu që ua sugjeron të gjithë meshkujve që të mos e anashkalojnë këtë detaj në pamjen e tyre të përditshme, sepse u siguron një look elegant, por edhe shik dhe të rafinuar në të njëjtën kohë.

akite
»JO ÇDO GJË QË VESHIN VIP-AT ËSHTË TREND PËR T’U NDJEKUR. Një këmishë e thjeshtë që rri mirë në trup, do t'ju japë një pamje tërësisht tjetër nga bluzat me stampime të dala nga moda.«

rger

NJË NGA DETAJET QË MË PËLQEN DHE ËSHTË NË MODË KËTO MOMENTE ËSHTË QË KËPUCËT PO zëvendësohen me atlete të bardha, edhe në veshje formale. Në këtë mënyrë, pamja jonë bëhet më rinore dhe sportive.

edji

E zeza është ngjyra që nuk del kurrë nga moda, duke të dhënë elegancë, ndërsa ngjyrat e tjera më japin më tepër qetësi për syrin. Ngjyrat duhet të lidhen jo vetëm me njëra-tjetrën, por edhe me mua vetë.

edjoenro
Për mua elegance është diçka që qëndron bukur mes të tjerave, por edhe më bukur kur është vetëm. Eleganca tërheq vëmendje, vjedh shikime... frymëzon. Është ekuilibri mes ngjyrave, teksturës dhe prerjes së një veshjeje.


PËR EDJONIN, MESHKUJT SHQIPTARË nuk është se vishen njësoj. Ata thjesht janë më të shkujdesur ndaj pamjes së jashtme dhe nuk kanë një stil të qartë: "Problemi me stilin e meshkujve qëndron tek ajo çfarë u ofrohet atyre si trend. Veshjet komerciale, duke qenë më të aksesueshme, bëjnë që meshkujt shqiptarë të unifikohen nga ana e veshjes." Ai preferon të largohet sa më shumë nga tendencat e momentit, duke preferuar të vishet me origjinalitet, e jo me imitime.