Moda nuk është vetëm për 20 vjeçaret dhe këtë gjë na e vërteton 44 vjeçaria Ilda Tafaj

+

ildada

Nga: Santana Çomora Fotografia: Armand Habazaj

Nëse nëpër rrjete sociale jemi mësuar të shohim vetëm vajza të reja, të cilat në njëfarë mënyre bëjnë dhe modën e rrugës “teknologjike”, mes tyre do t’ju ketë rënë në sy edhe një zonjë, e cila ka një stil të sajin, plot klas e trend për moshën që ka. Ilda Tafaj është 44 vjeçe e nuk i trembet numrave, madje në këtë moshë ndihet jo vetëm e pjekur, por edhe më e lumtur për ta shijuar stilin e saj, sipas mënyrës së saj. Që në momentin e parë që e takon, ajo të ofron shumë energji, e këtë pozitivitet di ta përcjellë çdo ditë me pamjen e saj.

Në fakt, kur arrijmë te mosha 40-vjeçare, të gjithë mendojmë se gardëroba jonë duhet të ndryshojë. Të jetë pak më serioze, të ketë më shumë kostume, e ngjyrat të mos jenë shumë të ndezura, por, ditët e sotme na lejojnë të kemi një pamje pa moshë. T’i kushtojmë rëndësi asaj jo vetëm në mënyrën sesi mbahemi, por edhe në mënyrën sesi kujdesemi për veten. Moda nuk është vetëm për 20 e 30-vjeçarët, por për të gjitha moshat. Rëndësi ka të kesh stilin tënd dhe mund të luash shumë mirë me tendencat e fundit, duke i përshtatur edhe me vitet që mban mbi supe.
Kjo është diçka e bukur, sepse, sot, një pjesë të mirë të femrave në këtë moshë i sheh gjithmonë e më të mbajtura. Kanë një elegancë të kuruar në çdo detaj. Sekreti i Ildës është se ajo di t’i japë jetë veshjes së saj, duke luajtur guximshëm me ngjyrat. Ajo i dashuron ato dhe mendon se janë vitaminat më të shëndetshme, që i bëjnë mirë në çdo stinë të vitit. Një detaj tjetër që bie në sy janë kombinimet e disenjove të ndryshme brenda një veshjeje. Ilda guxon si me ngjyrat, ashtu dhe me printet. Në përgjithësi, ajo di të ndërthurë mjaft mirë klasiken me modernen, për të qenë sa më trendi. Adhuron aksesorët, pa të cilët mendon që një veshje nuk do të ishte e plotë.

ildabujur
Adhuruesja e modës është dhe nënë e një vajze adoleshente e ajo përpiqet që edhe e bija, dalëngadalë, të ketë një stil të sajin.

“Mbi moshën 40 vjeç, normalisht që gjërat ndryshojnë. Të tjera gjëra pëlqen, të tjera kërkon, por, të them të drejtën mendoj se stili, nëse e ke një të tillë, vetëm perfeksionohet”.
Mund të themi se kjo është mosha më delikate për një femër, në lidhje me modën, sepse jo vetëm që ka disa kode për t’u mbajtur, por duhet të ruajë edhe ekuilibrat, për t’u dukur sa më fisshëm. Ildës i pëlqen të veshë fustane të gjata, me disenjo ose jo, duke i shoqëruar me xhaketë xhinsi ose lëkure. Kështu thyen klasiken me modernen. Pantallonat me bel të lartë, të kombinuara me bluza sportive, qoftë edhe oversize, e tregojnë gjithmonë e më të re. Ilda guxon vazhdimisht. Është ndër femrat e pakta që ka kombinuar katër apo pesë ngjyra njëherësh në një veshje.
Të mbahesh tregon feminitet. Të kesh stil është diçka më shumë dhe duhet të të vijë së brendshmi dhe natyrshëm.

Moda është një pafundësi fantazie. Nëse keni një çantë të tillë vere, mos e hidhni! Ajo mund ta bëjë pamjen tuaj akoma më të këndshme dhe unike.

Të vishesh bukur e të kujdesesh për veten nuk është asnjëherë kohë e humbur, por, kjo nuk mjafton! Shtojini çdo ditë një dozë buzëqeshjeje në fytyrë dhe asnjë s’do t’i shohë shenjat e moshës tek ju. Mos harroni, ngjyrat janë jetë!

Në fakt, kjo është dhe filozofia e saj e jetës. Ajo dashuron çdo gjë të bukur e këtë arrin ta transmetojë shumë mirë në artin e saj të të veshurit.

ilflkde

Sugjerime
Për një mbledhje pune
E para që më vjen në mendje është këmishë e bardhë, pana ose pastel me pantallona, por, nëse do të vishja kostum po me pantallona, një (bluzë të thjeshtë) t-shirt nga brenda, do të ishte ideale. Kjo veshje nuk tregon moshë.

Për një koktej me shoqet…
Fustan. Jo të ngjitur pas trupit, sigurisht… Diçka të derdhur, të gjatë, femërore dhe me ndonjë aksesor në kokë.

Për një darkë
Fustan i zi, i pagabueshëm. I shoqëruar me perla në qafë ose vëthë që mund të mos bien shumë në sy.