Në botën e yjeve të Katerinës, njihuni me vajzën e "Tring Stars"

+

katerinater

Ekaterini Trungun, mund ta quajmë me plot gojën vajzën fatlume, që falë aftësive dhe ambicieve ka ditur t’u shkojë pas ëndrrave të saj. Lindur dhe rritur në Athinë, kthimi në Shqipëri do ta ulte që të vogël pranë mikrofonit të Radio Tiranës, ku do të drejtonte programe që kishin lidhje me muzikën dhe legjendat e këngës ndër vite. Në vegjëli, ka pasur pasion të drejtonte “spektakle”, duke bërë rolin e prezantueses me shoqet e pallatit. Me një zë mjaft melodioz e shumë të veçantë, ajo ra në sy shumë shpejt dhe u përzgjodh si zëri zyrtar i disa radiove në vend. Për dy vite me radhë ka qenë dhe imazhi i “Dormeo”-s.
Ardhja në Tring shënoi një etapë të re në jetën e saj, siç thotë vetë ajo:
Kam filluar të buzëqesh më shumë në Tring.
“Tring Stars” është programi që e bëri të njohur edhe përtej ekranit të Tring Digital (kanali Jolly HD). Ajo që u vu re, ishte se edhe në Youtube ky lloj formati u prit mjaft mirë. Çdo ditë e më shumë kishte klikime dhe komente dashamirëse për programin dhe mënyrën se si ajo prezantonte yjet e kinemasë botërore.
“Tring Stars” është një emision i formatit shoubiz, me informacione mbi yjet e televizionit. Në fokus të tij janë aktorët e serialeve turke, të rejat mbi jetën e tyre private, lajmet më të fundit, pamje nga regjisorët, paparacët, por edhe nga vetë ata. Njëkohësisht, pjesë e këtij programi janë dhe artiste shqiptarë, në ndjekje të ngjarjeve të veçanta të jetës së tyre artistike e jo vetëm.

latker
Në ambientet tona të punës, e thërrasim Kati dhe ky emër i shkurtuar i rri mjaft mirë, pasi ajo ka një lidhje të fortë me macet. Ardhja në Tring për të ishte një dëshirë e ushqyer që në vegjëli për të qenë prezantuese. Eksperiencat e mëparshme e kishin përgatitur të përballonte projekte më të mëdha: “Jam e lumtur që jam pjesë e një stafi ku vërtet buzëqeshet. Kjo ma lehtëson punën dhe më shton dëshirën për të dhënë sa më shumë nga vetja. Besoj shumë te fati dhe energjia. Gjërat vijnë atëherë kur duhet. “Tring Stars” erdhi papritur, ishte një propozim që m’u bë nga Tring dhe nuk ngurrova të pranoja menjëherë. Kalova provën me sukses dhe projekti i radhës në këtë platformë m’u besua mua. Më dhuroi shumë lumturi dhe prej disa muajsh, ky emision dhe unë, rritemi bashkë. I ndjek telenovelat turke, sepse më pëlqen shumë regjia, efektet dhe aktrimi, sidomos aktorët turq. Janë realizime shumë të mira. Tani, edhe prej punës, nuk më shpëton asgjë prej tyre. Më pëlqejnë shumë serialet “Dashuri me qira” dhe “Dashuri e pafund”. Janë dy seriale pak të ndryshëm nga njëri-tjetri, por po aq tërheqës për subjektet intriguese të tyre. Telenovelat të rrëmbejnë. Historitë që përcillen, të bëjnë për vete dhe nuk është shumë e vështirë t’i pëlqesh. Nga ana tjetër, lajmet rozë i pëlqejnë të gjithë. Personalisht, për të realizuar një puntatë, më duhet të kërkoj shumë, të zgjedh mes lajmesh. Me shoubizin turk fillimisht pata vështirësi për t’u mësuar emrat, pastaj ç’kishin bërë deri në atë moment, në mënyrë që të njihja profilin e tyre. Por u mësova. Tani më vijnë më shpejt në mendje emrat e tyre të vërtetë, sesa të personazheve që interpretojnë në seriale.” Është ende duke ngjitur shkallët e karrierës. I pëlqen t’i ngjisë ngadalë, në mënyrë që të përthithë sa më shumë përvoja të mira pune. Kati ka ëndrra të mëdha, ambicie dhe mbi të gjitha dëshirë për të punuar fort. Në të ardhmen e sheh veten në një emision pasditeje. I pëlqen ky format televiziv, sepse i pëlqen të ndajë përvojat jetësore të të tjerëve, me të ftuar në studio, gatime e lifestyle.
“Besoj se do të vijë një çast kur me shumë punë, do ta shoh veten në studion televizive të ëndrrave të mia.” Dhe ne këtë gjë ia urojmë me shpirt!
Nga Santana Çomora | Fotografia: Endrit Mërtiri