Nga pasioni për muzikën e modelingun, moderatorja e sportit në Tring na tregon të gjithë “golat “ Extra të saj

+

mikaelele

Nga : Santana Çomora  Fotografia : Armand Habazaj

“Extra Time është tingulli i parë i një melodie shumë të bukur që do të dëgjoni në vijim” – thotë imazhi më i ri sportiv në Tring, Mikaela Brokeri. Sporti është dashuria më e re e saj, pasi që e vogël ajo është marrë me art, por propozimi i ardhur nga Tring për startimin e një programi të ri sportiv, i riktheu edhe njëherë dëshirën për të dalë në ekran. Mikaela është një vajzë plot dëshirë për të punuar e për të sprovuar gjëra të reja, edhe pse deri më parë nuk kishte patur ndonjë lidhje me sportin e mbi të gjitha me futbollin. Ashtu, si të gjithë ne dhe ajo ka skuadrën e zemrës, por kurrë nuk e kishte menduar që bashkë me një grup profesionishtësh si Ervin Nikollën dhe Alpin Gallon në studio do analizonte ndeshjet e kampionateve kryesore të futbollit, UEFA Champions League, Kupës së Mbretit, kampionatit portugez, belg dhe atij skocez. Fillimi i javës është shumë domethënës për të, sepse takimi me adhuruesit sportiv starton në orën 20:00 në ekranin e Tring Sport 1 HD dhe ajo është tërë kohës duke mbledhur informacionet e duhura, duke lexuar e theksuar mirë emrat e skuadrave dhe lojtërave e duke u njohur me fakte sportive dhe analiza të ndeshjeve të fundjavës. Extra Time erdhi në momentin e duhur në jetën e saj, pasi tashmë formimin si moderatore në ekrane të mëparshme e kishte kaluar, thjesht i duhej kohë që të njihej me një fushë, për të cilën kishte bërë tifo vetëm nga ekrani. 

miakekew

“Isha dhe jam shumë entuziaste për këtë program që prej herës së parë që më kanë folur për të. Kam menduar se është një sfidë e re dhe mbi të gjitha është diçka prej së cilës do më duhej realisht të punoja me veten për të nxjerrë më të mirën. Ishte momenti i duhur, për të ardhur ndryshe në ekran dhe për të kaluar disa "kufijë" që i kisha vënë vetes për shkak të formimit artistik”.
Duke qenë e angazhuar gjithë kohës në art, koha për të ndjekur sport praktikisht ishte e pamundur të gjendej për të.
“Nuk mund të luaja ashtu si bashkëmoshatarët e mi, sepse mund të dëmtohesha. Ashtu siç dëmtohen sportistët në fushë, ashtu mund të dëmtohen edhe instrumentistët gjatë një loje amatore. Kështu që ishte territor i ndaluar që prej fëmijërisë “- kujton ajo.
Nëpër zyrat e Tring-ut, Mikaelën e shikon duke u marrë jo vetëm më ndeshje apo gjëra që lidhen drejtpërdrejtë me Extra Time, por edhe me çdo gjë që ka lidhje me botën e sportit tashmë i tërheq vëmendjen. Më shumë sesa futbolli ajo është fanse e sporteve ekstreme e tifoze e zjarrtë e skuadrës angleze Liverpool, për të cilin nuk lë rast pa i mburrur edhe gjatë emisionit.
Në fakt, ardhja në Tring nuk shënoi vetëm një fillim të ri në jetën e saj profesionale, por edhe njohja me njerëz të rinj e mbi të gjitha të punonte me një staf të drejtuar vetëm nga meshkuj, ishte diçka e re për të. E konsideron veten me fat dhe ndihet e përkëdhelura e grupit:
“Edhe pse ka shumë paragjykime rreth të punuarit vetëm me meshkuj, besoj se personat që e paragjykojnë këtë gjë nuk kanë patur të bëjnë ndonjëherë me një staf vetëm me femra. Di të them që i jam mirënjohëse secilit prej tyre, pasi përveçse janë tepër profesionistë, mbi të gjitha duhen vlerësuar si njerëz me shumë virtyte”.
Jo vetëm ambienti dhe lloji i punës ka ndryshuar për të, por edhe fillimi i ditës është ndryshe. Që me ardhjen në mëngjes në punë, e para gjë që bën është leximi i të githa burimeve të lajmeve sportive dhe rozë.
Në vitin 2009 në konkursin e modelingut ajo fitoi çmimin Super Model of Albania 2009 e një vit më pas rrëmbeu dhe kurorën si Miss Fotozhenia dhe Kinematografia. Gjatë kësaj kohe iu dhanë mundësira të shumta për ta zhvilluar këtë profesion edhe jashtë kufijve, por nuk ishte ajo që donte të bëntë në fakt. Modelingun e nisi e më shumë e shtyrë nga motra :
“Realisht, nuk e shikoja kurrë veten si një modele e madje as si një vajzë të bukur. E kam provuar thjesht për eksperiencë dhe qëlloi që vendet ku konkurova kishin të njëjtin mendim si motra ime dhe jo si unë. Pra, arrita të rrëmbej disa nga çmimet më të mira. Ndër kënaqësitë që mund të përmend, për mua kanë patur më shumë vlerë fakti që kam takuar dhe punuar me artistë të vërtetë si Fadil Berishën, Edvina Metën apo Geljant Kalecin. Mendoj se njohja, punët me ta dhe marrëdhënia që kam krijuar tashmë prej gati 9 vitesh është gjëja më e mirë që më ka dhuruar modeling “.

Në Tring, ajo mendon se ka gjetur ambjentin ku mund të ndihet komode për të bërë atë që do. E vetmja gjë që ka ndryshuar, është shtimi i energjisë positive, që e rrethon çdo ditë dhe i jep impulse të reja për të qënë e qetë dhe sa më e sigurt në Extra Time.