Një pjatë makarona nga duart e Gjergj Lekës në bahçen e tij të fshehtë

+

kushznigjer

Në parkun që pushtuan miqtë

Living, Fotografai Armand Habazaj

A e dini se sa kohë mund të kalojnë artistët me njëri-tjetrin, nëse mblidhen për një drekë? As ata vetë nuk e dinë. Mes bisedash të gjata dhe shishesh vere, mëngjesi mund të zbardhë shumë shpejt. Më mirë se të tjerët, këtë gjë e di kantautori Gjergj Leka. Për rehatinë e tij dhe të miqve, ai gjeti në Tiranë një nga vendet që nuk janë prekur endenga zhurmat, për t’i kaluar orët ashtu siç do e siç di ai vetë.

Për të mbërritur në bahçen e Gjergj Lekës, nuk ke nevojë t’i telefonosh disa herë që të sigurohesh se po shkon në drejtimin e duhur. Në fund të rrugës së Liqenit të Thatë, në të majtë, hapësira e rrethuar me gardh druri, të fton vetë. Ende pa zënë vend mirë pranvera, toka është e mëdyshur, diku e thatë, diku me njolla shiu. Atje, pemët janë në rehatinë e tyre, nuk e kanë me ngut dhe nuk gënjehen që me rrezet e para të marsit. Ato çelin lule kur të vijë koha. Edhe kodra përreth nuk i lë të entuziazmohen menjëherë, si pemët e tjera në qytet, por i ruan brenda një hijeje të qëndrueshme, trazuar me diell, që lulëzimi të jetojë më gjatë. Gjergji e di këtë dhe nuk shqetësohet fare se pse toka që ka marrë me qira, nuk ka shpërthyer ende në gjelbërim. “Kur të vini pak kohë më vonë, do ta shihni që ka marrë një pamje krejt tjetër. E gjithë kodra gjallërohet, pemët në bahçe rëndohen nga frutat. Mes tyre, mbjellim edhe zarzavate”, - tregon Gjergji, duke drejtuar duart nga të katër anët e parajsës së tij në tokë. Kur bahçja gjelbërohet e tëra, miqtë e tij dynden pa pyetur nëse është mëngjes, drekë apo darkë, e I “zënë” derën. Ajo është shtëpia e të gjithëve dhe nëse nuk je i ngeshëm për të kaluar orë të tëra, më mirë mos u nis fare. Aty mund të shkosh edhe vetëm. “Nëse grindeni me miqtë a të dashurit tuaj atje poshtë, në qytet, ejani këtu. Do të më gjeni gjithmonë”, - na thotë Gjergji teksa drejtohet për nga pjesa dimërore e lokalit. Mjafton të kapërcesh rrugën, pa pasur nevojë të shohësh majtas-djathtas për t’u ruajtur nga makinat, dhe menjëherë e gjen veten në hapësirën e lartë me tre-katër tavolina, ku Gjergj Leka gatuan gjatë dimrit. Nëse prisni të gjeni ndonjë piano a kitarë, hiqni dorë! Ai nuk është aty për të ushtruar profesionin e tij. Kokëkrisjen e pati për të vënë në jetë pasionin.

AHP 0283

Një pjatë makarona nga duart e Gjergjit

Pasta dhe paçe. Këto dy pjata nuk mungojnë asnjëherë në kuzhinën e tij. Ai kujdeset që të zgjedhë produktet më të mira, që edhe shija të jetë e pakrahasueshme. “Nuk e kam gjithmonë të lehtë. Një pjesë të mirë të produkteve, duhet t’i porosis në Itali. Pavarësisht nga etiketat, nuk iu besohet produkteve që vijnë këtu. Tani më kanë sjellë ca salsiçe të freskëta dhe do t’ju gatuaj me to ca bukatini (lloj makaronash të gjata, më të trasha se spagetit) me salsiçe. Salcën bazë e kam gati, sepse e përgatis në temperaturë të ulët, për disa orë. Të njëjtën procedure ndjek edhe me paçen. Për ta bërë, jam lidhur me njerëzit e duhur që më sigurojnë këmbët e viçit. Vetëm prej tyre mund të bëhet paçja e vërtetë.” Ndërsa futet nëpër tiganë, Gjergj Leka vazhdon të na flasë për përvojat e tij kulinare. Jetesa në Itali për një kohë të gjatë i ka shërbyer që të bëhet mjeshtër i makaronave. “Megjithatë, gatimi është pasion. Nëse nuk e ke, përpiqu sa të duash, nuk do të shkosh
shumë larg. Nëse nuk e do, nuk do të japësh asnjëherë shije të mirë, si të gjitha gjërat e bëra me sforco.” Ora nuk ka shkuar ende 13:00 dhe pjatat janë pothuajse gati. Gjergji është mësuar të drekojë herët, sepse nuk i dihet se kush mund të “mbijë” në derë, si zakonisht, pa njoftuar, e atëherë duhet të gatuajë për të tjerët. Tani e ka më të thjeshtë, por sapo temperaturat të ngrohen, do t’i duhet të merret me hellin, me mishin e pjekur e me gjithë menunë e ushqimeve që shtohet gjatë verës. Për verën apo rakinë, mos pyesni fare, sepse aty është gjithmonë më e mira, nga ajo e bërë vetë, për merak, në shtëpi. Një shijues i mirë si ai nuk mund të gabojë në këtë pikë. Fundja, është melhemi i tryezave që presin me të qeshura agimin. “Në bahçe, edhe gjatë verës, në temperaturat më të nxehta, nuk mund të rrish pa një triko a xhaketë. Është gjithmonë freskët. Ajri i pyllit jo dhe aq të dendur, që gjendet në krah të tavolinave, i merr vizitorët me të mirë, prandaj edhe ata harrojnë të largohen. Tashmë, shtëpia është bërë edhe hotel. Pas një ore këtu, humbet edhe numërimi i gotave, kështu që nuk mund t’i lë miqtë të ngasin makinën. Edhe ata e dinë këtë, prandaj nuk e vrasin mendjen. Për këtë komoditet, ka meritë edhe Eri, që na duron, por ky ishte koncepti i këtij biznesi: rehati e kënaqësi,” - thotë Gjergji, pa e kthyer kokën nga e fejuara, si të ishte një bisedë që tashmë është konsumuar dhjetëra herë… Eri u mjaftua me një buzëqeshje (sepse në sy të mikut, partneri nuk “shitet”) dhe me një pjatë makarona që i shijoi sa më s’ka. Bezdia që mund t’i krijohet në ndonjë situatë, kompensohet me shijen e mirë në tryezë a gjëkundi tjetër…

AHP 0292
Bahçja e Rrem Sinës
Gjergj Leka nuk ishte në kërkim të ndonjë vendi të përshtatshëm ku të ngrinte restorantin, mirëpo, kur i ra rruga nga Liqeni i Thatë, vendi ku ka mësuar notin që fëmijë, e ndau mendjen aty për aty. Bahçja e Rremës do të bëhej e tija dhe e miqve të tij. “Nuk mendohem gjatë për t’i bërë gjërat. Nëse më shkrep diçka në kokë, e bëj! Ashtu ndodhi edhe me restorantin.” Ai bisedoi me të birin e Rremës (ai vetë nuk jeton më) dhe ranë menjëherë dakord. Madje, i kërkoi atij që të merrej edhe me rregullimin e bahçes. Vreshtat ishin të mbjellë dhe vetëm duheshin krasitur në mënyrë që të krijohej ai tuneli I gjelbëruar nga gjethet e hardhive gjatë verës. Koteci i pulave ishte gjithashtu aty, vetëm se i duhej dhënë një pamje tjetër. Puna më e vështirë dhe që zgjati më shumë, ishte hapja e pusit. Tavolinat e drunjta që janë vënë në një qoshe të bahçes, ishin gati: duhej të vinin vetëm miqtë… Aty është ndërtuar edhe një skenë e vogël, sa për të mos ndrydhur dëshirat o shpërthimet e ndonjërit që, pas të disatës gotë, bota i duket aq e bukur, sa duhet t’i kushtojë patjetër një këngë! Vetëm kështu, agimi vjen shumë shpejt…