Një shëtitje në Shkodër, nëpër kujtimet e Rosela Gjylbegut

+

rorosellsagjylb

Nga Gentian Minga, Fotografia Armand Habazaj, Fashioin editor Miranda Dupi, Hair&make up Gresa Kotri

Disa nga bukuritë e Shkodrës, që nga pedonalja e deri te Rosela Gjylbegu, në një shërbim unik fotografik, të realizuar nga Living. Mirë se vini në qytetin e liqenit, kalasë së Rozafës, krapit, “Mos të hyptë vedi në qejf”-it, pedonales dhe maskave veneciane... Kjo është Shkodra, maj ta marrsha!

Këtë herë, për të vazhduar rubrikën tonë,”Living the city” zgjodhëm Shkodrën, e cila dikur ka qenë një kryeqendër për shqiptarët. E njohur për historinë, kulturën, tregtinë dhe si një qytet i madh dhe i zhvilluar, sado që kohët të kenë ndryshuar, ajo e ruan në njëfarë mënyre madhështinë e saj. Nuk mund të zgjidhnim si përfaqësuese të këtij qyteti përveç këngëtares së talentuar, Rosela Gjylbegu. Ne vizituam me të disa nga pikat simbolike dhe domethënëse të qytetit në veriperëndim të Shqipërisë, duke marrë pak nga shija, kultura dhe traditat e bukura të zonës. Rosela nuk është nga ato personazhe të lehta, që i thonë “po” çdo ftese nga mediet, mirëpo ajo iu përgjigj menjëherë pozitivisht dhe shumë entuziaste ftesës sonë. Madje u lumturua që do të ishte në qendër të një editoriali për “Shkodrën loce”. Siç thotë vetë ajo, i detyrohet vendit që e lindi dhe e rriti, pasi aty u formua si njeri dhe si artiste, mori edukatë, dashurinë për të bukurën, natyrën dhe muzikën. “Ka 12 vjet që jetoj në Tiranë, kam mall për shtëpinë time të madhe, për oborrin, natyrën e bukur dhe ajrin e pastër të Shkodrës. Kam mall për ditët kur mblidheshim në shtëpitë e kushërinjve të mi”, thotë Rosela, e cila është larguar prej këtu që në moshën 18-vjeçare. Gjatë ecejakeve nëpër qytet, na u dha rasti të kalonim edhe nga shtëpia e saj përdhese dhe në sytë e njomur të artistes e në zërin paksa të dridhur, kuptuam se u prek shumë kur e pa atë vend që i solli aq shumë kujtime. Ka shumë për thënë për Shkodrën, qytetin e artit, biçikletave, së folurës karakteristike, historisë, humorit dhe krapit. Fotografitë u realizuan në një ditë krejt të çuditshme, e cila nisi me diell dhe e freskët, por e bukur. Diku nga mesdita, papritur qielli u mbyll nga re gri dhe nisi të binte një shi i imët. Ajri u ftoh shumë dhe era që nisi të frynte ndihej veçanërisht buzë liqenit dhe në majë të kalasë së Shkodrës. Por, duke nisur që nga Rozafa, Shkodra shquhet për gratë e sakrificës, kështu që Rosela, për hir të dashurisë që ka për vendlindjen, e çoi deri në fund këtë editorial plot shije dhe elegancë, të realizuar me mjeshtëri nga fotografi Armand Habazaj.

rosollgjylb

Nuk mund të vish deri në Shkodër dhe të mos ngjitesh në Kalanë e Rozafës. Ajo vlen të vizitohet jo vetëm prej legjendës së famshme që ky vend ka pas krahëve, por edhe për bukurinë. E njohur ndryshe edhe si Kështjella e Rozafatit, ajo është pa dyshim një nga shtyllat e identitetit të qytetit. Kalaja është ngritur mbi një kodër shkëmbore në
hyrje të qytetit. Mbi faqet e pjerrëta të kodrës, ngrihen muret rrethuese, të cilat zënë një sipërfaqe prej rreth nëntë hektarësh. Si qendër e fortifikuar ilire përmendet për herë të parë gjatë sundimit të mbretit Gent dhe historiani Tit
Livi e quan “vendi më i fortë I labeatëve”.

AHP 9593

Pedonalja e Shkodrës. Ajo është e bukur në vetvete, por atë ditë kishte edhe shumë atmosphere për shkak të ndeshjes Kosovë- Kroaci. Baret, “fast food”-et dhe restorantet e pedonales u mbushën me tifozë kosovarë, të cilët këndonin dhe krijonin kësisoj një atmosphere fantastike. Në këtë rrugë të famshme të qytetit, ka gjithashtu shumë hostele të këndshme, të cilat na erdhi mirë që ishin të mbushura me turistë. Të rinj, burra e gra i shihje ngado me biçikleta, sepse jo më kot ky është quajtur qyteti i tyre. Fotografi Armand Habazaj zgjodhi të shkrinte ëmbëlsinë e Roselës me arkitekturën unike të ndërtimeve në Pedonale.

AHP 9484

Shiroka, një nga pikat më të njohura turistike jo vetëm për shkodranët, por edhe për zonat përreth. Shiroka dikur ka qenë një vend shumë më ideal për pushime, plazh dhe banjë dielli, por mbi të gjitha si parajsa e peshkatarëve. Ata ende vazhdojnë të dalin sot me varkat e tyre dhe të kapin krap për restorantet e zonës, por shprehen se peshku sa vjen dhe pakësohet. Udhëtimin e mbyllim pikërisht në një restorant në Shirokë, ku krapi është kryefjala e tavolinës dhe pikë muhabetit i vendos ëmbëlsira tradicionale, tespixhja.