Njihuni me Ledjonin, një artist në kuzhinë

+

ledidg

Ledjoni është një djalë që di të tërheqë vëmendjen krejt natyrshëm, pa u sforcuar. Ai u bë mjaft i famshëm në programin “Blind Taste 2” jo vetëm se fitoi konkursin, por për humorin që e karakterizon dhe situatat e këndshme që krijonte në kuzhinë. Me natyrën e tij të çlirët e plot energji, Ledjoni u shndërrua në personazhin kryesor të sezonit të dytë të “Blind Taste”-it. Pak muaj më vonë, në nëntor, ai do të shfaqet në “Tu si que vales” me një performancë mbresëlënëse, dhe kjo jo se përgatiti ndonjë recetë të rrallë si shef kuzhine, që të na befasonte, por se iu desh vetëm një përbërës, mielli, që kjo mbrëmje të merrte ngjyra të tjera. Veprimi i tij, duke i mbuluar me miell moderatorët dhe anëtarët e jurisë, shkaktoi humor dhe shumë të qeshura në sallë. Me aftësinë për të krijuar situata humoristike, Ledjoni tregoi se mund të fitojë jo vetëm një konkurs shijeje, por mund të pretendojë edhe një konkurs spektakli. Ledjon Malo është një shef kuzhine me profesion, që adhuron dritat e skenës, kinematografinë, ekranin dhe kur këto dy pasione bëhen bashkë, ai është thjesht i papërmbajtshëm dhe i paparashikueshëm.
Ledjoni është vetëm 25 vjeç, por ka gati një dekadë që punon në kuzhinë. Fillimisht, punën në kuzhinë e ka nisur duke larë pjata, por shumë shpejt ia doli të merrte kapelën e shefit në restorante të ndryshme të qytetit të Vlorës, dhe kjo falë punës e përkushtimit të tij! “Fillimisht, nisa të punoj gjatë muajve të verës në një restorant në Vlorë. Laja pjata, por, gjatë gjithë kohës, sytë i kisha nga shefi i kuzhinës, ama, edhe pse nuk e kisha mendjen aty, pjata nuk thyeja kurrë. Shumë shpejt, u bëra ndihmëskuzhinier, ku duhej të bëja gati përbërës të ndryshëm, si dhe të pastroja peshkun. Kushedi sa herë më janë ngulur halat e peshkut në duar dhe ndieja aq shumë dhimbje, sa më dilnin lot nga sytë, por prapë nuk dorëzohesha. Kur shihja pjatat që përgatiste shefi ynë, e dija se çfarë dëshiroja të bëja në të ardhmen, prandaj bëra kursin e kuzhinës.” Në kurs, ai mësoi edhe më shumë rreth gatimeve të detit, si dhe eksperimentoi recetat e tij origjinale. Por Ledjoni kishte edhe një pasion tjetër, artin, dhe nëse i përkushtohej vetëm kuzhinës, i dukej sikur i mungonte diçka, sikur kishte humbur një pjesë nga vetja, prandaj kurrsesi nuk mund ta linte pas dore edhe këtë pasion. Kështu, hapi një agjenci për organizimin e evenimenteve.
“Kam punuar disa vjet në Vlorë, në një restorant, si shef kuzhine dhe ndërkohë, së bashku me një shokun tim, hapëm një agjenci evenimentesh, ku unë jo vetëm që kujdesesha për ushqimin dhe detajet për një festë të përsosur, por vishja maskota që të krijoja më shumë atmosferë, sipas rastit. Kanë qenë të shumta evenimentet që kemi organizuar dhe në shumë prej tyre unë kam dalë në skenë, kam improvizuar dhe kam bërë spektatorët për të qeshur. Kjo është diçka që më vjen natyrshëm, pa skenar; kështu jam edhe në kuzhinë.” Dhe kjo është më se e vërtetë. Këtë e pamë edhe në “Blind Taste”: teksa gatuan, ai bën humor, ia merr këngës, kërcen, bën spektakël me mjetet e punës dhe, ndërkohë, në shumë pak kohë, ia ka dale të përgatisë recetën plot shije. Prej disa muajsh, Ledjoni i është bashkuar stafit të kuzhinës të restorantit “Living” te “Galeria ETC ”, ku përgatit të gjitha specialitetet e tij. Por kjo nuk është e vetmja kuzhinë “Living” në të cilën ai performon. Duket se ekrani e do Ledjonin po aq sa edhe ai e do ekranin. Recetat e tij të kripura, deti e toke, por edhe të ëmbla, ai i përgatit në kuzhinën e shtëpisë “Living” (kanali LIVING HD) dhe ju fton të gjithëve të mbani shënime dhe t’i përgatisni edhe ju këto receta për të dashurit tuaj.