Më në fund, Leo e ndan mendjen për t’u martuar, prezanton modelen 25 vjeçare me të ëmën!
Për shumë vite, Leonardo DiCaprio ka qenë një nga beqarët më të lakmuar, por më në fund duket se ka një fitu...
NGA BRUNILDA LAHE FOTOGRAFIA: MEDEA MILO
PËRGJEGJËSIA E TË QENIT NËNË NDODH TË PËRJETOHET EDHE SI NJË SITUATË QË TË MBYLL DISA DYER NË JETË. BEKIMI ME NJË FËMIJË MUND TË NDRYSHOJË GJITHÇKA, POR ËSHTË E SIGURT QË ÇDO GRUA, PAS KËTIJ MOMENTI ËSHTË SHUMË MË E REALIZUAR SESA KA QENË MË PARË.
Mëmësia nuk bëhet vetëm. Më mirë se kushdo tjetër, këtë e di një nënë e re, e cila pasi ka pyetur gjithë gratë e rëndësishme e të afërta në jetën e saj apo ka lexuar literaturë për të sapolindurit, e gjen veten përballë të panjohurave kur fëmija i saj vjen në jetë. Por, me këto dyshime, nëse po veprojnë ose jo në mënyrën e duhur, jetojnë edhe nënat që pas disa vitesh distancë i japin jetë fëmijës së dytë apo të tretë. Shpesh u duket sikur eksperienca e fëmijës së parë nuk po u vjen aspak në ndihmë ose koha i ka bërë të harrojnë detajet për përkujdesjen ndaj të voglit/ ës. Është fakt: pas lindjes së fëmijës, jeta e një gruaje ndryshon plotësisht. Shtohet gëzimi, por shtohet edhe lodhja. Një nënë në karrierë ka një sfidë edhe më të madhe: duhet të rrisë fëmijët dhe kësaj t’i bashkëngjitë edhe rritjen e rezultateve në punë. Kjo është një sfidë e përditshme që nëse mëson ta bësh si duhet, të zbukuron jetën. Në jo pak raste gruaja fokusohet 99 për qind te roli i saj si nënë dhe 1 për qind te vetja apo gjithçka tjetër që e rrethon. Edhe pse nuk ka receta të shkruara se si të kujdesesh për fëmijën dhe veten në të njëjtën kohë, shembujt frymëzues nuk mungojnë. Bona Miekley është nënë e tre fëmijëve të quajtur Sarah, Joanna dhe Ben. Kur solli në jetë të birin, vajzat ishin në moshë parashkollore. Lumturia e të pasurit një familje të madhe, solli edhe sfida për të dhe bashkëshortin Joshua. Ata jetonin në Amerikë. Ndërsa Joshua punonte me orë të gjata, Bona kujdesej për të vegjlit. Ndonëse po ndihej gjithmonë e më e izoluar dhe e lodhur, shqetësimi më i madh i saj ishte shëndeti i të voglit, i cili kishte vështirësi në frymëmarrje. Në një moment të tillë ngarkese emocionale në ambientet e spitalit, ajo njohu një zonjë, e cila jo vetëm e mbështeti, por e prezantoi me një komunitet nënash, të cilat i ndryshuan jetën përgjithmonë. Ishte organizata “Mothers Of Preschoolers- MOPS”, që do të thotë “Nëna të fëmijëve parashkollorë”. Që kur shkoi për herë të parë në takimet e tyre, jeta e saj ndryshoi. Kur dyert e vendit të takimit u hapën dhe një nënë e ndihmoi, duke i marrë çantën ku Bona kishte futur gjithë ushqimet e veshjet e nevojshme për tre fëmijë, ajo u ndje e lehtësuar dhe menjëherë e kuptoi se i përkiste atij komuniteti. U ndje e përkrahur, e mbështetur, e dashur dhe e vlerësuar nga nëna që ndanin të njëjtat përvoja.
Këtë experience jetëndryshuese Bona vendosi ta sillte edhe në Shqipëri, për të mbështetur dhe fuqizuar nënat shqiptare, për t’i ndihmuar të kuptojnë potencialin e tyre si femra, nëna, bashkëshorte dhe profesioniste. Tanimë, Bona dhe familja e saj jetojnë në Tiranë prej katër vitesh dhe gjatë kësaj kohe, qindra nëna me fëmijë në moshë parashkollore janë bërë pjesë e kësaj përvoje të mrekullueshme. Pikërisht në këtë moshë të fëmijëve, MOPS ka në qendër nënën, dilemat, mërzitjet dhe sukseset e saj. Ndonëse këto zonja nuk e njihnin më parë njëra-tjetrën, i bashkoi mëmësia. Tashmë ato janë mikesha dhe kanë gjetur një mënyre origjinale për të kaluar kohë me fëmijët e ndërkohë të shkëmbejnë edhe eksperiencat me njëra-tjetrën. Çdo gjë që bëjnë, e kanë vënë në dispozicion të një jete të shëndetshme. Takimet e tyre zhvillohen në shtëpitë e njëra-tjetrës ose në parqe ku organizojnë piknikë. Këtë herë, piknikun e tyre e organizoi ekipi “Living” me ndihmën e miqve: “Wedding Planners Albania” që na ofroi një tendë të bukur dhe “LeBon”, që na solli ëmbëlsira shumëngjyrëshe dhe shumë të shijshme. Takimet e këtyre nënave nuk kanë për qëllim vetëm argëtimin, por edhe këshillimin. “Si nëna, është e lehtë të pretendojmë se kujdesi ndaj vetes është egoizëm, por duke u kujdesur për veten forcohemi, kështu, jemi më të afta të rrisim sa më mirë fëmijët tanë. Duke i kushtuar vëmendje identitetit, profesionit dhe pasioneve, bëhesh një nënë më e mirë. Nënat nuk duhet të prindërojnë pa mbështetje dhe nuk kanë përse ta kalojnë vetëm këtë sfidë. Ka edhe njerëz të tjerë të rëndësishëm që duhet t’i mbështesin dhe ne nënat duhet ta pranojmë këtë mbështetje nga bashkëshorti, të afërmit, fqinjët, miqtë dhe nënat e tjera. Kjo është thelbësore. Ne ndajmë së bashku shumë tema praktike që kanë të bëjnë me përgjegjësinë e nënës, duke filluar që nga pelenat, ushqimi, disiplina për fazat e zhvillimit, organizimi për mbikëqyrjen e orareve e gjithçka tjetër. Komuniteti i nënave mund të ndihmojë duke dhënë këshilla të vlefshme, pasi një nënë duhet të ndihet e lirë, por që të ndihet e tillë duhet të kuptojë se çfarë e mban të robëruar. Mund të jenë paragjykimet e të tjerëve apo edhe presioni që mban mbi shpinë për të qenë e përsosur në gjithçka. Por duke folur me njëra-tjetrën gjërat bëhen më të lehta. Ne flasim për fëmijët, por i kushtojmë kohë edhe vetes dhe pasioneve tona. Kështu, gjatë takimeve bëjmë punë krijuese, art craft, qëndisma, e të tjera”, - thotë Bona. Kur i njeh nga afër, të lind pyetja: si ia dalin të jenë të lumtura e të përmbushura si nëna, por edhe si profesioniste? Ato tregojnë se kur ballafaqojnë përvojat me njëra-tjetrën, kuptojnë që problemet me fëmijët e tyre nuk janë një rast i izoluar. Bashkëbisedimi me nëna që i kanë fëmijët moshatarë, shpesh i bën të kuptojnë se situatat janë të ngjashme dhe raste të njëjta mund t’i hasësh edhe në derën përbri dhe se ndryshojnë vetëm rrethanat. Kështu, kjo u jep forcë dhe shpresë, se vështirësitë e tyre janë kalimtare. Këto gra i kthyen përgjigje edhe pyetjes sonë: ato ndihen të lira ta jetojnë mëmësinë e tyre, si nëna të përkushtuara që njohin fuqinë dhe potencialin e vetes dhe nuk kanë frikë t’i kushtohen vetes dhe pasioneve në të njëjtën kohë, ashtu si sot, në këtë piknik. Teksa zonjat shoqëronin bisedat me ëmbëlsira, koha fluturoi. Ndërkohë, për fëmijët që tanimë janë bërë shokë me njëri-tjetrin, kujdeseshin baballarët. Ata luanin aq pranë sa nënat t’i shihnin me bisht të syrit, por njëkohësisht aq larg sa ato të vijonin të qeta bisedat e tyre.
Për shumë vite, Leonardo DiCaprio ka qenë një nga beqarët më të lakmuar, por më në fund duket se ka një fitu...
Armokromia është një temë që po thellon kureshtjen e njerëzve çdo ditë e më shumë. Pak e njohin, por shqip...
Nga Lira Gjika Fëmija ka nevojë për nënë dhe baba. Fëmija që të vijë në jetë duhet një mashkull d...