Partnerja e aktorit Artan Imami rrëfen dashurinë, diferencën e moshës dhe pse është kundër martesës

+

arartt

Florenca Bellova nuk e ka bërë asnjëherë më parë publike marrëdhënien e saj me aktorin Artan Imami. As ky i fundit nuk e ka ndarë jetën private me publikun. Sot, të dy bashkë kanë një vajzë 4 vjeçare dhe kanë vendosur të mos martohen! Pse? Florenca na i tregon të gjitha vetë...Si janë takuar, a është problem mes të dyve diferenca e moshës dhe pse kanë vendosur që mos t’iu binden letrave institucionale...

Nga Santana Çomora

Pse kundër martesës ose çfarë është martesa për ju?
Nuk jam kundër martesës, por nuk ndiej nevojën t’i kërkoj një autoriteti civil apo fetar që të ligjërojë juridikisht një marrëdhënie që është krejtësisht private mes dy personave. Nuk jam aspak tradicionale. Për mua familja është gjithçka dhe pikë. Fëmijët, ajo çka ti arrin të ndërtosh, hera-herës me shpirt ndër dhëmbë, duke mos lejuar të tretët që të të thonë nëse po bën mirë apo keq. Për mua, pikërisht ajo familja e ngushtë ka shumë rëndësi, jo familjarët që e rrethojnë. Pastaj, imagjinojeni ç’lodhje burokratike duhet të jetë procesi i divorcit. Ndihesh e zhgënjyer për dështimin e raportit, imagjinoni të merreni edhe me këto të tjerat.

Çfarë është dashuria për ju?
Po thjeshtëzoj gjithçka në dy aspekte në vija të përgjithshme: nga njëra anë kemi atë dashurinë e përjetshme, që sa vjen e shtohet, që nuk preket, atë dashurinë jetësore... Pra, dashuria për time bijë dhe për prindërit e mi. Nga ana tjetër, kemi atë dashurinë që njeh ulje-ngritje, që të bën të dyshosh, që të mbush me gëzim, që të bën të ndihesh edhe mirë, edhe keq, që të fal ndjesinë se je e rëndësishme, por edhe të kundërtën. Pra, diçka që është e rastit, që ka nevojë për punë të vazhdueshme për ta ruajtur, por që njëherazi është po aq e nevojshme.

Si nisi marrëdhënia me aktorin Artan Imami?
Gjatë një raporti, partnerët harrojnë (dhe duhet ta bëjnë gjithmonë) se kush është ai/ajo për të tjerët. Nuk mund të nisësh një marrëdhënie të re duke menduar se çka di apo ç’ke dëgjuar për atë. Ne jemi takuar gjashtë vjet më parë, kur unë erdha me pushime në Tiranë dhe aty lindi gjithçka. Ne njiheshim më herët për arsye të tjera, por unë asokohe isha e vogël dhe nuk më interesonin çështjet e zemrës, ndërsa ai kishte jetën e tij sentimentale. Bashkëjetesa me dikë tjetër nuk shkon gjithmonë fushë me lule. Unë kam jetuar 20 vjet jashtë, e vetme dhe në qytete shumë të mëdha.

A përbën problem diferenca e moshës me partnerin apo tanimë e keni kapërcyer?
Do të thosha që jo. Për mua meshkujt punojnë si një motor që ndizet me vonesë, për rrjedhojë ndryshimi mes nesh është krejtësisht normal. Problemet më të mëdha mund të lindin për divergjenca në stilin e jetës. Për shembull, partnerit tim i pëlqen jeta sedentare, gjë që unë refuzoj ta bëj. I pëlqen të shohë televizor, ndryshe nga unë. Ky po është një problem real, jo mosha. Po më vjen ndër mend një shprehje e Tolstoit: “Ajo çka është e rëndësishme në një martesë të lumtur nuk është nëse keni shumë të përbashkëta, por sa jeni të aftë të menaxhoni ndryshimet mes njëri-tjetrit”.

Nga LIVING