Kategoritë që përfitojnë rritje rroge nga 1 korriku, ja sa do të jetë shtesa
Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë rritje të pagës, duke filluar nga 1 Korriku 2024. E ndërsa paga me...
Alba Malltezi, bashkëshortja e gazetarit italian, Karlo Bolino, themelues i News 24” dhe “A1 Report” zbulon ekskluzivisht për ne anën e saj më “living”. Veranda që e ka shndërruar në një “xhungël”, plot pemë, fruta dhe lule; pasioni për pikturën, leximin, filozofinë indiane të tantra-s, mëmësia dhe të ushqyerit shëndetshëm...
Kam lindur në një shtëpi të madhe private në Shijak, ndërtuar nga gjyshi im me muratorë napoletanë, me një oborr të madh të përbashkët me xhaxhallarët, plot lule e dy pemë portokalli erëmirë. Një nga pemët qëndron para derës së prindërve të mi dhe vazot me lule në çdo cep të oborrit janë pasioni i xhaxhait, mësues biologjie. Edhe brenda në shtëpi kishim shumë lule; kujtoj një lule shqiponje gjigante, që ishte aq e madhe sa çdo Vit të Ri bënim atë si pemë me pambuk e zbukurime. Shtëpia jonë ishte e thjeshtë, por shumë e bukur. Pastaj ishte mësuese Bardha, mësuesja ime e fillores, që kishte si ballkon tarracën e një dyqani dhe sa herë shkonim për ta uruar për 7 Mars, më mrekullonte dhe nuk reshtja së pari pjergullën plot lule dhe atë oazë gjelbërimi të mrekullueshëm që kishte krijuar mbi një dyqan. Besoj shumë se nga fëmijëria jonë mbeten brenda nesh ato që shohim dhe ku jetojmë; që andej vjen dhe dashuria ime për ballkonet me lule sot.
Në vitin 2004, qemë me fat. Kur unë dhe Karlo menduam të blejmë shtëpi në qendër të Tiranës, fare pranë nesh banonte dhe po përgatitej të largohej nga Shqipëria, Ettore Sequi, asokohe zv.ambasador i Ambasadës Italiane. Ai kishte një ballkon të madh plot lule e pemë në vazo. Ne sot kemi të gjitha lulet e pemët e tij të 2004-s dhe lule të tjera që kemi shtuar ndër vite vetë, më pas. Për mua lulet, bimët, sjellin mbarësi, paqe dhe harmoni në ambientin ku janë. Nga shtëpia në punë shpesh shkoj në këmbë dhe vëmendja ime është te dritaret apo ballkonet që kanë lule. Më mahnitin disa ballkone të pallateve të vjetra që janë gati duke u rrëzuar prej tyre, por këto ballkone janë pak. Mendoj se pas tyre qëndron ndonjë grua e mirë apo gjyshe plot pasion. Imagjinoni sikur të ishin kështu të gjitha ballkonet në Tiranë. Do të ndikonte gjelbërimi, bukuria e tyre për të na përmirësuar edhe ne. Jam e bindur se lulet na përmirësojnë, por duhet të dimë t’i shohim, t’i shijojmë.
Edhe Karlota, vajza ime 7-vjeçare, është si një “lule” e bukur në jetën time. Ka lindur ashtu, si një nga lulet më të bukura që ekzistojnë, si një zambak i bardhë uji, për shembull. Çfarë mund t’i bësh një zambaku të bardhë uji, ta përmirësosh? Jo! Natyra i ka dhënë çdo gjë. Unë si prind do të përpiqem të kujdesem, ta ruaj, ta përkëdhel, ta ushqej derisa të bëhet e fortë, t’i krijoj mjedisin e përshtatshëm për t’u rritur, për të lulëzuar, pastaj të tjerat ajo i ka vetë, në ADN-në e saj. Nuk i imponoj asgjë. Jam e lumtur dhe e privilegjuar të luaj me të, të pikturoj me të, të lexoj me të. Ja, për shembull, leximi është një “taktikë” e imja për ta afruar me botën magjike të librit. Dikur kam lexuar një studim të bërë nga një universitet perëndimor, ku thuhej se fëmijët që rriten në një shtëpi ku ka shumë libra, që shohin prindërit e tyre të lexojnë, është e pashmangshme: edhe ata do të lexojnë. Leximi, njësoj si lulet e natyra, të bën më të mirë, më të thjeshtë, më reflektues e meditues.
Është në natyrën time të dëgjoj më shumë se të flas. Që e vogël kam qenë vëzhguese, medituese. Jam e lumtur që rruga ime mori rrjedhën e gazetarisë, por e vogël më pëlqente psikologjia dhe filozofia. Me vete, ëndërroja të bëhesha psikologe. Mund të kem lexuar për të kuptuar e shpjeguar atë që na ndodh në të përditshmen. Për dashurinë, jetën, sëmundjet, hidhërimin, lumturinë, kam preferuar të hap e të lexoj filozofët e shkrimtarët. E me gjithë shfletimet, nuk dija gjë për tantra-n, ose e paragjykoja, e mendoja një metodë që kishte lidhje vetëm me seksin, me mënyrën e të bërit dashuri. Vetëm vitet e fundit zbulova dhe mendoj se tantra është mënyra perfekte e ekzistencës: meditimi. “Të jesh a të mos jesh”, fraza e njohur shekspiriane në gojën e princit Hamlet, me tantra-n për mua është më e thjeshtë: Të mos jesh, do të thotë të shkrihesh e të bëhesh njësh me universin, pa mendime, përmes meditimit. Shkrirja e Unit, Egos që ngurtëson qeniet njerëzore në pozicione shpesh të frikshme, është filozofia, nëse të tillë do ta quajmë, e tantra-s. Qëndrimi në meditim (janë 112 mënyra meditimi, secili mund të gjejë të përshtatshmen për veten) synon pikërisht këtë: shndërrimin tonë në një qenie që pluskon në lumin e jetës dhe jo që noton kundër rrymës së tij. Për mua tantra është arritja e paqes, lumturisë, harmonisë me mjedisin që na rrethon dhe me botën. Joga është veprim, është shumë efikase, e trashëguar nga një eksperiencë shekullore e Lindjes së Largët dhe Indisë, por nuk është e përshtatshme për tipin tim. Shumë kanë gjetur ekuilibrin dhe mirëqenien edhe me jogën.
Sensi i masës është një filozofi, një mënyrë e të jetuarit. Unë sensin e masës e mendoj në çdo gjë: jetohet mirë edhe në një apartament dy dhoma e një kuzhinë e jo domosdoshmërisht në një vilë me 20 dhoma të panevojshme. Mendoj se duhet ngrënë dhe provuar çdo gjë. Pse ta privojmë veten nga mrekullia e kuzhinës dhe të mirat që ofron natyra? Por me masë dhe ushqime integrale. Si ajo buka e zezë që hanim dikur. Mendoj se sheqeri dhe mielli i bardhë, pas duhanit, pas alkoolit, janë dëmtuesit më të mëdhenj të shëndetit të njeriut. Për mua, shumë prodhues ushqimesh apo pijesh për fëmijë, duhet të penalizohen për dëmin e jashtëzakonshëm që po i bëjnë shoqërisë. Si mund të rritet një fëmijë i bombarduar me ushqime super të sheqerosura? E ardhmja e fëmijëve është obeziteti e diabeti. Duhet të jemi të kujdesshëm në familje për të shmangur të gjitha ushqimet, bukën me miellin 00 (që në trupin tonë ka efektin e njëjtë me sheqerin), ëmbëlsirat e tepërta, mishin e kuq me tepri, duke privilegjuar frutat, perimet, peshkun. Mënyra jonë e të ushqyerit duhet revolucionarizuar, por në Shqipëri ka ende pak vëmendje për këtë dhe ky revolucion duhet bërë në shkollë e familje.
Lexoja shumë dikur, çdo gjë. Tani përzgjedh. Një libër i keq është i tillë që në fillim. Nuk duhen lexuar 200 faqe për ta kuptuar këtë. Nuk duhet humbur kohë. Në botë ka kaq shumë mrekulli të shkruara, sa nuk do të na mjaftojë një jetë për t’i lexuar. Në libra ruhet mençuria dhe eksperienca botërore. Në fund të fundit, çfarë kërkojmë të gjithë: besoj, të jetojmë mirë. Dhe një jetë e mirë, sigurisht që vjen nga mirëqenia materiale, por më së shumti nga mirëqenia shpirtërore dhe e mendjes. Eksperienca dhe ndriçimi i të tjerëve duhet përdorur për të jetuar mirë. Një libër, ai i duhuri, mund të ndryshojë e përmirësojë jetën. Për shembull, njohja ime me Oshon, mjeshtrin indian të së vërtetës. Në anglisht dhe italisht mësimet e tij janë më të qarta. Edhe atë mediet e kanë përcjellë keq, e kanë gjykuar dhe paragjykuar. Nuk jam dakord me çdo gjë ai ka thënë, por përmes tij kam mësuar shumë.
Një nga pasionet e mia në kohën e lirë është piktura. Besoj se dhe arti na përmirëson. I konsideroj gjithashtu artistët më të mirë si njerëz të ndriçuar, që shohin më qartë dhe më parë se ne njerëzit normalë. Pikturat e mia janë thjesht një mënyrë shprehjeje, jashtë skemave. Është realiteti im mbi telajo: herë plot lule e me ngjyra, herë me tema të aktualitetit, nuk shpëtojnë dhe ato të nxehtat politike.
Nga: Gentian Minga
Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë rritje të pagës, duke filluar nga 1 Korriku 2024. E ndërsa paga me...
Vin Diesel po i kërkon një gjyqtari të Los Anxhelosit që të hedhë poshtë padinë e ngacmimit se*sual të ngritur ku...
Çmimi i kakaos është rritur me shpejtësi gjatë muajve të fundit. Një ton kakao të martën arriti vlerën e m...