Pasioni i çmendur i balerinës: «Kam 312 palë këpucë, i ndërroj 4 herë në ditë»

+

isiddarr

«Jepi një vajze këpucën e duhur dhe ajo do të pushtojë botën. Sharmi, sensualiteti dhe eleganca që përdridhet mbi një palë taka, vështirë se mund të gjejë të krahasuar.»
Ajo e di, ndaj e ka zgjedhur armën e fortë për të nxjerrë në pah feminitetin e saj. Madje, mund të dëshmoj se, ajo ka krijuar një koleksion gjigant të kësaj “arme të eliminimit në masë”. Silueta e saj elegante, mbi takat e përzgjedhura me një shije tejet të rafinuar, është një shigjetë që të godet drejt e në zemër.
E kam fjalën për Isida Mollaymerin, balerinën brilante të Teatrit të Operës dhe Baletit, e cila përtej shkëlqimit të saj në skenë, me pasionin e çmenduar që ka për këpucët, ka arritur që ta kthejë edhe rrugën në një skenë të bukur. Kjo nuk derivon nga nevoja për vëmendje, por nga pasioni i saj i hershëm për të pasur sa më shumë këpucë. Në dollapin e Isidës numërohen plot 312 palë këpucë. “Unë jam e fiksuar pas këmbëve, kjo falë profesionit tim. Pjesa e poshtme e tyre për mua duhet të jetë fine, me një pulpë të formuar e kyç të hollë, - tregon solistja e Teatrit të Operës dhe Baletit. - Gjithmonë i shoh njerëzit çfarë këpucësh kanë veshur dhe sidomos femrat i shoh nga kyçi i këmbës dhe pulpa, a është përshtatur këpuca me strukturën e këmbës apo jo.”
Ekziston një shprehje që thotë: Një grua mban veshjet, ndërsa këpucët mbajnë gruan. Isida e ka zbuluar herët këtë truk, që ngre në këmbë gjithë sharmin e saj. “Pasioni për këpucët më ka lindur që në klasë të 8-të, kur bleva për herë të parë atletet e baletit, të cilat ishin shumë të rehatshme. U lidha shumë me to e njëkohësisht u fiksova duke blerë të tjera. Kujdesesha aq shumë, sa mami më thoshte që u kushtoja më shumë kohë seç duhej. Pastaj filluan takat. Ato u bënë shpejt pjesë e jetës sime. Që herën e pare që i vesha, u dashurova aq shumë, sa 80 % e këpucëve të mia sot, janë me taka. Sigurisht, kam këpucë, të cilat janë aty prej vitesh, sepse unë i kam mirëmbajtur. Është dhe fakti që kam shumë dhe s’është se janë konsumuar.”

isilde
Të kesh 312 palë këpucë, duket sikur nuk u bie radha të gjithave të vishen. Përafërsisht, Isida ka një palë këpucë të ndryshme për çdo ditë të vitit. Pra, që të shohësh Isidën më të njëjtat pale këpucë, i bie të presësh të kalojë një vit i tërë. Por, në rastin e saj, ky nuk është rregull, sepse mund të ndërrojë veshjen e këmbës edhe 4 herë brenda një dite. “Në një ditë, unë i ndërroj këpucët aq herë sa kam mundësi. Dëshira për të qenë ndryshe në momente të ndryshme të ditës, më ka ushqyer pasionin për ta shtuar koleksionin.
Sa herë hyj në dyqan, gjëja e parë që shoh, janë këpucët. Ndaj nuk them dot që koleksioni i këpucëve të mia është i madh, sepse unë i duaaa shumëëëë ato, e do të doja të kisha edhe më tepër. Këpuca për mua është pjesa më e rëndësishme në një veshje. Nëse vesh këpucën e duhur, veshja ndrin gjithmonë,” - shprehet ajo për revistën Living.
«Çdo këmbë duhet të ketë këpucën që meriton,» thotë Isida. Dhe këmbëve të saj u ka dhënë privilegjin të gëzojnë plot 312 palë.

kepuucwr