Pasioni i veçantë i Ervin Kurtit: Kam qendisur pajën e 3 motrave, mund ta shndërroj në biznes

+

pasioniervinit

E keni parë çdo të premte në TOP SHOW MAG, ku detyra e tij është të zbulojë sa më shumë nga jeta e personazheve publike të ftuara në panelin e Alban Dudushit. Por këtë herë gazetari Ervin Kurti është në rolin e të intervistuarit dhe është ai që ndan me publikun një pasion krejt të veçantë, qëndisjen. I cilësuar si një hobi më shumë për femra sesa për meshkuj, Ervini shkakton jo pak reagime kur flet për të. Në një rrëfim të (pa)zakontë për revistën LIVING, Kurti zbulon detajet e këtij pasioni...
Si nisi pasioni yt për qëndisjen dhe pse pikërisht ky pasion?
Të them të drejtën, nuk di në është pasion apo nevojë, por di të them se ka nisur në vogëli, kur isha 8-9 vjeç. Unë kam tri motra dhe siç është zakoni shqiptar që secila vajzë përgatit pajën, unë isha “shpëtimtari i tyre”. I referohemi vitit `92-`93. Në atë kohë nuk ekzistonin modele qëndismash me katalogë dhe detyrimisht ishin fqinjët ata që i kishin të trashëguara brez pas brezi nga nënat e tyre. Kështu, unë shkoja dhe u merrja këllëfët e jastëkëve, çentrot, çarçafët etj., e motrat merrnin modelin. Përdornin një letër kalt, vajguri dhe një lugë alumini, të cilën e lyenin me një laps plumbi dhe nxirrnin modelin. Kur e kujtoj sot, them: “Si e bënin?” Në morinë e këtyre “borxheve”, ashtu si me dhunë, fillova të mbushja edhe unë ndonjë lule me gjilpërë. Më pëlqente më shumë të qëndisja thasët e kafesë, sepse kanë një punim të madh, bëhej modeli, kryesisht trëndafila, dhe pjesa e sfondit mbushej me një ngjyrë neutrale. Ah, ç`kemi hequr për t`i bërë! Ama kishte lezet kur dilte në fund, krenohej gjithë fisi!
Cili ishte më saktësisht kontributi yt në qëndismat e tyre?
Motrat më linin mbushjen, pasi ishte më e thjeshtë dhe permes saj mbuloheshin gabimet. Një pjesë e madhe e pajave ruhen ende në komodinat e tyre, si dikur, të sistemuara në qese e të mbyllura me hekur të nxehtë që në vitin `92. Është fantastike kur e mendoj. Në sepet ruajmë akoma gjergjefin që e ka sjellë halla nga Greqia në `90-ën, molinetë, modele qëndismash në letra kalt, si dhe disa letra kopjative. Mbaj mend që përpos modelit, unë i dërgoja këllëfët e jastëkëve dhe çarçafët për t`i bërë ose me azhur ose me fiston, në varësi të preferencave, tek një person i specializuar në lagje. Copat kanë qenë kryesisht të bardha, (kambrik), jeshile, bojëqielli dhe rozë pastel, sepse me to mund të punoje me moline të bardha. Kryesisht qëndisnin luledele. Kusht ishte që edhe fistoni (valëzimi anësor i çentrove, që copa të mos dilte fijesh), të ishte me të njëjtën ngjyrë si lulja.
Çfarë mendojnë njerëzit që të rrethojnë për këtë pasion, duke qenë se ai cilësohet më tepër si femëror, sesa mashkullor?
Nuk e besojnë! Mendojnë se ua them për karshillëk apo për të qenë në modë. E di që është femëror, madje më kanë bërë lloj soj etiketimesh, por jam munduar të mos e mendoj gjatë. Kur shohin punime të miat, shprehen se paskam një talent që e fshehkam, por gjithmonë kam zgjedhur që ta mbaj për vete, sesa ta ndaj. Është më mirë kështu.

hervini
Dikur je marrë më tepër me qëndisjen... po sot, sa shpesh të qëllon ta bësh?
Oh, nuk e kam më përqendrimin e dikurshëm. Kur dëgjoj zonja që thonë se heqin stresin, më ikën truri. I bie që nga impenjimet e përditshme në televizion, takimet me personazhe të njohur, puna në terren, masterin që po ndjek apo udhëtimet, të heq dorë dhe të qëndis? Nuk ka mundësi. Më duket humbje kohe edhe pse është kënaqësi më vete, por e bëj shumë rrallë. E di që në këtë intervistë duhet të them gjëra pozitive në funksion të qëndisjes, por preferoj të jem i vërtetë.
Ata që bëjnë punëdore e krafte, shpesh e kthejnë këtë pasion në biznes. E ke menduar ndonjëherë si mundësi?
Po, e kam menduar, sidomos kur shikoj shoqe të miat që kanë mundësi të mëdha financiare dhe që janë të dashuruara pas qëndismave. Unë vetë (për shkak të mungesës së kohës), porosis si dhurata të fëmijëve të porsalindur certifikata lindjeje, të cilat qëndisen me dorë. I dua shumë dhe e kam vënë re që edhe mikeshat që ua kam dërguar, e kanë klasifikuar si dhuratën më të veçantë. Aty kam filluar të mendoj, po sikur ta kthej këtë pasion në një punë të mirëfilltë? E kam nisur, pastaj e kam ndërprerë se showbizi nuk të lë rehat, por mendoj se do t`i hyj seriozisht, sidomos tani që kam bërë dhe shumë ndjekës në Instagram.
Besoj se do të ishte një biznes fitimprurës, ndonëse janë punime që vijnë nga një djalë, çka, normalisht, i bën këto punime më tërheqëse... Në parim po, por do shumë vullnet dhe punë sistematike. Kur klientët të japin porosi, duhet t`ua mbarosh në kohë, përndryshe, nuk i ke punët mirë. Nëse je djalë apo vajzë, atyre nuk u intereson shumë; në fillim po, por më pas, duan një punë cilësore dhe origjinale.

ervinigt
Me siguri, në shoqërinë tënde duhet të kesh vajza që nuk dine të qëndisin... paradoks i madh, apo jo?
Më ndodh shpeshherë t`i vë në vështirësi duke u thënë: “Dini të qëndisni?”.“Jo”, më thonë ato, “Pse duhet?”. “Po punë shtëpie, bëni?”. “Ehu, përtojmë, i bën mami”. “Po për të gatuar, dini?”. “Pasta me pesto të gatshme”, më përgjigjen. Ky është moment që unë u them: “Atëherë do të mbeteni beqare; një femër duhet të qëndisë, të pastrojë dhe të gatuajë”. Edhe pse kjo situatë ka doza të forta humori, sërish mendoj se një femër apo mashkull, DUHET të dijë të qepë një kopsë. Kjo e bën njeriun më praktik dhe veshjen e tij të dobishme, duke kursyer kohë, para dhe që të duket bukur estetikisht në një moment të caktuar. Nuk e di nëse do të quhej paradoks, por një përparësi në këtë pikë, mendoj që ka, pasi situatat që kalojmë në jetë janë nga më të ndryshmet dhe duhet gjetur zgjidhja në minutë të fundit. Për shembull, në sirtarin tim ka disa çikrikë të mëdhenj me pe të hollë dhe një set gjilpërash që i kam prej dhjetë vitesh, të cilat i përdor kur më grisen diku çarçafët (jo kur janë të konsumuar), kopsat apo këllëfët e jastëkëve, sepse jetoj vetëm.
Kur ulesh për të qëndisur, zakonisht sa kohë të merr?
Më merr aq sa unë mendoj se duhet të rri duke qëndisur. Mund të qëndroj edhe një orë, por edhe 15 minuta, sikurse edhe tre orë tëra. E lë telefonin në karikim, ulem në një cep të dhomës, sidomos kur kam kaluar një ditë me debate të forta e mundohem të futem në një botë tjetër, që të heq mendjen. Nuk qëllon gjithmonë të qetësohem. Kur ngatërroj modelin ose ngjyrën e molinesë, e lë fare dhe merrem të nesërmen, sepse do ta bëja edhe më keq se ç`ishte.
Si reagojnë njerëzit kur mësojnë se di të qëndisësh?
Kur e morën vesh, të gjithë djemtë e palestrës së Kombinatit më përshëndesnin me shumë dashamirësi dhe mbanin mend çdo frazë timen. U çudita në fakt, se nuk para ndodh që sidomos meshkujt të solidarizohen me mua. Ka të tjerë që më thonë që t`u lë radhë femrave për këto punë e se duhet të merrem me punë burrash. Unë nuk e di cilat janë këto punët e mirëfillta të burrave që unë duhet të merrem, sepse të them të drejtën s’e kam kuptuar kurrë këtë ndarjen e roleve. Unë jam rritur me një traktor DT me zinxhirë (ata që po e lexojnë do ta kuptojnë), pasi im atë ka qenë traktorist i dalluar për më shumë se tridhjetë vjet, me fleta lavdërimi madje për atë periudhë. Fatkeqësisht, nuk marr vesh fare nga hekurat, ndaj anova nga krijimtaria. Kjo besoj s’më bën fajtor apo femër.
Çfarë pasionesh të tjera ke, përpos qëndismës?
Të udhëtoj, mundësisht jo në vende luksi. Më pëlqen shumë të hyj në habitatin e vendasve. Për shembull, kur shkoj në Greqi, nuk rri në hotel, por te miqtë e mi grekë, sepse dua të ndiej në lëkurën time traditën e atij vendi, mënyrën e jetesës, ushqimin, kulturën, mënyrën si i kanë arreduar shtëpitë, si janë në familje, si flenë, si hanë, dua të zbuloj rrëzat e shtëpisë (qesh). E kam fiksim po nuk u futa në haure, në ca dhoma të fshehta, ofiçina etj. Më jep shumë adrenalinë, më mbush me energji, sepse i njoh njerëzit siç janë e jo siç duan të duken. Zakonisht udhëtimet i bëj vetëm. Bëj çfarë të dua, kur të dua dhe si e dua. Dua të jem i lire dhe të mos duroj dramat e atyre që më shoqërojnë, që zakonisht s’para bëhen në një mendje bashkë. Kjo nuk do të thotë se jam antisocial, përkundrazi, por kolektiviteti më burgos, më vë pranga duke më bllokuar të gjithë vitalitetin. Për udhëtime dua të bëj atë që nuk mundem ta realizoj kur jam në punë, familje, apo Tiranë, të mos bërit kompromis.
NGA Gentian Minga | FOTOGRAFIA: Armand Habazaj