Për drekë te Mullixhiu, aty ku gjithçka ka aromë toke e zanash

+

mjmuuulliixhguxhiiuuur

Nga Dhurata Thanasi Daneri, Fotografia Armand Habazaj

Pranë digës së Liqenit Artificial të Tiranës, ndodhet një pallat jo i zakontë. Në katet e para të tij, janë hapur shumë bar-kafe moderne, ku kryeqytetasit, pasi kanë shëtitur apo kanë bërë një vrap në park, ulen për të pirë diçka, qoftë një pije freskuese, ujë apo edhe një kafe “për qejf”, si dhe për të thithur pak ajër të pastër. Në katin e parë të këtij pallati, ndodhet një restorant që kufizohet nga një hapësirë e vogël e gjelbëruar me erëza të stinës dhe lakra të freskëta. Ndryshe nga kafenetë fqinje, në oborrin e tij nuk ka tavolina. Është i rrethuar nga një gardh kashte dhe në të gjenden kosha të mëdhenj ku janë mbjellë lakra dhe bimë të egra të ngrënshme. Në krah të hyrjes kryesore, në një mënyrë shumë elegante, është vendosur një gur i rrumbullakët që simbolizon gurin e mullirit. Në të, është gdhendur: MULLI XHIU nga Mrizi i Zanave. Restoranti është i thjeshtë dhe nuk bie shumë në sy, por kjo nuk I shqetëson aspak pronarët e tij, Altinin, Antonin dhe Bledin.

Fasada e restorantit është një vetratë e madhe xhami, e ndarë në dy pjesë: pjesa e mullirit dhe pjesa ku shitet buka. Në pjesën e mullirit, ndodhen tre mullinj të vërtetë guri, ku në njërin bluhet grurë, në njërin misër dhe në tjetrin elb, drithëra të sjella nga zona e Zadrimës. Në pjesën tjetër të restorantit, shiten bukë misri, pogaçe dhe grurë I sapobluar. Kur hyn brenda, të krijohet ndjesia sikur po hyn në një mulli të vjetër. Muret e rrethuese, dyshemeja dhe tavani, janë me dru të vjetër të stazhionuar, të sjellë nga zona e Fishtës apo e Troshanës.

living139

Në mure, nuk ka fotografi, piktura apo televizor. Abazhurët lëvizës janë prodhuar nga një poçeri artizanale e Blinishtit, ku arte povera ndërthuret aq lirshëm dhe këndshëm me të vetmin mur ndarës dhe mbajtës njëkohësisht, të ndërtuar me kallinj misri të veshur e të zhveshur dhe të futur në një kafaz xhami. Në restorant, ka vetëm gjashtë tavolina druri dhe çdo klient mund të shohë gjithçka që ndodh brenda tij. Nga njëra anë, ndodhet kuzhina e hapur, ku disa djem dhe vajza punojnë nën drejtimin e Bledit, kurse nga ana tjetër, mund të kundrohen tre mullinjtë që bluajnë drithërat. Në sfond, dëgjohen zërat e mrekullueshëm të këngëtarëve të shquar, si: Vaçe Zela, Avni Mula apo Marije Kraja, që mbushin gjithë mjedisin me tingujt e mrekullueshëm. Në gjithë restorantin, ndihet era e drurit që digjet në furrën ku piqen bukët. Bledi Kola, shefi i “Mullixhiut” e servir pjatën e pare vetë, një mënyrë kjo për t’u prezantuar “Mullixhiun” klientëve dhe për t’i bërë ata të ndihen sa më rehat. Pastaj vjen Antoni, vëllai i vogël i Altinit, për të cilin flitet rrallë. Antoni është fjalëpakë, nuk “bzan” shumë dhe është e vështirë t’i bësh pyetje, sepse ke frikë se mos thyen magjinë e drojës që fshihet në sytë e kaltër. Por kjo zgjat shumë pak, sepse vetëm një “si ke qen” e Antonit të bën të ndihesh si në shtëpinë tënde.“Jena mundu me ba ma t’mirën e me sjell disi ndryshe kuzhinën tonë,” thotë Antoni.

mmullidydh
Të gjitha produktet e kuzhinës janë vendase, duke filluar nga vaji, uthulla e deri te bukëfiqet e thata, lulet e ngrënshme dhe vera “Kallmet”.
Mjaft të veçanta janë edhe takëmet e “fshehura” në sirtarët e tavolinave, të cilat sjellin modelet e vjetra shqiptare të tavolinave me sofrabez dhe peceta. Ndenjëset e karrigeve “me andra” të sjellin ndër mend kohën kur njerëzit nuk ishin kaq materialistë dhe kur të qenit pranë njëri-tjetrit nuk konsiderohej luks. Mjedisi është i këndshëm e familjar dhe të kujton periudhën e fëmijërisë. Të gjithë janë të veshur me uniformë: këmishë të bardhë, opinga lëkure të qepura enkas dhe përparëse prej lëkure. Menytë janë të shkruara me shkrim dore dhe në dialektin gegë. Gjithçka është e përkryer! Të gjithë punonjësit, duke filluar nga djali dhe vajza që shesin bukët, bukëpjekësi korçar, përgjegjësi i restorantit e deri te kamerieri mund të të tregojnë gjithçka. Me një sjellje të hijshme, prezantojnë pjatën që shërbejnë: llojin e gatimit, përbërësit e tij, mënyrën e përgatitjes, duke e udhëhequr klientin në rrugëtimin e kulinarisë dhe duke e futur atë në botën e gatimit. Mënyra se si pjata shërbehet, është e ndryshme: herë-herë vjen e gatshme nga kuzhina, herë-herë përgatitja e saj bëhet në sy të klientëve. Për shembull, për të përgatitur një dhallë të freskët, improvizohet dybeku me një minishaker të mbushur me mazë dhe copa akulli. Ose klientët mund ta shohin shef Bledin teksa “sharron” kockën e kofshës së qengjit dhe i nxjerr palcën për ta shërbyer të ngrohtë në një pjatë të menysë “Metamorfoza”, e frymëzuar nga poezia “Metamorfoza” e at Gjergj Fishtës. Më duket sikur at Gjergji është aty pranë djemve të “tokës s’vet”. Më duket sikur prania e tij e padukshme është ogur i mirë për këta djem dhe vajza, të cilët, si dishepuj të mbledhur pranë Altin Prengës, çdo ditë mundohen të na tregojnë që traditë nuk do të thotë vetëm të mbash gjallë hirin e së shkuarës, por traditë do të thotë të mbash gjallë thëngjijtë për të rindezur të ardhmen!