«Rozmarinë dhe jo vetëm» çfarë i ka bërë bashkë Kelin dhe Ivën

+

lfving

NGA SANTANA ÇOMORA FOTOGRAFIA: ARMAND HABA
Jo vetëm sepse ata që e kanë hapur nuk janë kuzhinierë të vërtetë, pra, na japin shpresa të gjithëve që t’ia marrim dorën në kuzhinë, por edhe sepse dy gazetarët premtojnë që në faqen e tyre të re, brenda dy portaleve, të mbledhin edhe shumë receta të vjetra dhe të reja, bashkë me këshilla për mënyrën e jetesës. Me kripë, sheqer, dhe e gjeni dot se me çfarë tjetër? Me shumë erëza. JO VETËM NGA ATO TË KUZHINËS...
Në kohën kur po kthehet gati në normë që çdo gazetar të ketë portalin e vet, Iva Tiço dhe Enkel Demi bëjnë krejt të kundërtën: po i bashkojnë dy portalet: atë që drejton ai, www.27.al dhe atë ku shkruan rregullisht ajo www.tiranapost.al, në një hapësirë të përbashkët. As politikë, as showbiz, as lajme me kleçkë dhe asgjë që çdo gazetar “karriere” e konsideron sot si majën e karrierës, por atë që njerëzit duket se e pëlqejnë, përtej gjërave të rëndësishme dhe jo të këtij vendi: kuzhinën. Një faqe krejt më vete, e quajtur thjesht “www.rozmarina.al”, por që përfshihet brenda të dy portaleve, është blogu i tyre, fringo i ri. Për ndokënd, një tekë më shumë e të dyve, për shumëkënd, që i njeh nga afër apo që vitet e fundit i frekuenton, apo i ndjek në rrjetet sociale, një pasion i përbashkët. Një vendim i marrë shpejt e shpejt në një kafe në redaksinë e "Tirana Post", bashkë me Mira Kazhanin, teksa po organizonin një drekë me miq. Pas shtrimit të ideve të Kelit për pjatën e parë e të dytë, fjalitë e Mirës “ëmbëlsirën na e bën Iva” dhe pastaj “po pse të mos i shkruani recetat në portal…”, ishin shkëndija që ndezi idenë. Prej aty e deri te "Rozmarina", rruga qe shumë e shkurtër. Ndoshta më e shkurtër sesa shumë nga recetat e koklavitura të Kelit për mishin që rri me orë të tëra në marinim apo gatim të ngadaltë, për t’u ngrënë pastaj në pesë minuta…

Të dy e kanë marrë seriozisht këtë punën e re në kuzhinë dhe e kanë personalizuar menjëherë. Gjithsecili përparësen e vet. Për Kelin, veshja e përparëses kur gatuan është një zakon i kahershëm. Dizajni i zgjedhur, si tifoz juventin, e bën t’i duket punë më burrërore, kurse Ivës i duhet ta pranojë që përparësja është fringo e re, e sapoblerë. “Vetëm këtë vit, kur prisha dy bluza dhe një fustan pambuku me përskita qershish, teksa u hiqja farat për t’i bërë reçel apo ëmbëlsira, e kuptova zakonin e vjetër të sime gjysheje, për të veshur përparëse edhe kur skuqte një vezë, edhe kur lante një gotë. Ndaj bleva përparësen time të parë, me dizajn qershish, jo thjesht që të më kujtojë se pse duhet vendosur gjithmonë, por edhe sepse qershitë janë të preferuarat e mia nëpër dizajne”. Këto përparëse janë perfekte edhe për fotografitë. Në njëfarë mënyre, të sugjerojnë se çfarë do të shohësh me tej në blogun e gatimeve: gjëra gocash dhe gjëra çunash, të ëmblat njëra dhe të kripurat tjetri. Të dy e dinë që do të futen shumë në territoret e njëri-tjetrit, Keli fillimisht ca më rrallë tek ëmbëlsirat, sepse te mishi dhe peshku ai ndihet një zot i vërtetë gatimi dhe këtë e dinë të njohur e të panjohur.

tefyeb
FAMILJARË E MIQ “TË PËRDORUR”
Miqtë e Enkel Demit ka vite që e frekuentojnë shtëpinë e tij, ku hahet vërtet shumë mirë. Përveç djalit, Jonit, tashmë i rritur e që kalon gjithmonë e më pak kohë brenda shtëpisë, gjithë të tjerët duket se kanë lindur jo vetëm me pasionin për gatimin, por edhe për të bërë garë se kush gatuan më mirë. Veç “nanës”, mamit të Kelit që të pret e përcjell e buzëqeshur, e papërtuar dhe të fut në çantë ndonjë ushqim të paketuar, dhe Hanës, vajzës 14-vjeçare që gjithashtu gatuan, por i ndjek garat me një buzëqeshje indiferente, të zotët e shtëpisë, Mesila Doda dhe Enkel Demi janë prej vitesh në një konkurrencë dhëmb për dhëmb se kush gatuan më mirë. Mesila është më novatorja, shpik gjëra aty për aty, pa receta dhe masa fikse, sidomos antipasta, dhe lëvdohet nga të gjithë miqtë se ka kuzhinën më të lehtë. Kelit i mbetet të kënaqet me vendin e dytë që i japin miqtë, duke i njohur gjithsesi meritën se mishin dhe peshkun askush nuk e bën si ai. “Kjo do mjeshtëri praaaa”, thotë ai i çliruar, ndërsa merr dhe vërejtjen që e tepron me kripën shumicën e rasteve… Për ëmbëlsirat, në shtëpi u ka lënë dorë të lirë Mesilës dhe Hanës, ndërsa në blog, Ivës. Ndërkohë, Hana i ka premtuar të atit t’i japë një dorë në realizimin e fotove, bashkë me ndonjë prekje femërore në dekorimin e pjatave, por edhe pse e kanë marrë këtë punë si me të qeshur, nana dhe Mesila nuk do të rrinë jashtë saj. Gatimet e tyre të së dielës e gjejnë veten fare mirë brenda hapësirave të blogut. Çdo gjë e bërë në shtëpi, mund të pasqyrohet aty, mund të ndahet me të tjerët dhe për këtë punë nuk ka as honorare, as rrogë: familjarët shfrytëzohen, por edhe shfrytëzojnë. Ndodh të hanë tre pjata njëra pas tjetrës, sepse Keli është frymëzuar për të bërë disa postime ose here pas here kanë atë frikën, që e shpreh edhe mikesha e Ivës, Mira Kazhani: “Kjo puna juaj e re po na shëndosh, nuk jua kemi borxh tani në verë këtë punë”.

grwrgw
ME ROZMARINË DHE JO VETËM
Kur erdhi puna të gjenin një emër për blogun e ri, të dy kishin vetëm një ide: të ishte shqip dhe një fjalë e vetme. Përmendën gjithë përbërësit e kuzhinës, bazikë dhe të rrallë, derisa vendosën që një erëz do të ishte më e përshtatshmja. Menta, më e dashura e të dyve, përderisa përdorej edhe për të ëmbla edhe për të kripura, ra poshtë si ide, për arsye teknike dhe mbeti rozmarina. “Edhe nëse nuk gjen shumë vend tek ëmbëlsirat, mund të shërbejë gjithmonë si dekor i bukur për to”, thotë Iva, që gjithsesi në postimet e para nuk është përmbajtur vetëm tek ëmbëlsirat, recetat e të cilave janë të mezipritura nga ndjekëset e saj në Instagram. “Ishte një recetë e tillë, një tartë që e gatova gjatë emisionit ‘E diela shqiptare’, që arriti vërtet një rekord audience dhe pëlqimesh në faqen time në Instagramit. Tashmë ka kohë që shumë zonja më kërkojnë në Inbox recetat e ëmbëlsirave dhe unë ua dërgoj thuajse gjithmonë. Por qe ajo ëmbëlsirë, e nxjerrë aty dhe e ruajtur nga aq shumë njerëz, që më bëri ta shihja më seriozisht këtë punën e ndarjes së recetave. Në fund të fundit, si unë, si Keli gatuajmë rregullisht në të përditshmen tonë, por edhe për njerëz gjatë fundjavave, ndaj ky blog nuk është aspak një sforcim më shumë.”
Ishte gjithashtu e “E diela e shqiptare” e Ardit Gjebreas, ku Iva zgjodhi të "konkurronte" me dy mikeshat e saj me një recetë mishi të sugjeruar nga Enkel Demi, ajo që i bëri bashkë për të parën herë emrat e të dyve, jo në studio televizive ku i kemi parë zakonisht, por në kuzhinë. “U bë shumë kohë që veç ndonjë linku shkrimesh dhe ndonjë memeje për të qeshur, gjatë ditës shkëmbejmë me Ivën fotografi pjatash apo pyetje të tipit 'çfarë t’i hedh' dhe 'sa ta lë në zjarr'”, tregon Keli. Më shumë pyet Iva, ai që jep mend është Keli. Jo vetëm se çfarë të hedhë dhe sa ta lërë, por dhe ku të blejë. “Pyetjet 'ku ta gjej një mish të mirë tul' apo 'si i bëhet për një peshk të egër', janë të zakonshme në celularin tim”, thotë Keli, që ka vendosur që njohuritë e tij edhe për blerjet e tilla, t’i ndajë me të gjithë në blog, bashkë me këshilla të tjera, që të dy i mbledhin nga miqtë, apo duke kërkuar dhe përshtatur nga interneti. Mbledhja e informacionit është ndoshta gjëja e vetme që ata bëjnë për blogun dhe ka lidhje edhe me profesionin e tyre të përditshëm, gazetarinë. Vetëm nëse kjo puna e gatimit do t'u shndërrohet në profesion kryesor. Nuk i dihet kurrë.