Rrëfimi ekskluziv i Ermal Mamaqit për Living: SI E SHËROVA MIGRENËN VETËM ME USHQIME

+

ermalmamaqiir
Të gjithë e njohim përmes ekranit, nga ajo kutiza e vogël ku gjithçka përcillet perfekte dhe shpesh na krijohet iluzioni sikur për të, hallet e botës janë shuar. Ndoshta edhe për faktin se profili i tij përcjell gjithmonë humor. Ermal Mamaqi është një nga figurat më të dashura të ekranit shqiptar sot, por, përtej imazhit të moderatorit dhe aktorit të humorit, ai është si gjithë të tjerët, mbase me të njëjtat probleme e shqetësime. Po ju tregoj vetëm njërin prej tyre. Ermal Mamaqi vuan prej më shumë se një dekade nga migrena. Ju që e keni provuar, e dini mirë se çfarë makthi është të jetosh me krizat e forta të kokës, të cilat shpesh zgjasin deri në 48 orë. Për më tepër, mjekësia tradicionale ende nuk ka gjetur një zgjidhje që kuron këtë sëmundje. Ermali e ka gjetur vetë atë dhe jo te mjekësia tradicionale, por në një discipline alternative të trajtimit të problemeve shëndetësore. “Kam vuajtur për 15 vjet nga migrena, - rrëfen ai ekskluzivisht për revistën ‘Living’. - Çfarë trajtimesh nuk kam provuar! Kam bredhur gjithë botën, duke nisur nga Vjena (Austri) e deri në Kinë. Kam provuar çdo lloj kurimi të mundshëm të mjekësisë tradicionale dhe asaj alternative, kam shpenzuar miliona për të kuruar migrenën, por nuk ia kam dalë.” Zgjidhjen, ai e gjeti rastësisht te një mjeke e huaj, e cila ndodhej në Tiranë. Dëgjoi për të dhe mbase edhe pak skeptik për shkak të përvojave të dështuara të së shkuarës, Ermali shkoi të bënte një konsultë. Mjekja i kërkoi që së pari të bënte një analizë gjaku. “Kur i çova analizën, ajo më tha: ‘Po ti qenke tharë për yndyra, more djalë!’ Ajo vuri re se niveli i yndyrave tek unë ishte shumë i ulët dhe më këshilloi të konsumoja sa më shumë yndyra shtazore. E respektova dietën dhe prej asaj kohe, mund të them se gjeta shpëtimin për migrenën.” Kanë kaluar më se dy muaj dhe moderatori dhe aktori i njohur i humorit, nuk ka përjetuar asnjë episod të vetëm dhimbjeje koke. Ai do të donte shumë që me përvojën e tij të ndikonte e të ndihmonte edhe në shërimin e personave të tjerë, të cilët vuajnë nga e njëjta sëmundje, por, për arsye etike, nuk mund ta bëjë të ditur identitetin e mjekes, e cila trajtoi perms një regjimi strikt ushqimor, problemin e tij. Është i ditur fakti se, ndër shekuj ka pasur përplasje të forta midis mjekësisë tradicionale dhe asaj alternative, për shkak të teorive të kundërta e terapive që përfaqëson e ofron gjithsecila. Ndaj, mjekja e huaj që aktualisht ndodhet në Tiranë, kërkon të mos njihet publikisht, për të shmangur sulmet dhe kërcënimet. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se, nëse do të mbështeteshim e do të gjenim çelësin e shërimit te terapitë ushqimore apo edhe tek ato bimore, do të merrte fund një industri e tërë farmaceutike.
NGA Elona Jaçellari