Si në përrallat e Alanës dhe Rudinës

+

peperlrlallhat
Alan Hila është pakëz më me fat se vogëlushet e tjera. Mami Rudina ka krijuar një botë të re përrallash, enkas për të. Pitilushja është edhe shoqja e Alanës, edhe Alana vetë edhe Rudina. Jetojnë përditë në realitetin e tyre të ëmbëlsuar e zbukuruar nga shpirtushja, larg zhurmës së botës jashtë. “Përrallat e Pitilushes”, shkruar nga Rudina Xhunga dhe Alana Hila, e ka bërë shtëpinë e tyre të ketë ngjyra, dritë, të qeshura e fantazi, njësoj si në përralla…

Fotografia Armand Habazaj 

Kush e di pse, thuajse gjithmonë, një personazh imagjinar bëhet më i besueshëm e bindës për një fëmijë, se sa prindërit e tij. Të rriturit nuk e kujtojnë qartësisht se ç’bluhej në kokën e tyre kur kanë pasur moshën e fëmijëve, për të shpjeguar gjithë procesin por, fundja, a nuk harrohen edhe ata pas përrallave, megjithëse ua njohin surealen, kur duan t’i shpëtojnë botës?! Ndoshta aty kemi lindur të gjithë, në një përrallë së cilës i largohemi pas çdo viti lindje. Mirëpo, kush mund ta harrroj se ku ka lindur?! Ndryshe nga ne të tjerët që gjejmë (ose jo) ca minuta gjatë ditës për t’u kthyer te përralla, gazetarja Rudina Xhunga ‘është larguar’ me kohë të plotë.

Divani i kuq i dhomës së saj të ndenjjes, lodrat që gjendeshin gjithandej, ekrani i televizorit i ngjyrosur me kukulla (për telekomandë nuk është nevoja sepse kanali nuk ndryshon asnjëherë) dhe Alana Hila e veshur si princeshë që vinte përqark gjithë shtëpisë, ta lehtësonin punën, nuk ishte e nevojshme të pyesje se ç’ju shkrepi në kokë, nënë e bijë, të bënit një libër me përralla; jetojnë të dyja në të. Mami Rudinës, pasi kthehet nga bisedat politike të punës, i mjaftojnë vetëm disa minuta për t’u rrikthyer në përrallë. Ishte kështu që kur Alana lindi…E bija, pa bërë vitin e parë të jetës, ende nuk i kuptonte premtimet e së ëmës që i pëshpëriste në vesh, për botën e re që do krijonte, bashkë me të! Rudina vonoi pak por e mbajti fjalën…

AHP 0324
“Qe e gjitha mbajtja e një premtimi që i dhashë Alanës, kur lindi. Që një ditë do të shkruaja një libër me përralla për të. Kanë kaluar pothuaj katër vjet qysh atëherë, por më në fund e mbajta fjalën. Nuk u mundova shumë dhe nuk kërkova ndonjë gjetje, përveçse shkrova përrallat që i kam treguar Alanës, qyshkur mbushi tre vjeç. Kanë qenë kohë kur ajo nuk bindej të pinte shurupin, kur sëmurej, apo nuk hante mëngjes, apo i ndodhnin gjëra që duhej t’ia shpjegoja dhe nuk dija si?! Atëherë shpika një personazh që e quajta Pitilushe, e cila nuk dëgjonte mamin, babin dhe gjyshet, e bënte shumë gabime, por më në fund, gjithmonë bindej. Sa herë Alana kundërshtonte për diçka, më pyeste: Po Pitulushja çfarë bënte, ma? Dhe kështu lindte përralla e radhës, për çdo rast e nevojë. Një ditë u ula dhe nisa t’i shkruaj që të mos mbeteshin vetëm mes meje dhe Alanës, por t’i tregonin gjithë mamatë e gjyshet që kanë fëmijë të vegjël nga 3 në 6 vjeç, por edhe më të vegjël e më të mëdhenj. Sepse janë përralla për çdo fëmijë dhe çdo nënë të kohëve moderne. Që problemin më të madh ka ipadin e celularin për fëmijët, gjëra që dikur në përrallat tona me çufo e bubi kaçurrel as nuk mendoheshin. Janë kohë të tjera dhe përralla për këto kohë”-tregon Rudina.

AHP 0338

Sipas rregullave të Pitilushes

Në shtëpinë e Dritan Hilës dhe Rudina Xhungës, fjala e fundit është gjithmonë e Pitilushes. Për çdo kokëfortësi të befasishme a rrudhje buzësh, del në skenë Pitilushja. Varësisht situatës, Rudina ka gati në mendje një zgjidhje paralele se si mund të ishte sjellë Pitilushja. Është i vetmi moment kur Alana bindet e ‘bëhet vesh’. Si do të kishte vepruar shoqja imagjinare në vendin e saj? “Ah, ajo do të ishte sjellë mirë?! Epo mirë, po bindem!” …Skenari ështe ky, thuasje në çdo rast. Zgjat vetëm koha e shpikjes së përrallës që nuk mund të jetë në çdo rast e lehtë sepse, sado ta shtrydhësh fantazinë, nuk ke ku gjen një përrallë a arsye bindëse, pas mesnate, se përse fëmija nuk duhet të flejë me fustanin e Frozenit! Në përpjekje si këto ka lindur edhe Shpirtushja që u përkëdhel edhe më e u bë Pitilushe.

“Në çdo përrallë, janë pyetjet e Alanës, që sollën përgjigjet e mia. Pa Alanën ky libër nuk do të bëhej. Alana ka rikthyer fëmijën brenda meje, aq sa ndonjëherë më ngjan si shoqja ime, më tepër se vajza. Nuk kam lexuar shumë literaturë si ta rris fëmijën tim, kam dashur të krijoj personazhe për fëmijërinë e saj. Kur e shoh aq të lidhur pas frozenit dhe sesi fluturon për një pepa pig, më vjen keq. Dua që ajo të ketë përrallat e saj, tipikisht shqiptare, unike dhe të sajat. Unë ende besoj te përrallat. Besoj te nxitja dhe figurat e fëmijërisë. Është periudha me formuese dhe e paharrueshme në jetën e njeriut. Nuk i harron kurrë përrallat që të kanë bërë fëmijërnë. Unë i mbaj mend të gjitha të miat. Nëse mendon se ka kohë, fëmijët do të rrriten dhe do lexojnë vetë, është e pavërtetë. Qysh tani, mund të ndikosh me përrallat që tregon për ta bërë fmëijën tënd një njeri krijues, me fantazi, një njeri më të mirë, më social. Këto kohë, flasim kaq shumë për autizëm, për handikape etj gjëra që, nuk i dinim dikur dhe harrojmë të flasim për fëmijërinë, për normalitetin, për frymëzimin, për edukimin nga përrallat. Sa keq, kur gjithë jeta nis nga përrallat. Nëse do të dish çfarë jete do të ketë një fëmijë, pyete çfarë përrallash pëlqen. E di, tani gjithë moshatarët e Alanës duan përrallat me frozen, por ato janë përralla për një botë që nuk të thotë gjë. Që nuk është bota jonë, ndërsa Pitilushja është çdo fëmijë që i lexon këto përralla, që janë përalla shqip për çdo fëmijë shqiptar”.

Po ta provoni, do ta kuptoni që do të funksiononte edhe me fëmijët tuaj. Duhet shumë pak që Pitilushja të bëhet personazhi i çdo shtëpie me fëmijë të moshës së Alanës ose pak më të rritur se ajo, njësoj siç janë bërë në kohë të ndryshme personazhe përrallash a filmash të animuar. Kur u bind që përrallat ishin ashtu siç duheshin, Rudina u bë gati për hapin tjetër; ilustrimet e Ledia Konstandinit. Atëherë po, libri morri formën dhe pamjen e fëmijëve. Ato të dyja shpikën Pitilushen, kur t’i lexoni, mund të gjeni edhe ju personazhin tuaj…