SY e ZEMËR në TRYEZË është festë dhe gatuan Avokatja e Popullit

+

eerindn

A e përfytyron njeri Avokaten e Popullit, duke u servirur vizitorëve nga delegacionet e huaja në zyrën e saj, biskota të bëra vetë? Epo, është Erinda Ballanca dhe biskotat janë të sajat! Kanë aromë kanelle, janë lehtësisht të thekërisura së jashtmi, në formë të çrregullt, pothuasje të ngrohta. I përtyp dhe ndjen shkriftësinë e mollës dhe rrudhat rrushit të thatë. Nuk ke kohë të përqëndrohesh në strukturën e brumit të shkrifët me petëza të thata misri, sepse biskota është zhdukur tashmë nga qiellza, por ka lënë të gjitha shijet e përbërësve dhe ka aktivizuar gjithë sensorët e shijes.
Të paktën, Erinda nuk është aty, nuk e pa se si u zbraz biskotieria, ashtu, pa kuptuar! Kjo është një situatë me të cilën ajo është mësuar, por ata që gatuajnë, e dinë mirë se sa e rëndësishme është t’u përsërisësh, dhjetra herë, që shija është e mrekullueshme! Këto ishin fjalët e para që shkëmbyem me Erindën. Në buzëqeshjen e saj të parë falenderuese, pothuajse dallohej fakti që biskotat, megjithëse pjesë e pastiçerisë, nivelit më të vështirë të gatimit, nuk janë asgjë krahasuar me menunë e festës që është ende në fazën e përpunimit. Prandaj, nuk bëri habi që fjalia tjetër u hodh drejt e te darka e fundvitit. Tek tryeza me gjithçka të gatuar nga duart e Erindës, nga antipastat më të thjeshta e deri tek gjeli. Me pulovrën festive, sytë e gjelbër që shihnin lart, të njomë e të qeshur si prej një entuziazmi të beftë fëmijnor{(të na falin të gjithë ata që kanë gjëra më të rëndësishme për të bërë)(megjithëse ky nuk është tipari më identifikues i avokates)}, për të përligjur kënaqësinë që sillte kujtesa, nisi të flasë për gjelin e detit më të mirë në botë! Me shpejtësi lëvizjesh që nuk i kuptoje se si ndodhnin, receta u gjend aty, bashkë me dhjetëra fletë menush që Erinda i kishte ruajtur ndër vite, për të kujtuar të gjitha darkat që kishte shtruar për famlijen e saj.

erindndb
Ruheshin të gjitha në një vend të posaçëm, fare pranë pjatave e serviseve të gjyshes, që dalin prej kredencës sa herë që miqtë, bashkë me ushqimin, kanë të gjithë zemrën të shtruar në tryezë. Dielli që hynte nga kuzhina e bardhë, drita e së cilës ndërpritej nga degët e hurmës, (këtë vit nuk ishte formuar aq shumë) keku dhe disa dekorime festash që gjendeshin mbi tryezë, na larguan nga tavolina e madhe dhe tërhoqën brenda, pa njoftuar! Ndërkohë, ena e kuqe për të cilën duhet pak guxim ta quash tenxhere, kishte nisur të nxirrte avujt që lajmëronin kohën e hedhjes së ingredientëve. Nuk kaluam në këtë hap. Shfrytëzuam kohën për të shkrepur, pikërisht atë çast, disa fotografi. Për të gatuar makarona, Erinda nuk ka nevojë të hedh sytë nga raftet e librave të kuzhinës, megjithëse është cepi i saj i dedikuar. Meqenëse janë ushqimi i më i preferuar, i di si buka që ha, të gjitha truket. Dhurata më e re që i është shtuar raftit janë recetat e Krishtlindjes së Nigella Lawson. Si i ri që ishte në shtëpi, libri ishte shfletuar vetëm pjesërisht, sepse ka ende më tepër se dy javë (koha kur Erinda nis impenjimin serioz) nga darkat e fundvitit.

Përballë kuzhinës, në një kënd ku nuk mund të bëje asgjë më të mirë se sa të lexoje, me dy kolltukë të vendosur enkas për të pasur për vete të gjithë dritën që sillte vetrata e xhamave ku ishin mbështetur, kishte gjithashtu libra. Ndihej si aromave e biskotave që ai kënd ishte më i dhembshuri. Edhe ngjyra e mobiljes e tregonte që titujt ishin më të vyer. "Joel Robuchon është një nga shefat me më shumë yje Michelin në botë, por nuk kam guxuar ende të eksperimentoj me ndonjë pjatë prej këtij libri. Janë shumë të sofistikuara dhe kane shumë përbërës"- kaq thotë Erinda dhe ndërkaq ka hapur fletët duke kaluar dorën fund e krye, nëpër faqe, si për të prekur pjatat e pabesueshme që shtriheshin si pikturë, në librin që dukej si enciklopedi shkencore.
Kaq këtu! Kalojmë në sallon. Aty ku dora e papërtuar e Erindës dallohej në çdo detaj, nga zbukurimet deri në imtësi të bredhit e deri tek mbështjelljet e dhuratave. Vetëm se, aty, pikërisht aty ku pak minuta më parë ishim përhumbur te shija e biskotave, tashmë pamja ishte shndërruar. Me inteligjencën dhe elegancën që i jepte fustani i kuq, Erinda nuk ishte më zonja e shtëpisë që kishte nën kontroll çdo detaj. Ishte shkrirë brenda ngjyrave të pikturave – të gjitha nga autorë vendas – të cilat dekoronin muret. Vetëm artistët modernë do ishin në gjendje të ndanin aty, objektin nga subjekti!

AHP 9246
As katalogu i Van Gogh, që rrinte përbri divanit, nuk do të mërzitej në këtë rast! Edhe impresionisti do ta toleronte të kuqen që nuk ia ndryshoi në asnjë nuancë, jeshilen e syve të Erindës.
Pas çlirimit që kishin krijuar fotografitë e para, zhytur në divanin e emeraldtë, Erinda Ballanca ishte në këndin më të bukur. Aty harrohej edhe aroma e biskotave, edhe dosjet e zyrës.
Ishte në feminilitetin që, përtej pasioneve e profesioneve jeton secila, pa aparatë, pa hamendësime, e lirë për t'u dukur elegante dhe për t'u ndjerë mirë me veten. Shpesh herë, gjithçka përreth vetes, kthehet në kosto. Detyra që mban sot, si Avokate e Popullit, e bën t’i druhet ekspozimit, për mos të qenë e keqkuptuar. Megjithë shijen e rafinuar, shpesh, Erinda ndihet e detyruar ta kalojë në plan të dytë kujdesin dhe maninë e saj për të bukurën. Ata që trokasin në derën e saj kanë kërkesa shumë më të thjeshta e të rëndësishme njëherësh. Të falënderoj shumë per vlerësimin, thotë ajo, por gjithçka ti vlerëson nuk është karakteristika ime më e vlefshme! I dua njerëzit e mundohem të bëj për ta pa m’u rendur, thotë. Gjithçka që kam mundësi sigurisht... Pavarësisht relativitetit me të cilin Erinda vlerëson këtë pasion të saj sërish, ne nje menyre, ajo ndihet 'e detyruar' ta fshehe pasionin e saj per te bukuren, por a mund të mbahet e fshehte një përrallë si kjo, e gjitha në të kuqe?!

AHP 9127

Është e pamundur që pas shijes së shkëlqyer të biskotave dhe aromës së mirë, e cila nuk mbetet vetëm brenda mureve të kuzhinës, të mos jetë një histori e tërë. Cila ka qenë marrëdhënia e familjes suaj me gatimin?
Në shtëpinë time është gatuar gjithnjë shumë mirë e mbi të gjitha, me dashuri e përkushtim. E di që kështu do të thoshin të gjithë, por unë mund ta them me gojën plot, qoftë edhe duke rrezikuar të nis përgjigjet me një klishe. Në
mënyrën e vet dhe me mundësitë e veta, ndonëse në kohë të ndryshme, gjithkush më ka treguar se nëse gatuan me kujdes e dashuri, mund të bëjë të mrekullueshme edhe pjata të thjeshta, pa qenë nevoja për përbërës të kushtueshëm. Mendoj se gjithçka duhet të ketë nisur nga gjyshja e tim eti. Gjithkush që e ka njohur, thotë se ajo ka qenë një zonjë me shije të hollë dhe tepër e rregullt. E ardhur nga Stambolli në vitin 1925, për të ndjekur të shoqin në karrierën e tij si mësonjës filozofie dhe dijetar i shquar, ajo ishte një model elegance, rregulli dhe përkushtimi për kohën. Nga largësia e viteve, kam mundur të shijoj elegancën e serviseve të familjes, mbulesat e tavolinës dhe qëndismat e punuara me dorë, që kanë mbërritur tek unë që nga sëndukët e pajës së sime gjysheje. Edhe sot e kësaj dite, e ruaj me fanatizëm çdo gjë që ka pasur dorën dhe shijen e saj. Jo pak herë jam ndier me fat që jam rritur në një ambient të tillë e me një kujdes të tillë. Ndërkohë, familja e sime mëje ka qenë e thjeshtë, por tepër e kujdesshme ndaj rregullit, pastërtisë e ushqimit të gatuar me shumë përkushtim. Jam rrethuar gjithnjë nga njerëz të palodhur e të papërtuar, të cilët kujdeseshin gjithnjë për të tjerët, dhe besoj se kjo ka ushqyer edhe pasionin tim për gatimin.

Sa jeni ndikuar nga atmosfera e kuzhinës së shtëpisë suaj gjatë fëmijërisë? A kujtoni të keni qenë kureshtare, të keni pasur dëshirë të përfshiheni në gatim?
Jam ndikuar shumë dhe kam qenë gjithnjë kureshtare për sa i përket gatimit; sigurisht, për ato receta që më pëlqenin më shumë! Por një rol të veçantë në këtë drejtim ka pasur përkushtimi e ndoshta edhe vetëmohimi i njerëzve të mi, që lavdëronin pa masë çdo gatim timin, pasi vetëm kështu do të motivohesha për ta provuar përsëri, derisa t’ia dilja vërtet.
Ata që janë të apasionuar pas gatimit, e lidhin shtëpinë e tyre të fëmijërisë me një aromë të caktuar. Mund të jenë biskotat e pjekura ose erëzat e ndryshme. A ju vjen ndër mend një imazh apo aromë tipike nga ajo kohë?
Në fakt, pasionin për gatimin, instinktivisht e lidh me përgatitjet e zahireve të dimrit. Në shtëpinë e gjyshes I përgatisnim vetë jufkat e ky ishte një ritual më vete. E nisnim me mbledhjen e vezëve dhe kur kishim mbledhur aq sa duhej, gjyshja ftonte disa prej kushërirave të saj për ta ndihmuar. Ajo vinte shtatpaktë dhe nuk kishte shumë fuqi, por nuk reshtte së punuari, duke përgatitur gjithçka që duhej për zonjat që merreshin me përgatitjen e jufkave, si edhe për të asistuar në atë proces. Në krye të këtij procesi ishte Nevzer Ablla: ajo zinte brumin dhe hapte petët, ndërsa për t’i prerë kishim një komshi, një zonjë të vjetër, shtatvogël, por me një zemër të madhe, teta Rehanen. Pas kësaj, gjyshja dhe unë i shtrinim nëpër çarçafët e bardhë borë e të shtruar në dhomat e gjumit ne katin e dytë të shtëpisë, ku s’mund të hynim më, derisa jufkat të thaheshin.

AHP 9105
Cili ka qenë apo është ende gatimi tradicional i familjes, prej të cilit nuk keni hequr dorë?
Nuk kam hequr dorë e s’do të heq dorë kurrë nga birjani me jufka e mish qengji.
Përveç përkushtimit të përditshëm, si kanë qenë festat në shtëpinë tuaj të dikurshme?
Ne vijmë nga një familje që nuk e ka pasur traditë festimin e Krishtlindjes, por festonim Vitin e Ri. Pas darkave të mëdha me gjithë kushërinjtë e parë, vinte ajo që mezi prisnim të gjithë: loja me tombola. Ne kemi pasur një lojë tombola të blerë që para çlirimit (ose në kohën e Italisë, siç thoshte gjyshi im), të cilën kishim të drejtë ta përdornim vetëm një herë në vit, e pikërisht natën e ndërrimit të viteve. Kush fitonte (Ç’gëzim ishte kur fitonim!) kishte fat gjithë vitin. Kështu mendonim atëherë. Skedat e tombolës janë zverdhur nga përdorimi e koha, por ne vazhdojmë që çdo Vit të Ri, të luajmë tombola dhe nuk e prishim traditën.
A mendoni se dashuria për gatimin është e trashëguar, apo mjafton të kesh një qiellzë të mençur për të zhvilluar shijen me kalimin e kohës dhe me përvojë?
Të them të drejtën, mendoj se asnjëra nuk e përjashton tjetrën. Them kështu, pasi të rriturit në një ambient ku gatuhet mirë, me vëmendje e dashuri, e kthen gatimin në një stereotip me të cilin mësohesh, dhe me kalimin e kohës e përvetëson. Nga ana tjetër, nuk mund të them kurrsesi që nëse nuk e ke pasur traditë gatimin, nuk ke mundësi për t’u përsosur në këtë art.
Virginia Woolf, ka thënë: “Nuk mund të mendosh, të duash apo të flesh mirë, nëse nuk ushqehesh mirë.” A jeni ju dakord me këtë?
Në përgjithësi mendoj se të gjitha citatet dhe thëniet që motivohen nga dëshira e njeriut për t’u ushqyer me cilësi,
shije dhe dinjitet, kanë një bazë vërtetësie. Njeriu duhet ta gatuajë ushqimin dhe të tregojë respekt ndaj tij, sepse në shoqërinë tonë ai vazhdon të fitohet me punë dhe lodhje. Në fund të fundit, gatimi është një nga elementet që e shkëputi njeriun nga bota e egër, duke i hapur atij rrugën drejt qytetërimit.

AHP 9175
Ju keni jetuar për njëfarë kohe në Itali, atje ku është e pamundur të mos ndikohesh nga gatimi. Si është zhvilluar shija e si është përmirësuar gatimi juaj gjatë asaj periudhe dhe në vitet në vazhdim?
Mendoj se marrëdhënia ime me gatimin dhe ushqimin është ndikuar shumë nga koha e studimeve të mia. Së pari, sepse atje duhej të përgatisja vetë gjithçka dhe së dyti, në supermarket kishte pafundësi zgjedhjesh. Të mos harrojmë se në ato vite, ndonëse Shqipëria kishte nisur të hapej e tregu të mbushej, ishim përsëri shumë larg krahasuar me kohën në të cilën jetojmë. Edhe sot, në Shqipëri zgjedhjet për përbërësit janë disi të kufizuara, mendo si kanë qenë në vitin ‘94 apo ‘95. Ndaj unë gjeta atje mundësi të pafundme dhe zbulova shijet e dietës mesdhetare. Sigurisht që mundësitë tona të kufizuara nuk na lejonin të shkonim nëpër restorante, por në piceri ia dilnim dhe ende më kujtohet pica ime e preferuar, “Zingara”, të cilën s’e kam gjetur më në asnjë vend tjetër e në asnjë menu picerie. Me sa duket, ishte ekskluzive e asaj picerie në Trento, së cilës as emrin nuk ia mbaj mend. Nuk jam kthyer më në Trento e më vjen shumë keq për këtë, por kam ndër mend të shkoj në vitet në vijim me shoqet e mia. Më pas, e kam eksploruar më shumë gatimin dhe shijen pasi nisa të punoja, pasi kuptohet që edhe mundësitë u shtuan dhe kështu fillova edhe të lexoja më shumë për këtë.
Me shtimin e përvojës, gatimet e cilit vend preferoni më shumë?
Mendoj ende që kuzhina ime e preferuar është ajo mesdhetare, pra, kuzhina italiane. Nuk jetoj dot pa makarona. I dua shumë dhe i gatuaj në dhjetëra mënyra. Madje edhe im bir ka nisur të eksperimentojë në këtë drejtim. Përveç kësaj, eksperimentoj jo pa sukses edhe me kuzhinën meksikane dhe atë kineze, por sigurisht që me një numër të kufizuar recetash.
A ndikon gjendja shpirtërore në gatim? Përvoja të ndryshme tregojnë se një pjatë nuk del asnjëherë e mirë, nëse kuzhinieri nuk është në humor. Ju ka ndodhur ndonjëherë?
Jo, kjo nuk ndikon tek unë, sepse për mua gatimi është antistres. Pra, kam gjithnjë dëshirë të gatuaj dhe kjo vjen si nevojë për të çliruar energji kur jam e stresuar apo e mërzitur. Madje kur kam stres ha edhe më shumë; edhe gjatë sezonit të provimeve merrja gjithnjë ndonjë kilogram.
Cilat kanë qenë disa nga eksperimentet që nuk kanë rezultuar të mira? Po ato më të suksesshmet?
Një pjesë të mirë të recetave i marr nga librat apo revistat e gatimit dhe përgjithësisht kam pasur rezultate të mira, por ka pasur edhe disa raste kur gatimi ka qenë “ha dhe hesht!”. Rasti që më ka dhembur më shumë, ka qenë një recetë kremkarameli sipas një libri gatimi francez, që kisha bindjen se do të ishte perfekt, por doli një katastrofë e vërtetë. Kisha njerëz për darkë dhe ishte e vetmja ëmbëlsirë që kisha bërë! Ndërkohë, sukseset mbahen mend më lehtë! Disa nga recetat e mia të forta, i kam prezantuar edhe më parë, por torta “aromë Damasku” dhe pata me fruta të thata pylli, mendoj se kanë qenë suksese dhe i përdor sa herë që dua të jem e sigurt. Për lexueset tuaja do të tregoj recetën e gjelit të mbushur me mollë, spinaq e salsiçe. Sipas meje është, shumë, shumë e shijshme.
Ashtu siç ndodh me të gjithë të apasionuarit pas gatimit, a ju ndodh edhe juve që në një mënyrë a një tjetër, biseda me njerëz të afërt të përfundojë gjithnjë me një përvojë kulinare a recetë?
Nuk më kishte shkuar ndonjëherë mendja këtu. Me disa persona po, me disa jo… me raste. Por kjo ka ndodhur më shpesh në të shkuarën. Tani që angazhimet janë shtuar, takimet me njerëzit po ashtu, edhe koha që më mbetet për gatimin nuk është si dikur. Por, sigurisht, unë dhe mikeshat e mia, ndodh që i telefonojmë njëra-tjetrës për t’i sugjeruar diçka që na ka tërhequr vëmendjen, ndonjë gatim të çuditshëm a ndonjë recetë të rrallë. Por kjo u ndodh të gjithëve besoj.

AHP 9261AHP 9328
A keni dikë që e merrni në telefon edhe sot për ta pyetur për ndonjë recetë?
Po, më shumë se një madje. Unë e thashë që në familje në përgjithësi gatuajnë shumë mirë, por për ushqimin tradicional jo rrallë marr time më në telefon. Ajo nuk është shumë krijuese, por është një kuzhiniere e jashtëzakonshme për gatimet që ka parë apo provuar. Edhe halla ime e vogël është një mjeshtre tjetër gatimi! Ajo gatuan me aq rigorozitet dhe dashuri, saqë është e pamundur t’i rezistosh çdo pjate që bën. E fundit në radhë brenda familjes, por jo për nga rëndësia, është kushërira ime e parë, Ani. Ajo është perfeksioniste, gatuan më rrallë se ne, por, kur ndodh, nxjerr gatime të mrekullueshme, ama me dyfishin e harxhit që do të përdorte secili prej nesh dhe mund të të nxjerrë me “këpucë të kuqe”. Thënë midis nesh, ajo dhe im bir janë më dorëlëshuarit. Ndërsa personi që do të pyesja gjithnjë për një recetë ëmbëlsire, është mikesha ime e dashur, Sadije Berisha. Një kompliment prej saj si kritike e rreptë që është, më gëzon shumë, sepse është më shumë se i tillë.
A pyesni në restorant për përbërësit që janë përdorur në pjatat që ju pëlqejnë, apo përpiqeni t’i gjeni vetë?
Nëse një pjatë më pëlqen, mundohem të kuptoj se çfarë ka në të dhe si është përgatitur ajo. Me mendje mundohem edhe ta realizoj dhe rrallë nuk ia kam dalë, por pyes edhe shefat e kuzhinës. Me disa prej tyre kam marrëdhënie shumë të mira, sepse u bëj pyetje të hollësishme e të kujdesshme, duke zbuluar pasionin tim për ushqimin dhe gatimin; e kështu diskutojmë gjatë për këtë temë. Nuk kam gjithnjë kohë, kuptohet, por nëse ndodh, më pëlqen të eksploroj librat e mi e të eksperimentoj apo të diskutoj për ato receta. Sigurisht, unë mbetem një amatore në këtë fushë, megjithatë përpiqem.
A kishte të drejtë Julia Child kur thoshte se njerëzit që pëlqejnë ushqimin janë më të mirë?
Jo domosdoshmërisht. Historia e njerëzimit jo rrallëherë ka provuar të kundërtën.
Sa kohë ju mbetet për të gatuar, me punën që keni?
Më mbetet shumë pak kohë dhe të them të drejtën, nuk është se kam pasur ndonjëherë me tepricë. Megjithatë, mendoj se ky është një pasion dhe jo detyrim i përditshëm. Edhe kur konsumojmë një vakt të thjeshtë, hamë një omëletë apo një sallatë me mocarela, unë mundohem t’I kushtoj vëmendje paraqitjes së pjatës, sikur të kisha miq në shtëpi. Në fundjavat e rralla kur nuk duhet të udhëtoj për arsye pune, më mbetet disi më shumë kohë për t’u marrë me gatimin. Megjithatë, ne jemi familje e vogël dhe për të gatuar, provuar dhe shijuar gjëra të reja duhen më shumë persona. Im bir jo gjithnjë është partizan i shijeve të reja në gatim; është pak konservator në këtë pikë, por kohët e fundit kemi bërë përparime.
A ndodh që miqtë ju telefonojnë për t’ju kërkuar të gatuani diçka apo vijnë papritur vetëm për të ngrënë nga duart tuaja?
Jo, papritur nuk vjen njeri, por sigurisht që më telefonojnë për t’u vetëftuar dhe kjo më gëzon, shumë madje. Rrallë më ndodh të përtoj të gatuaj e kjo kur jam tejet e lodhur, por në përgjithësi, këto lloj kërkesash vetëm më gëzojnë.

AHP 9274
Bashkë me ushqimin, a keni qenë e interesuar edhe për njohjen e verës?
Vera është e vetmja pije alkoolike që pi (në mënyrë të moderuar) me dëshirë dhe mendoj se vit pas viti kam fituar edhe ndonjë shprehi në këtë drejtim. Por e quaj veten amatore apo shijuese të gëzuar dhe kaq.
Po shtëpia juaj si shndërrohet gjatë festave të fundvitit?
Që me lindjen e Eranit, 15 vjet më parë, vura re se nisa të merresha seriozisht me zbukurimet e Vitit të Ri, ndoshta
për të gëzuar edhe unë, si fëmijët. Qysh atëherë, çdo vit blej zbukurime të reja për pemën. E them me shumë siklet këtë, sepse janë ca harxhime të panevojshme, por para topthave të pemës se Vitit të Ri, jam si fëmijë i vogël, nuk rezistoj dot. Këtë dobësi përpiqem ta kompensoj duke i zgjedhur me kujdes zbukurimet dhe nuk i shpërdoroj kurrë. Në pemën e këtij viti kam vendosur trëndafila dhe mollë të arta, të cilat i kam shtuar vit pas viti.
Cilën recetë ju kërkon ta gatuani gjithmonë djali juaj?
Fajitas.

AHP 9136
A keni një menu të caktuar Krishtlindjeje apo ajo ndryshon gjithmonë?
Këto dhjetë vitet e fundit kam marrë stafetën dhe e kam organizuar vetë darkën e fundvitit për familjen time. Sa për menunë, përgatitjet fillojnë që dy javë përpara për të përcaktuar produktet që do të përdor dhe recetat e reja që do të sjell. Menuja ndryshon çdo vit, të paktën pjatat e para, por edhe ajo kryesorja, ndonëse për disa vite kam përgatitur recetën time më të mirë: gjelin e detit të mbushur me mollë jeshile, spinaq dhe salsiçe të freskëta. Është vërtet i jashtëzakonshëm dhe kjo mbushje është ndër të preferuarat e mia.
Sa keni ndikuar ju dhe sa arkitekti në arredimin e kësaj shtëpie kaq të bukur?
Si çdokujt tjetër, edhe mua më pëlqen të lë vulën time në punimet e shtëpisë. Arkitektët kanë dorë në pjesën më të madhe të konceptimit dhe ndarjes së hapësirave, por jo aq sa të mos them me krenari se jam një bashkautore e denjë në realizimin e saj. :)

Ani Jaupaj, Fotografia Armand Habazaj