Gjarpri tmerron pasagjerët në avion gjatë një fluturimi (Video)
Disa pasagjerë që po përshkonin linjën e fluturimit nga Bankok për në Phuket, kanë parë tmerr me sy. Njërëzi...
“Po, më kanë kërkuar, madje të punoj me një fotograf të mirë në Amerikë. Ideja më pëlqen, por nuk është akoma momenti”, thotë ajo. “Është një revistë e rëndësishme dhe do të doja ta hidhja këtë hap kur të kem bërë më shumë gjëra në karrierën time, të jem më e pjekur. Mosha 35-vjeçare do të ishte e përsosur”. Liston një sërë personalitetesh që kanë qenë kopertina të revistës erotike, që nga Merylin Monroe, e deri te Cindy Crowford. Ajo ndihet rehat me trupin e saj, nuk ka turp të zhvishet. Të nesërmen, në set, mban një fustan shik mbrëmjeje, të lehtë e të derdhur deri në fund të këmbëve. Tek pozonte duke ngrënë luleshtrydhe dhe duke pirë verë të kuqe në tarracën e një jahti, ishte aq e lodhur sa e la veten të lirë dhe në një moment, dekolteja u tregua më bujare se ç’duhet. Por teksa nxitonin t’i rregullonin fustanin dhe ta këshillonin të tregohej e kujdesshme, vetë nuk e prishi terezinë. S’u bezdis as nga breshëria e duarve që u derdhën mbi gjoksin e saj për “ta shpëtuar”. “Jam mësuar me njerëzit që më prekin në trup gjithë kohës, madje ndonjëherë nuk e marr vesh ç’ndodh. Nuk është fundi i botës!”, qesh dhe rrëmben një brusketë me djathë, borzilok e domate nga pjata në qendër të tavolinës. E njeh mirë veten, e di se është rrëmujaxhie e lindur. “Ka situata të sikletshme dhe të pakëndshme gjatë punës, por nuk dua ta teproj me reagimin; tek e fundit, ky është modelingu”. Shumica e atyre që punojnë në këtë industri janë gay, çka i bën gjërat më të thjeshta për modelet. Sot nuk u kushton më aq shumë rëndësi, por pak vite më parë këto gjëra e tronditnin. Në 2011-ën, teksa parakalonte në tapetin e kuq të “CFDA Fashion Awards” disa fotografi që kishin kapur pjesët intime të saj, filluan të qarkullonin me shpejtësi në media dhe rrjete sociale. Për vajzën në fillimet e saj në botën e “projektorëve”, nuk mund të kishte gjë më të tmerrshme. Më kujtohet sesi atë kohë, madje dhe më vonë, dëgjoja të thoshin se ishte bërë me qëllim, për të fituar famë, por Anxhela më siguron se ishte thjesht një gabim. “Duhet të jesh e marrë ta bësh diçka të tillë enkas. Asokohe nuk isha e përgatitur të kaloja nëpër atë Ferr. U mërzita aq shumë, sa kam qarë një javë rresht. Pastaj pashë intervistën e Merylin Monroe, kur në kulmin e karrierës i nxorën foto nudo. Ishin vitet `50, mund ta merrni me mend sa të vështirë e ka pasur, por gjeti kurajën dhe e kaloi. “Isha e re, kisha nevojë për para”, u tha gazetarëve. “Trupi im më përket mua, do të bëj çfarë të dua me të”. “Kështu ua mbylli gojën të gjithëve”, thotë Anxhela. “Prindërit më kanë mësuar që në jetë të krahasohem me njerëzit e mëdhenj dhe Merylin më frymëzoi në ato momente”. Modelja është ndër të paktët personazhe që thotë e bën gjëra “skandaloze”, por nuk kryqëzohet për këtë. “Kur them diçka, në atë moment nuk mendoj nëse njerëzit do të më gjykojnë. Ata e dallojnë “energinë” tek ty... Ka që bëjnë pisllëqe pa fund, pastaj në emisione televizive hiqen si “të ndershmet e dheut”. Njerëzit i nuhasin gënjeshtrat dhe nuk të duan kur shtiresh”. Fitorja e parë e saj ndaj frikërave ishte disa javë pas kësaj ngjarjeje të pakëndshme, kur e ftuar në një program amerikan, e mbajti mirë presionin. “Një gazetar më bëri një pyetje idiote: “Cila do të ishte këshilla jote për vajzat e reja?”. “Ç’përgjigje t’i jepja? Që i këshilloja të veshin gjithmonë mbathje?”. S’ia jap askujt mundësinë të më bëjë të ndihem keq. Iu përgjigja: “Vajza, depilohuni, nuk i dihet kurrë se çfarë mund të ndodhë”. Pastaj, duke parë nga ai, e pyeta: “Çfarë do të ndodhte po të shikonim ty pa të brendshme, se me mua njerëzit u kënaqën”. Të gjithë e duan mënyrën “e pacipë” si përgjigjet kjo vajzë. E pëlqejnë që është kaq e guximshme. Anxhela është çliruar nga komplekset që në vegjëli, kur e ëma, e cila e donte me shpirt, e mbushte me lavdërime, e bënte të ndihej e dëshiruar. “Më thërriste ‘e bukura e dheut’. Unë isha e gjatë, e hollë, bija shumë në sy. Por ime më nuk e vuante këtë pjesë. Përkundrazi, ishte krenare për trupin tim dhe ma thoshte: “Pa shikoji ato shalë të gjata. Do t’i marrësh të gjithë në qafë me to”. Krenohej me bukurinë time dhe nuk e përjetonte atë si një “fatkeqësi”. Anxhela kthehet pas në kohën kur nuk vendoste vetë për gjërat dhe kupton se të qenit e lirë, e ka bërë atë të fortë. Kur bënte ndonjë gabim, nuk i bërtisnin, nuk e dënonin, nuk e bënin të ndihej keq. Në moshën shtatëvjeçare, ajo humbi unazën me diamant të së ëmës dhe mënyra si u menaxhua ajo situatë, do të linte gjurmë të thella në shpirtin e vogëlushes. “Mami më kërkoi t’i thosha të vërtetën dhe më premtoi se nuk do të më bënte gjë. “Por nëse më gënjen, do të mërzitem”, tha. Gjëja e fundit që doja, ishte të mërzisja njeriun që adhuroja më shumë në botë, ndaj pranova se e kisha humbur unë unazën. Mami më pa, më rroku e me lehtësinë më të madhe, i dha fund gjithë kësaj me vetëm një fjali: “Nuk ka gjë shpirt, ishte thjesht një send”. Më mësoi të jem e drejtë. Në mënyrën e saj, më la të kuptoj se kurrë nuk duhet të gënjej dhe se fuqia e vërtetë qëndron në kurajën për t’i pranuar dhe thënë gjërat ashtu siç janë”.
Është kaq e emocionuar kur flet për fëmijërinë, saqë zëri fillon t’i dridhet dhe ngatërrohet me fjalët. Të dy shpërthejmë në të qeshura kur thotë “Kam pasur fëmijërinë më të bukur në jetën time”, sikur njeriu të kishte më tepër se një fëmijëri. Ka qenë fëmijë i llastuar. I ati emigroi në Zvicër në 1990-ën, ndaj familja gëzonte mirëqenie ekonomike. “S’e kam ndjerë kurrë varfërinë. E vogël kam pasur biçikletë BMX, kukulla pa fund dhe shumë gjëra të tjera që jo çdo fëmijë i kishte”. Por fëmijëria në Shqipëri nuk do të zgjaste. Kur ishte 9 vjeçe, Anxhelën u përpoqën ta rrëmbenin. Ka folur gjatë në shtyp rreth asaj pasditeje kur, dy burra që u prezantuan si miqtë e të atit, donin ta mashtronin dhe ta fusnin në një makinë, por luftarake siç ishte, ia doli t’u shpëtonte. I frikësuar, i ati e tërhoqi në Zvicër. Për gati një vit e përjetoi keq ndarjen nga e ëma, gjyshja, shokët dhe shkolla, por kjo përvojë i mësoi se çfarë do të thotë t’i japësh kohën e duhur gjërave që të rregullohen. “Jeta është plot ulje-ngritje, duhet ta pranosh. Njerëzit e torturojnë veten me pyetje, kur gjërat janë të thjeshta. Asgjë nuk ndodh pa arsye... Ishte e shkruar të shkoja në Zvicër, ku jeta ime do të ndryshonte rrënjësisht. Në atë çast nuk e kuptova, por më vonë, po”. Kur dikush kalon një përvojë të tillë, betejat në botën e egër të modelingut i duken si një lojë “Mos u nxeh”. Mund të kesh shkuar larg, dikush të “djeg”, duke të kthyer përsëri në bazë, por prapë është bukur t’ia nisësh nga e para.
Kthehemi pas në çastin kur sapo e takova Anxhelën. E kam intervistuar edhe përmes internetit, por me rastin e “Living” është hera e parë që shihemi përballë. Teksa shtrëngojmë duart, modelja picërron sytë, mbështetet në karrige dhe më pyet për shenjën e Horoskopit. “Mënyrë interesante për të hyrë në bisedë”, mendoj. E sfidoj ta gjejë vetë dhe për habinë e të gjithëve, Anxhela qëllon në shenjë. “Po”, pohoj. “jam Peshore” e pastaj shtoj si gjithmonë: “Si Kadareja, Enveri, Fatos Nano, etj”. Këtë pjesë s’duket se e kupton, plus që është e zënë duke u krenuar me “fitoren” e saj. Kërcen nga karrigia, tok duart me të gjithë në tavolinë. “E di, e kam ndjerë `energjinë` tane”, ngre krye dialekti shkodran, “kur shkëmbyem mesazhe në celular e më pas, kur më telefonove. Sot që takohemi përballë, më përcolle sërish po atë energji. Je i sjellshëm, kjo është tipike e shenjës suaj. A e di që miqtë e mi më të mirë janë
Peshore?”, i vë pikën Anxhela, duke ngulur pirunin në një fletë të pabindur sallate. Për habi, edhe ish-miqtë e mi më të ngushtë kanë qenë Binjakë, por shpirtrat tanë nuk e di pse kurrë nuk mundën të binjakëzoheshin plotësisht dhe as marrëdhëniet tona të ekuilibroheshin. Ndoshta një anë e peshores ka qenë pak më e rëndë. “Nuk di ç’të them”, ma pret Anxhela duke buzëqeshur. “Unë me miqtë e mi Peshore shkoj për mrekulli”. Njohja jonë nuk mund të niste më këndshëm se kaq. Pra, Anxhela i përket shenjës së Binjakëve? Në darkë vonë, kur tërhiqem në dhomën time të hotelit, nis kërkimin në internet për karakteristikat e shenjës. Zbuloj se Binjakët “Duan të shijojnë çdo moment, u hyjnë gjërave thellë, janë entuziastë dhe euforia e tyre është ngjitëse, kanë aftësi të shkëlqyera komunikimi, humor, janë të paqëndrueshëm dhe intelektualë të lindur”. “Intelektualë të lindur”, hë?! Epo, kjo vlen të thuhet për Anxhelën, pa dyshim. Ajo është shpirtërore, i stërhollon e stërmendon gjërat, i analizon gjatë e gjerë. Kështu ka qenë gjithmonë. “E studioj veten, punoj me të. Njerëzit kanë frikë të hyjnë kaq thellë brenda vetes. E vras shumë mendjen, aq sa ndonjëherë më dhemb zemra”. Anxhela është një surprizë e vërtetë... Bukuria dhe karriera e saj s’i përgjigjen botës së brendshme. Një vajzë e thellë, që bën një punë sipërfaqësore. “Unë jam këtu që ‘të përdorem’. Nuk dua të jem më mirë apo më lart se të tjerët, por dua të bëj më shumë se ata. Kur të plakem, nuk dua të them se kisha `energi` dhe nuk e përdora”.
Në dorën e djathtë, më tërheq vëmendjen një “shkarravinë”, që duket si e bërë me rezervë. Një figurë e vogël, si tip trekëndëshi. Duke qeshur me përshkrimin tim, Anxhela më siguron se është një tatuazh i vërtetë. Pema e Jetës, simbol i kabbalah, të cilin ajo e ka përqafuar prej pak kohësh. Kjo praktikë zbulon sesi funksionon universi dhe jeta. Fjala vetë do të thotë “të marrësh”. Të marrësh dhurata, bekime. “Është si harta e jetës, të ndihmon të gjesh rrugën për të shkuar aty ku do, por më shpejt e më e sigurt”, thotë modelja. “Kabbalah është ajo çka kam kërkuar prej një jete dhe më në fund, e gjeta! Kështu kam arsyetuar e folur gjithë jetën, por nuk e fsheh, ka pasur momente që kam menduar se isha e marrë. Derisa zbulova se ka njerëz të ngjashëm me mua”. Në fillim nuk donte ta ndante këtë pjesë. Nuk donte të përmendej as fakti se punon me mësuesin e Madonës, por unë nuk mund të lë jashtë shkrimit fakte kaq interesante.
Kabbalah dhe Meditimi Transhendental e ndihmuan Anxhelën të vendoste një ekuilibër në jetën shpirtërore. Para dy viteve, asaj iu thye zemra për herë të parë nga një dashuri. Nuk i kishte ndodhur kurrë të ndjente kaq shumë për dikë. “Në fund të çdo lidhjeje thosha: “Mbaroi, nuk ka problem, lëviz, shiko përpara. Gjej një tjetër”. Por kësaj here ishte ndryshe. Për 3-4 muaj pas ndarjes nuk isha as në qiell, as në tokë. Miku im, Russell Simmons, më bëri dhuratë për ditëlindje seanca në Meditim Transhendental dhe tha se do më ndihmonin të dilja nga kjo gjendje. Dhe funksionoi! Aty mësova se frika që na kushtëzon jetën, nuk është e vërtetë. Gjithçka e shpikim në kokën tonë. Jeta është e thjeshtë dhe kur fusim duart të rregullojmë gjërat, ne në fakt thjesht i prishim më keq”.
Qëkurse reshti së pasur frikë, Anxhela e sheh jetën si një festë të madhe. Shijon çdo gjë që i ofron momenti, sado e vogël dhe e papërfillshme të jetë. E ndoqa edhe në set. Ka nevojë për muzikë teksa fotografohet dhe i kërkon kushëririt që e shoqëron t’i gjejë këngët e preferuara në iPhone. Nis kërcen, këndon, pa komplekse. Kjo është një mënyrë për t’u shtendosur dhe qetësuar, duke shfrytëzuar hapësirat nga një foto te tjetra. I përfshin të gjithë në pasionin e çmendur për punën, në humorin gjithmonë të mirë dhe euforinë; “energia” e saj është ngjitëse! “Kur zbret në set, shndërrohet”, do të më thoshte grimierja Lili Ismaili, ndërsa shkrepeshin fotot e fundit në Portin e Jahteve, në Orikum. “Është vajzë e bukur në realitet, pa dyshim, por kur del në foto, epo, kjo është krejt tjetër gjë”. Muzgu ka rënë, dielli po zhduket. Anxhela ecën krenare me perëndimin që i njom shpatullat. Pas ditësh të lodhshme rrugë, grim, vish e zhvish rroba, pozimesh në pikun e vapës, “bateria” është në vijën e fundit. Por kur aparati bën “krak”, duket sakaq e freskët. Është si një magji, që nuk funksionon me “abracadabra”, por me “qeshshshsh”. Sheshi i fotografimit është jeta e saj. Më kujtohet biseda me stilisten Mirela Nurçe, kur i thashë se do të punonim me Anxhelën. Ajo më siguroi se na priste një përvojë unike. Kanë punuar disa herë bashkë e nuk ka njohur kurrë njeri më “këmbëngulës dhe të përgjegjshëm”. Një herë, bënin foto në mes të dimrit për një kompani shqiptare. Fadili e nxori të zhveshur në borë; gjunjët i ishin rrjepur, trupi i ishte mbushur me flluska e lëkura i ishte bërë blu. Fadili donte ta ndërpriste shërbimin, por Anxhela këmbënguli që ta çonin deri në fund. Kurrë nuk largohet nga seti pa mbaruar punë. “Pasioni është më i fortë se dhimbja”, thotë modelja. “Pasioni është i përjetshëm, dhimbja e çastit. Ajo do të kalojë, kurse një dështim mbetet përjetë”. Është e lumtur që po i jepet mundësia të punojë me një ekip shqiptar, pasi gjithmonë i ka refuzuar ofertat. “Koha kaloi shpejt e bukur këto dy ditë. Kam shijuar detin, por dhe kam punuar. Kam njohur njerëz të rinj, jetën dhe historinë e tyre”, do të më thoshte gjatë drekës në hotel, kur sapo ishte kthyer nga fotot në jaht. Të dy ia kemi ngulur sytë me adhurim detit, i cili çuditërisht, sikur ta dinte çfarë kemi në shpirt, ka vendosur të dhurojë spektakël enkas për ne. Rrezet e diellit që bien pingul në këtë orë, e kanë veshur me xixa, si teminat e një pëlhure atelieri. Deti është i pavendosur. Gjysmë blu dhe në mes të horizontit, një vijë e pret si me thikë. Përtej asaj vije, merr ngjyrë të kaltër. Çfarë mund ta bëjë më të përsosur një mesditë të nxehtë korriku si kjo, përveç detit lojcak, një bukurie të mençur dhe... fokaçes me djathë dhe vaj ulliri?!
Por, pa i hequr asnjë pikë bregut të Radhimës, Anxhela ka mbetur veçanërisht e mahnitur nga shëtitja në Karaburun. Thënë nga një vajzë që ka kaluar pjesën më të madhe të vitit në bikini, nuk është pak. “Jam gjithë kohën në rroba banje, më ka marrë malli të vesh pallto”, thotë ajo me shaka. Vetëm muajt e fundit ka qenë në Majami, Ulqin, Meksikë, Los Anxhelos, Kanë, Ibiza dhe tani, në Shqipëri. Këtu ka ardhur me Fadilin, për Sherry Hill dhe para kësaj, ka mbyllur me sukses shërbimin me “Yamamay”, si imazhi i kësaj firme këtë verë. Po përpiqet të marrë maksimumin nga puna, të mbyllë sa më shumë kontrata, se e di që kjo ëndërr nuk do të zgjasë përgjithmonë. “Gjithçka e ka një fund”, tund kokën ajo, në shenjë përuljeje për planet e Zotit. “Por dhe unë nuk dua të bëj të njëjtat gjëra, të jetoj në të njëjtin vend”. Në të ardhmen e sheh veten si gruan e një burri pas të cilit çmendet. Ai punon, ajo rri në shtëpi e kujdeset për fëmijët. “Kuptoj dashurinë që nëna ka për mua”, thotë, “dhe besoj se kjo do të më ndihmojë të jem dhe vetë një nënë e mirë. Dua që fëmijët e mi të ndihen siç jam ndjerë unë e vogël: specialë”.
Hapi i parë është të gjejë “babanë e fëmijëve” e për momentin, ai nuk duket gjëkund në horizont. Nuk është e lidhur, por mund të flasim për historitë e saj të mediatizuara. Kur e ngacmoj për Ledrin, përgjigjet me ironi. “Pyesni ata që kanë përhapur thashethemet, jo mua”. Njerëzit ndoshta e kanë shpikur këtë lidhje, sepse duken bukur të dy bashkë. Edhe ai është shumë tërheqës. Por fiziku mesa duket nuk është gjëja e parë që ka rëndësi në një lidhje për modelen. “Një mashkull mund të jetë më i bukuri në botë, por nëse nuk ndiej “energinë” dhe kiminë me të, nuk shkoj më tej”. Ajo i prish lidhjet në shumicën e rasteve, sepse mërzitet. “Mashkulli duhet të jetë i zoti. Si fillim, duhet të bësh dashuri me mendjen time, pastaj të tjerat”, qesh. “Duhet të jetë i veçantë, që unë të mos humbas asnjëherë interesin për të”.
Anxhela është përfolur se i ka pikë të dobët djemtë me ngjyrë, fakt që e konfirmon. E meqenëse nuk ka kaluar një kohë e gjatë nga martesa e ish-të dashurit të saj, Kanye West, me Kim Kardashian, e hedh si argument në tavolinë. Kam një ndjesi sikur ka qenë një ndër meshkujt më të rëndësishme në jetën e saj. “Kanye është treguar i mirë me mua, ndaj kemi mbetur miq”, i bie shkurt ajo, sikur të ishte duke vrapuar nga një ndjesi e angësht. Vetëm më vonë, gjatë mbrëmjes, do ta kuptoja “pse”-në e kësaj sjelljeje të çuditshme. Kur më rrëfen se ka rënë vetëm një herë në dashuri në jetën e saj. Ai ishte tepër i famshëm dhe ajo nuk ndihej gati të jetonte një lidhje kaq në qendër të vëmendjes dhe nën presion. “Pastaj, nuk e besoja se më donte vërtet. As unë nuk i tregoja si ndihesha për të. Ka qenë një mësim i madh. Më mirë ta thuash atë që ndjen e të dukesh e marrë, se ta mbash brenda. Kisha frikë mos lëndohesha, por kur ke frikë dhe ruhesh, lëndohesh më shumë”, për herë të parë e të fundit, lexoj trishtim në sytë e saj. Kësisoj bëhem kureshtar, dua të di kush është ai “i poshtër” që lëshoi një lumë shigjetash në zemrën e Anxhelës dhe i shkaktoi këto plagë? Me stil, ajo më lë të kuptoj se bëhet fjalë pikërisht për Kanye, por nuk i pëlqen ta pohojë këtë me gojën plot.
Tani e kam më se të qartë. Vajzat gabohen në lidhje me Anxhelën. Ato nuk duhet të jenë xheloze për trupin e saj të bukur, portretin seksi dhe karrierën e shkëlqyer. Jo, duhet ta kenë zili për nënën që i dha dashuri, liri dhe ndjesinë se mund të arrijë gjithçka në jetë; për miqtë e pasur, që nuk i dhurojnë bizhuteri të shtrenjta, por “masazhe për shpirtin”, seanca meditimi; për vullnetin për të çuar deri në fund çdo punë, pa marrë parasysh vështirësitë; për të qenit e sinqertë me veten e meshkujt që kanë pasur fatin ta duan... Mbrëmja ka veshur sërish detin me mantelin blu të thellë dhe ajrin me këngën e gjinkallave. Të kapitur, marrim rrugën për në Tiranë. Makinat përpiqen të ruajnë autokolonën, por herë humbasim dhe herë e gjejmë njëri-tjetrin. Në semaforin në hyrje të një qyteze, ndeshemi një çast me makinën e Anxhelës. Xhamat dridhen nga muzika e bukur amerikane që buçet nga radioja e shkodrania seksi shfaqet në sediljen e parë të pasagjerit, duke kërcyer si e çmendur dhe duke qeshur. Na fton në “festën” e saj, po kush ka më fuqi?! Sakaq, semafori bëhet jeshil e makinat duhet të nisen sërish. Xhami i dritares që ngrihet ngadalë “fshin” pak e nga pak imazhin e saj të bukur bohem. Kur është mbyllur plotësisht, nuk shikoj më asgjë, veç pasqyrimit të portretit tim, i cili duket i kënaqur nga aventura që sapo përfundoi...
Disa pasagjerë që po përshkonin linjën e fluturimit nga Bankok për në Phuket, kanë parë tmerr me sy. Njërëzi...
Çaji e sidomos ai jeshil është një pije e mrekullueshme. Më poshtë ju tregoj 10 benefite të tij: 1. Çaji mund t'j...
Flirtet dhe ngacmimet në sferën politike, e kudo, kundrejt personazheve vajza dhe gra, kanë ndodhur dhe mesa duket ende vazhdojnë të ...