Tortat e Lucias, fantazia përrallore prej sheqeri

+

luciciaatort

Lucia përgatit torta, jo vetëm të shijshme, por edhe me dekor fantastik, një talent të cilin e ka zbuluar së fundmi, krejt rastësisht. Çdo ditë, klientë të kryeqytetit, disa prej të cilëve njerëz të rëndësishëm e me pozitë, ‘gjykojnë’ tortat e saj... dhe deri më sot ‘e pandehura’ i ka fituar të gjitha ‘çështjet’!

Nga Gentian Minga, Fotografia Armand Habazaj

Fantazi, e ëmbla fantazi!
Tortat e Lucias janë jo vetëm të shijshme, por kanë dhe dekore po aq të ëmbla. Për të arritur këtë perfeksion, asaj i është dashur të bëjë shumë kurse dhe trajnime e sot ndihet e sigurt në vetvete. “Jam e apasionuar pas krijimit të kryeveprave në fushën e gatimit për raste të veçanta, si festat e ditëlindjeve, dasmat, pagëzimet, festat për lindjen e fëmijëve, por dhe evenimente kompanish”, – thotë Lucia. - Të gjitha krijimet e mia janë të freskëta, të bëra me dorë e të shijshme”. Ata që përfitojnë më tepër nga fantazia dhe duart e arta të Lucias janë vogëlushët. Shefja e “Pastelitos” mund të sajojë me sheqer personazhet e dashura të filmave të animuar, duke i riprodhuar me një saktësi mbresëlënëse, që nga Pinoku e deri te “Hello Kitty”. Këto figura dalin aq të bukura, sa të vjen keq t’u fusësh thikën... (falë Zotit kushdo mund t’u bëjë foto e t’i ketë kujtim). Për Lucian cilësia ka më tepër rëndësi se sasia, ndaj shpesh është e detyruar të refuzojë disa porosi, për t’iu përkushtuar 100 % të tjerave: “Krijimi e një torte nuk do të thotë thjesht përgatitja dhe pjekja e saj. Duhen ditë të tëra për të përgatitur çdo detaj, në mënyrë që produkti final të jetë diçka e paharrueshme”. Plani i radhës është të hapëk një pastiçeri, pasi për momentin merr pak porosi dhe për to punon në shtëpi: “Tani për tani nuk kam ende një dyqan të hapur për publikun e gjerë. Kam vetëm një punishte të vogël ku punoj tortat e mia, kurse porositë i marr në Facebook”.