TURI & ORINDA tregojnë për Living historinë e dashurisë; Antipatia që u kthye në dashuri

+

livvnor

Nga Elona Jaçellari, Fotografia Armand Habazaj

Për ta, nuk pati asnjë plan, asnjë premtim, asnjë ide se ku do të shkonte lidhja e tyre, e cila nisi krejt spontanisht dhjetë vite më parë. Orinda edhe Turi, e morën lehtë dhe natyrshëm nisjen e marrëdhënies së tyre, duke iu gëzuar orëve pambarim që rrinin bashkë. Atëherë, ata sigurisht që as në ëndërrime nuk e shihnin altarin që sapo ngjitën, por ajo çfarë nuk ua shteronte dëshirën për njëri-tjetrin, ishte kimia që patën. “Fillimi ka qenë shumë i bukur, - tregon Orinda. 
Kalonim shumë kohë bashkë.” “Nuk është se ia kërkonim njëri-tjetrit këtë gjë, - plotëson Turi, - vinte natyrshëm. Mendova se do të vinte një kohë dhe do mbaronte kjo gjë e do shkëputeshim, por nuk ndodhi. Nuk u shter, përkundrazi, u bë më e fortë dhe gjetëm mënyrën që, pa
ia thënë njëri-tjetrit, ta mbanim njëri-tjetrin. Kjo është më e bukura. Ishim dy njerëz kryelartë që nuk e pranonin se po dashuroheshin.” Asokohe, Orinda, në kulmin e vet si këngëtare, ishte 20 vjeçe, ndërsa Turi 22. Mosha e re, ishte pikërisht ajo që u vendoste barrierë mendimeve të të dyve për qëllime më të largëta. E të mendosh që kjo dashuri e madhe, nuk nisi aq zakonshëm sa nis një histori e tillë. Para dhjetë vitesh, Orinda Huta dhe Turjan Hyskaj gëzonin kulmin e sukseseve të tyre në muzikë. Përtej një njohjeje në distancë, asgjë nuk i lidhte dy artistët. Madje, për aq sa njiheshin, nuk e pëlqenin fare njëri-tjetrin. “Nisi si antipati dhe përfundoi në dashuri, - rrëfen Orinda dhe
qesh, ndërsa ndan këto kujtime për revistën tonë. - Nuk e kishim qejf njëri-tjetrin. Kur takoheshim, nuk kishim ndonjë lloj konsiderate. Flas për aq sa mund të shiheshim ne, për sa na lidhte kënga. Dy anëtarët e tjerë të grupit ‘Produkt 28’, ku Turi ishte pjesë në atë kohë, i kisha qejf, atë jo. Më dukej mendjemadh.” “Ndërsa unë, - vazhdon Turi, - e shikoja si këngëtaren e radhës, bionde, e gjatë. E këngëtare. Nuk e mendoja kurrë, po kurrë, që unë do të përfundoja me Orinda Hutën. Por, mënyra se si joshte ajo, ishte shumë ndryshe: kishte finesë dhe elegancë. Rrinim me orë të tëra bashkë, e gdhinim dhe, kur ndaheshim, mezi prisnim të takoheshim.

rnindd

 

Ramë vërtet në dashuri, - vijon ai. - Aq sa një ditë, e pashë veten që nuk rrija dot më pa të rreth meje dhe dalëngadalë, fillova të fshija të gjitha mendimet që kisha pasur më parë për të. Fillova të rimodeloja ato që mendoja dhe e kapa veten duke thënë: ‘Po jo, se nuk është e keqe, është e mirë’ (qesh). Me gjithë detajet personale në lidhje me atë që mendoj unë për Orindën, gjithmonë e më shumë lexoja ‘Po’-në mes nesh.” Kjo histori e bukur dhe spontane, për plot 3 vite, u zhvillua larg syve të të gjithëve. “Pastaj, një ditë të bukur, - thotë Turi, - e mora në telefon dhe i thashë: ‘Të pres sot në orën 20:30 te shtëpia ime se do të takosh mamin dhe vëllanë’”. Krejt natyrshëm, lidhja e tyre mori një drejtim tjetër, sepse çdo vendim ata e bazuan mbi ndjenja dhe jo mbi fjalë e premtime. Nga ana tjetër, Orinda, që nuk e priste këtë hap të ri në lidhjen e tyre, u pushtua nga një lloj emocioni i ri, të cilin nuk e priste. “Të them të drejtën, është një histori e bukur dashurie
dhe është e çiltër, - pohon Turi. - Kjo është e bukura mes nesh, që nuk jemi të shtirur me njëri-tjetrin, qoftë në të keq, qoftë në të mirë. Kemi një kimi të paparë. Ndodh që mund të bëjmë 24 orë luftë me njëri- tjetrin, por kjo më jep një lloj energjie të veçantë. Është shumë e çuditshme, sepse them që po të më kishte vdekur kjo energji që më jep Orinda edhe në momente acarimi, do të më kishte vdekur ndjenja për të. Ne bëhemi merak kur nuk kemi gërricje (qesh). E dua Orindën si qenie, me të gjitha. Më pëlqen çdo gjë jona. Edhe pse me kalimin e viteve, lidhja mund të bjerë në monotoni, nuk na ndodh kurrë të mërzitemi duke ndenjur bashkë. Për të shmangur këtë, shumë çifte zgjedhin shoqërinë në grupe, por me ne nuk ndodh kjo. Është një ndër ato gjëra që kam menduar se pse ia vlejnë kaq shumë vite me të. Këto dilema më janë fashitur përgjithmonë, sepse nuk ndiej atë që të gjithë thonë, se lidhja e gjatë, martesa, është një lloj burgu. Ne kemi pesë vite që bashkëjetojmë, nuk kemi surpriza dhe vazhdojmë ta kemi intensive pjesën e të qëndruarit me njëri-tjetrin. Jemi shumë komplementarë. Kjo është një ndër arsyet pse unë nuk kam frikë për të kaluar jetën me të, sepse nuk e kam problem të kaloj shumë kohë pranë saj. Nga ana tjetër, as unë, as ajo, nuk jemi posevivë. Kur duam, marrim kohë për veten. Është bekim i madh kjo lidhje që kemi.
Por, mendoj se ka ardhur koha të bëjmë një hap tjetër, një fëmijë. Nuk kam dyshime e frikë as për këtë pjesë, sepse e di që Orinda është njeriu i duhur. Njerëzit e njohin si personazh publik, si atë vajzën bionde, karamele, artiste, etj., por Orinda është një vajzë me këmbë në tokë dhe është person që ka vlera, përveç bukurisë, ka forcë. Kjo më jep besim se do të jetë një nënë shumë e mirë.

livorind

 

Unë e di që do të jem baba shumë i mirë, por, nga ana tjetër, kam një siguri se kam një partnere, tek e cila mund të mbështetem fort. Këto janë elemente që, shtoju dashurinë, provat në familje, miqësinë, marrëdhënien në punë, të bëjnë të mos kesh hezitime. Unë kam të njëjtin emocion që kam pasur gjithmonë kundrejt saj. Të njëjtën lumturi për dashurinë që më jep, të njëjtat acarime për gjërat që s’më pëlqejnë, të njëjtën dëshirë për trupin e saj, për trurin e saj. Këto janë ato që më bënë ta çoja përpara këtë lidhje dhe dua që tani të kemi fëmijë. Unë do t’i doja binjakë dhe të kenë sytë e Orindës; dy dëshira që bazohen mbi gjene, sepse edhe nëna e Orindës është binjake, - përfundon Turjan Hyskaj këtë rrëfim kaq të ndjerë, të sinqertë dhe ekskluziv. Rrëfim, i cili nuk shkon pa të lënë pas atë flladitjen e ëmbël të ndjenjave, duke të forcuar idenë se dashuritë e mëdha ekzistojnë, madje ato forcohen edhe më shumë kur kalojnë sprova dhe rriten spontanisht. Përgjatë këtij rrugëtimi të bukur në dhjetë vite së bashku, Orinda dhe Turi ndërtuan një bazë të fortë, mbi të cilën i dhanë dorën njëri-tjetrit për t’u ngjitur në altarin e betimit të përjetshëm.

livori

PROPOZIMI
«Pasi i mori zemrën, vendosi t’i kërkonte dorën... Pas 10 vitesh lidhjeje, vendimi për martesë erdhi krejt natyrshëm. Në gjithë historinë e tyre, ata nuk i bënë asnjëherë premtime të mëdha njëri-tjetrit, edhe pse thellë-thellë, e dinin se ç’rrugë do të merrte dashuria e tyre. “Ka ardhur gradualisht ky vendim, - tregon Orinda, - por unë e kam kuptuar herët që Turjani do të ishte burri i jetës sime. Jam e bindur që edhe nga ana e tij ka qenë kështu. E kishim vendosur bashkë. Do të martoheshim, do të kalonim jetën bashkë, por ende nuk kishim ndarë një datë. E vendosëm vitin e shkuar, sepse, ndërkohë, blemë shtëpinë dhe rregulluam shumë gjëra në jetën tonë”. Por, edhe pse ngjarja e madhe tashmë ishte projektuar disi në horizont, Turi zgjodhi t’i qëndronte rregullave klasike që të çojnë në këtë udhë. Kështu, vendosi të organizonte propozimin, të cilin e projektoi të ndodhte në 5 shkurtin e këtij viti, ditën kur Orinda mbushi 30 vjeç. Zgjodhi Romën për ta bërë këtë moment edhe më romantik, por, në fakt, nuk ndodhi kështu. “Ka qenë pak i çuditshëm, - tregon Orinda duke qeshur. - Pasi kisha vendosur për dasmën e s’kisha si thosha më jo, Turi vendosi të më propozonte.

livvnor

Megjithatë, duke ditur se sa të rëndësishme e kisha unë vendosjen e diamantit në dorë, ai u tregua shumë i kujdesshëm për këtë detaj, duke mos e mënjanuar. Shkuam te “Piazza del Popolo”, në Romë. Sapo zbritëm nga taksia, nxori unazën. Unë e kuptova dhe fillova të tensionohesha. I thosha: ‘Jo, jo, mos e bëj, të lutem’, sepse tashmë e kisha dhënë ‘PO’- në dhe nuk doja të vihesha në siklet përpara gjithë atyre njerëzve. Unë i thosha ‘mos e bëj’, ai më thoshte ‘më lër’. Pranë nesh, rastisi një burrë me lule, i cili e kuptoi se ç’po ndodhte dhe na u turr. Turi po më propozonte, ai donte të
na shiste lule dhe nuk po më linte ta shijoja atë moment, sepse ishte gjithë kohës me ne, aty. Unë i shmangesha, ky i thoshte ‘prit pak’. Çfarë momenti ka qenë! Siklet derisa iu larguam nëpër rrugica, se ai na ndiqte. Por, ka qenë një çast që do të kujtohet gjatë sepse ka qenë edhe me shumë humor”, - përfundon Orinda duke qeshur.