Gjarpri tmerron pasagjerët në avion gjatë një fluturimi (Video)
Disa pasagjerë që po përshkonin linjën e fluturimit nga Bankok për në Phuket, kanë parë tmerr me sy. Njërëzi...
ELONA JAÇELLARI/ REVISTA LIVING
Fotot nga vendet më ekzotike të botës, që ka postuar në rrjetet sociale, janë magjepsëse. Një muaj e sheh në Bangkok, në zemër të mbretërisë tajlandeze, një muaj nuk është çudi të marrë avionin e të fluturojë për në Singapor. Është gjithmonë në kërkim të vendeve të reja, përvojave të reja nëpër skajet më të largëta të botës, për të realizuar një mision të madh: të plotësohet sa më shumë, shpirtërisht, por edhe profesionalisht.
Jonida Çepani është një vajzë e kompletuar: inteligjente, kërkon vazhdimisht ta ngrejë standardin e saj në një nivel më të lartë mendor dhe shpirtëror, ka bërë një sërë trajnimesh, ka përvoja të jashtëzakonshme profesionale, një stil jetese për t’u admiruar, dhe përveç këtyre sharmi dhe hiret femërore, të lënë përshtypjen se natyra është treguar dorëlëshuar me të. Jonida Çepani është diplomuar për Drejtësi në Vjenë dhe ushtron profesionin e avokates në mënyrë të pavarur. Është gjithmonë në kërkim të fushave të reja për t’u përmbushur në sferën profesionale dhe personale. Përgjatë një viti, Jonida mund të shëtisë mbarë botën: udhëton, kërkon, zbulon shtigje të reja për mendjen dhe shpirtin e saj. Edhe pse i pëlqejnë shumë vendet ekzotike, vitet e fundit po e ndan jetën mes Tiranës, Londrës dhe Vjenës, por, me siguri, në ndonjë cep të hartës ka rrethuar edhe ndonjë vend të ri për ta eksploruar së shpejti. Përjashtim bën ndoshta vetëm viti i shkuar, gjatë të cilit Jonida pothuajse shumicën e kohës ka qëndruar në Tajlandë, dhe herë pas here ka shkuar për vizita të shkurtra në Indi, Indonezi dhe Europë (Shqipëri dhe Austri). Sapo është kthyer nga udhëtimi i saj i fundit në Bangkok dhe Singapor, dhe pas përvojave mbresëlënëse në këto vende, shpirti e mendja e saj kanë marrë një trajtë tjetër. “Ka vite që e vizitoj Tajlandën. Është vendi ku kam marrë praktikat më të mira të jogës dhe meditimit, por nuk kisha jetuar asnjëherë në Bangkok për një kohë kaq të gjatë, - tregon Jonida për revistën ‘Living’. - Bangkoku, i cili në gjuhën vendase do të thotë “qyteti i engjëjve” është një metropol me miliona banorë nga e gjithë bota. Ato që më kanë lënë mbresa nga ky vend, janë butësia dhe mirësjellja e njerëzve, ushqimi i mrekullueshëm, qendrat e shumta që ofrojnë masazhe tradicionale tajlandeze, njerëzit e shumtë buzë rrugës që shesin fruta të mrekullueshme ekzotike dhe tempujt e vegjël budistë, ku mund të futesh për të dhënë ose për të marrë bekime, si gjatë ditës, ashtu edhe gjatë natës. Bangkoku nuk fle kurrë. Me gjithë trafikun dhe ndotjen e ajrit, mund të them se është një nga metropolet më të pastra dhe të sigurta në Azi”, - tregon Jonida për përvojën e saj në një prej vendeve më ekzotike në botë. India është një vend tjetër ekzotik, të cilin e reja nga Tirana e ka vizituar shpesh këto vitet e fundit. Lidhja e saj me këtë vend të Azisë së Jugut vjen nga praktika shumëvjeçare e jogës dhe meditimit. “E kam eksploruar Indinë prej vitesh, që nga jugu deri në veri, nga kufiri i saj me Nepalin, deri në anën tjetër, ku ndodhet Shkretëtira e Kripës, e cila kufizon Indinë me Pakistanin. Nga udhëtimet e mia atje, ku rishtas shkova për të mësuar praktikat e jogës, më lindi më pas edhe ndërgjegjësimi për ushqimin vegan dhe si rrjedhojë hapa restorantin e parë vegan në Shqipëri. Pra, udhëtimet për mua janë një burim energjie dhe frymëzimi. Më pëlqen të eksploroj botën shpirtërore dhe të sjell ide të reja.”
PËRVOJËN E SAJ ËSHTË GATI TA NDAJË ME TË TJERËT
Në fillim, këto vende ishin rrugëtime kërkuese për përmbushje shpirtërore, por, gradualisht, ripërtëritja e shpirtit të saj me ndihmën e mjeshtërve, mentorëve e profesionistëve anembanë botës, e kanë nxitur që të kërkojë edhe më thellë në nivelin profesional. Nisur nga kjo kërkesë e brendshme, këto vende nuk i ka pare si një vizitore me qëllimin e vetëm për të shijuar anën ekzotike të tyre, por edhe për të marrë përvojat më të mira që ofrojnë. Në udhëtimin e saj të fundit në Bangkok dhe Singapor, Jonida Çepani u përfshi në një projekt ndërkombëtar afatshkurtër, ku u përzgjodh si eksperte ligjore. “Këtë vit, përveç meditimit dhe
jogës, kam përvetësuar disa metoda të tjera të zhvillimit personal dhe profesional. Jam trajnuar nga dr. Chérie Carter Scott, e cila konsiderohet si mentorja personale më e mirë në botë, gjithashtu edhe nga Marshall Goldsmith, numri një i trajnimeve në nivel ekzekutiv, (Goldsmith ka qenë edhe trajnuesi i CEO-ve më me emër në botë, ndër ta edhe i Steve Jobs-it). I kam marrë të dyja licencat dhe në Londër po vazhdoj me “Neuro-Linguistic Programming” (NLP)
me mentorin tim, John Grinder. Keni vënë re që të gjithë sportistët, politikanët, aktorët dhe CEO-t e suksesshëm kanë mentorët e tyre në fushat përkatëse? Prania e një mentori i ndihmon këta njerëz të përballojnë stresin dhe ankthin, të rrisin performancën në punë ose të përballojnë ndryshimet në jetën profesionale apo private, me rezultate sa më të mira dhe të shpejta. Këtë synoj të arrij edhe unë nëpërmjet trajnimit tim.” Ndërkohë që zhvillojmë këtë intervistë në distancë, Jonida më tregon se aktualisht ndodhet në Londër, por jeta e saj ka qenë e ndarë më tepër mes Vjenës dhe Tiranës. Ka pak kohë që është kthyer nga Azia dhe krahas profesionit të parë, atij të avokatisë, të cilin e ushtron e pavarur në terren ndërkombëtar, fokusi i saj është organizimi i një projekti të cilin po e ndjek prej vitesh dhe ndjen se ka ardhur çasti i duhur për ta ndarë me të gjithë. Bëhet fjalë për hapjen e një instituti për zhvillimin personal dhe profesional, i cili do të ofrojë trajnime që do t’ju vijnë në ndihmë individëve dhe kompanive në fushat: drejtim, rritje performance dhe përballim stresi. Instituti që Jonida Çepani ka filluar të kristalizojë, quhet “Work Life Center”. “Në qendër të shërbimeve që do të ofrojmë, është zhvillimi personal dhe profesional, pra mirëqenia në jetë dhe në punë, - shpjegon ajo, duke sjellë detaje rreth këtij projekti. - Ky projekt reflekton përvojën time të gjashtë viteve të fundit duke punuar, studiuar dhe njëkohësisht duke udhëtuar nëpër botë si ‘digital nomad’ (Nomadë dixhitalë quhen profesionistët që udhëtojnë dhe njëkohësisht punojnë me klientët ose punëdhënësit e tyre nëpërmjet internetit). Udhëtimin tim nëpër botë e fillova gjashtë vjet më parë, kur mora vitin sabatik nga një zyrë prestigjioze avokatie në Austri dhe nisa të shëtisja botën duke vazhduar punën si jurist e pavarur. Gjatë udhëtimeve u njoha me metodat e ndryshme të zhvillimit personal dhe profesional, ndërkohë që puna si juriste e pavarur, më dha mundësinë të lëvizja dhe të trajnohesha nga emrat më të shquar në këto fusha. Këtë formim e shoh si një investim në vetvete.” Parë nga jashtë, të gjitha këto udhëtime dhe përvoja që Jonida ka marrë, duken shumë ekzotike. Ajo i ka shijuar shumë dhe veç kësaj, udhëtimet kanë bërë që jeta e saj të shndërrohet. « Udhëtimet të nxitin të dalësh nga rehatia dhe rutina e jetës së përditshme, - tregon Jonida, - sepse përballesh me njerëz dhe situata të panjohura. Ky proces i përshtatjes me kultura dhe vende të ndryshme është një rrugë e tërë zhvillimi. Për të arritur potencialin më të plotë është e nevojshme të dalim nga zona e rehatisë dhe të stërvitim mendjen si mjet për sukses. » Stërvitja dhe drejtimi i mendjes është aftësia më e rëndësishme që mund të kemi për sa i përket suksesit shpirtëror edhe profesional. Ky është një nga mësimet më të rëndësishme që kam marrë gjatë udhëtimeve shumëvjeçare në Azi dhe Europë.”
E gjithë përvoja që Jonida ndau me ne, do të materializohet në një qendër për zhvillimin personal dhe profesional, në Austri dhe Shqipëri, ku do të ofrohen trajnime në fushat e sipërpërmendura, bazuar në teknikat e meditimit dhe jogës, si dhe trajnime në fushën e zhvillimit profesional, përfshirë: drejtim, trajnim ekzekutiv, punë në grup dhe “Neuro-Linguistic Programming”(NLP). “Me autorizimin e John Grinder-it, themeluesit të programit NLP, do të jem e para në Shqipëri që do të ofroj trajnime në këtë fushë. Pra, e gjithë përvoja ime shumëvjeçare, e marrë gjatë udhëtimeve transformuese, do të shërbejë për të trajnuar individë dhe biznese nëpërmjet qendrës “Work Life Center”, - shpjegon Jonida rreth këtij projekti shumë të rëndësishëm. Përvoja e saj unike në fushën e zhvillimit personal dhe profesional, e kombinuar me përvojën shumëvjeçare në kompani të ndryshme, i jep asaj mundësinë të ndihmojë këdo për të përparuar, si në sferën personale, ashtu edhe në atë profesionale. “Unë mendoj se sot, për shkak të stresit
dhe jetës moderne, njerëzit vuajnë nga depresioni, ankthi dhe varësitë e ndryshme. Mendoj se nevoja për zhvillim personal është e padiskutueshme. Kjo është prirja në gjithë botën dhe Shqipëria nuk bën përjashtim. Përkundrazi, veçanërisht tani, ajo ka më shumë nevojë për shërbime të kësaj natyre,”- përfundon rrëfimin për revistën “Living” Jonida Çepani.
UDHËTIMET E SË ARDHMES
E gjithë jeta e Jonida Çepanit është si një udhëtim i bukur, ku pas çdo kthimi në shtëpi, i ka mbushur valixhet me përvojat më të mira jetësore, shpirtërore e profesionale, mbledhur në të gjithë vendet ku ka shkuar. Ndihet gati që përvojën e grumbulluar ndër vite ta ndajë me këdo, për të ndihmuar të tjerët. Por a do të mjaftohet me kaq? Ajo thotë se pas derës ka gjithmonë një valixhe gati për t’u nisur drejt një udhëtimi të ri shpirtëror, që si gjithmonë do t’i shërbejë formimit të saj në fushën e zhvillimit personal. “Do të nisem për të bërë një kualifikim të ri si mentore dhe terapiste për “Neuro-Linguistic Programing”, një metodë e njohur e zhvillimit personal në fushën e biznesit, veçanërisht të marketingut dhe menaxhimit. Jam duke u trajnuar nga themeluesi i këtij programi, John Grinder, i cili është dhe mentori i Tonny Robins-it. Ndihem krenare që do të jem e para shqiptare që po certifikohet si mentore nga një autoritet kaq i lartë në fushën e zhvillimit personal dhe profesional”. Këtë përvojë, Jonida synon ta ndajë në formë trajnimesh me shqiptarët, ku do të lëshohen certifikata ndërkombëtare për NLP (nivel i parë dhe i dytë Master), gjë që mendon ta zhvillojë në vjeshtën e vitit 2018 në Tiranë. Informacionet për trajnimet në “Neuro-Linguistic Programing” do të publikohen së shpejti në faqe interneti të cilat janë ende duke u punuar, si: www.worklife-center.com dhe www.nlpalbania.com”.
E ndërsa synon të përmbushë këto qëllime madhore për veten dhe të tjerët, ajo e di që nuk do të reshtë kurrë së kërkuari brigje të reja ku të hedhë spirancën. Ajo e shikon jetën si një udhëtim shpirtëror, ku çdo ditë mund të marrë mësime të reja dhe ka një mesazh për të gjithë: “Kërkoni udhëzime dhe mesazhe brenda vetes suaj. Përqendrohuni te zgjidhjet dhe jo te problemet. Besoni te vetja, te të tjerët dhe te fakti që asgjë nuk është e pamundur. Mbani përgjegjësi për veprimet tuaja, pranoni se jeni vetë shkaktarë për ato që ju ndodhin. Ndiqni ëndrrat dhe shikojeni si shpërblim gjithçka që ju ndodh në jetë.
Të gjithë e dimë se çfarë duhet për të jetuar shëndetshëm, për të qenë të suksesshëm apo për të qenë lider të mirë, por sa jemi të aftë t’i zbatojmë këto informacione? Ekzistojnë qindra libra që të tregojnë se si të zhvillohesh personalisht dhe profesionalisht, madje për të zhvilluar këto aftësi organizohen edhe shumë seminare. Mirëpo, në fund, asgjë nga këto nuk mjafton, sepse ofrojnë vetëm teorinë dhe jo praktikën. Roli i mentorit është ai që e shndërron teorinë në praktikë. Ai ndihmon në arritjen e rezultateve konkrete dhe në një qëndrueshmëri personale apo profesionale.
Mentori ekzekutiv, ndihmon të kesh më tepër sukses në biznes. Jo të gjithë drejtuesit janë të prirë ose kanë kohë për të menaxhuar stafin në mënyrë efektive. Prandaj sot nëpër botë shumë të tillë paguajnë që stafi i tyre të trajnohet dhe rezultati i trajnimeve sjell arritjen e ekuilibrit emocional. Për rrjedhojë, punonjësit janë më pak të stresuar dhe më të përqendruar, duke sjellë në fund një performancë më të mirë.
Por roli i mentorit ekzekutiv përfshin edhe trajnimin e menaxherëve dhe drejtuesve të lartë. Në këto raste, ai ndihmon në përmirësimin e aftësive të tyre në udhëheqje. Shumë njerëz mendojnë se udhëheqja ka lidhje me një pozicion të lartë, me përgjegjësi, dhe shumë njerëz në varësi, por, në fakt, ajo është aftësia për të modeluar sjellje që janë vërtetuar të suksesshme në biznes, si për shembull aftësia për delegim, për të
drejtuar një grup njerëzish në mënyrë që gjithkush të japë rezultate sa më të mira në detyrën që ka, aftësia për të dëgjuar, për të menaxhuar situata stresi etj. Të gjitha këto duken të thjeshta në parim, por që t’i zbatosh është diçka tjetër. Mentori është pikërisht ai që shërben si urë lidhëse midis hendekut të ideales dhe reales.
Disa pasagjerë që po përshkonin linjën e fluturimit nga Bankok për në Phuket, kanë parë tmerr me sy. Njërëzi...
Nga Denada Nako Çaji e sidomos ai jeshil është një pije e mrekullueshme. Më poshtë ju tregoj 10 benefite të tij: 1. &Cc...
Flirtet dhe ngacmimet në sferën politike, e kudo, kundrejt personazheve vajza dhe gra, kanë ndodhur dhe mesa duket ende vazhdojnë të ...