Sistemi i Kopshtit

Veranda në mal

+

veranda

Veranda e shembullit tone karakterizohet nga elementë si druri edhe guri, dy material natyrorë që përshtaten në harmoni të përsosur, duke na dhënë mundësi për një krijim të thjeshtë dhe elegant.
Nga Xhani Shqerra Fotografia Armand Habazaj

Stina e Dimrit duket se dëshiron ende të luajë me nuancat e dritës së ngrohtë, duke i marrë hua ngrohtësinë dhe brishtësinë stinës së vjeshtës. Ndonëse fillim dhjetori, atmosfera përreth na çon drejt imagjinatës duke rritur dëshirën për një ambient tipik dimëror, e kështu, veranda e apartamentit tonë në qendër të Tiranës kthehet në subjekt të lojës sonë, në kërkim të atmosferës festive që vetëm ky muaj di të na e dhurojë.

Shkalla e Bardhë, vendosur shpenguar si mjet pune në kolonën e gurtë, shndërrohet në mbajtëse aksesorësh. Në të vendosëm patinat, gati për patinazhin e radhës.

Në qendër të Fasadës, protagonist është oxhaku. Në stil rustik, forma të rrumbullakëta, tipike e verandës së një shtëpie pushimi në mal. Në pamundësi për të shkuar në mal, vendosëm të sfidojmë veten duke sjellë atmosferën malore në qytet, dëshirë kjo, e cila në prag festash rritet akoma edhe më shumë. Për ta bërë këtë, vizituam “shoë-room”-in e “Dolce-Casa”-s në Tiranë, e cila me gamën e gjerë të orendive të saj si dhe stilet e veçanta që përbëjnë ato, na dha menjëherë mundësinë e realizimit
të dëshirës sonë, duke u frymëzuar e nisur nga puna.
Lojërat e Materialeve të Ngrohta të së kuqes, me detajet country, të aplikuara në fasadën tonë, japin menjëherë idenë e ngrohtësisë së ambientit përreth oxhakut të ndezur.
Poshtë tij, Pirgu i Drurëve formon një dekor me forma gjeometrike të çrregullta.
Pranë, Karrigia në Dru, punuar në stilin Shabby, duket sikur është e përkëdhelur nga rënia e dëborës ndër vite. Ngrohtësinë dhe komoditetin na e jep shiltja e vendosur mbi të, në të njëjtin dizajn me ndriçuesin.
E Kuqja na paraqitet në një katërkëndësh shumë estetik për syrin, formuar nga ndriçuesi dhe karrigia në të majtë dhe në të djathtë, kurora dhe lulet e Krishtlindjes.

Në qendër të zonës së qëndrimit, një tavolinë në dy plane, prej druri, punuar në të njëjtin stil të karriges së oxhakut. Në të, vendosim një bredh të mbuluar nga dëbora dhe përreth, seti i filxhanëve
gati për të na shërbyer një çokollatë të ngrohtë.
Tejet interesant është ‘’llambadari’’ dekorues mbi të. I përbërë nga bashkimi i degëve në formë
të rrumbullakët dhe kurorës së luleve të kuqe. Tashmë, kemi pothuajse të gjithë përbërësit për të shijuar qëndrimin në këtë ambient malor. Por duket se diçka na mungon... Janë pikërisht të zotët e këtij habitati, miqtë tanë të dashur si dreri, lepujt... ata qëndrojnë në një kënd, pranë slitës së kuqe. Hijeshia e tyre, të përkëdhelur nga dëbora e parë, na jep mundësinë e shndërrimit të ëndrrës sonë në realitet. Plaku i dëborës
duket sikur na vëzhgon e buzëqesh, pasi falë tij jemi frymëzuar.
Një stil i përsosur malor, karakterizuar nga elementë natyralë ku bardhësia mbizotëron. Tashmë, jemi gati të shijojmë strehën tone elegante, mikpritëse dhe të ngrohtë, në prag festash!

Strehës sonë s’mund t’i mungonte ambient i ndenjes e kështu, e kompozuam duke u bazuar te një tjetër material shumë i lidhur me drurin dhe gurin, si edhe shumë funksional për pjesën e jashtme të një
ambienti; hekuri. Divani dhe kolltuku ynë paraqet forma shumë elegante e të thjeshta punimi. Shiltet
dhe jastëkët rreken të jenë një prezantim i frymëzimit marrë nga topat e dëborës në shkrirje. I japim
ngrohtësi dhe komoditet me aplikimin e dy jastëkëve me dekor malor, të kuq. Dreri dhe flokët e
dëborës janë protagonist në këtë dizajn kaq interesant.