Gazetarja Anduena Llabani: "Jam ngacmuar nga politikanë dhe personazhe të botës së krimit"
Flirtet dhe ngacmimet në sferën politike, e kudo, kundrejt personazheve vajza dhe gra, kanë ndodhur dhe mesa duket ende vazhdojnë të ...
Jo rrallëherë yjet e Hollivudit përdorin syzet e diellit për t’iu fshehur paparacëve. Ata mund të jenë në një shëtitje, duke bërë shopping apo me pushime në një plazh ekzotik, në jaht e kudo tjetër, dhe thuajse gjithmonë, në fotografitë e shkrepura “pa lejen” e tyre, fshihen pas hijes së syzeve. Ka disa arsye përse personazhet më me ndikim në botën e modes zgjedhin të mbajnë këtë aksesor: syzet e diellit, të ndihmojnë të mos njihesh dhe nëse zgjedh të duhurat, të përmirësojnë pamjen e të bëjnë të evidentosh stilin. Syzet, prej fillimit të viteve 1900, janë aksesori më i fuqishëm me të cilin mund të bësh modë, por funksioni për të cilin ato u krijuan, ishte plotësisht për të mbrojtur shikimin nga rrezet e diellit. Njerëzit e kuptuan që në parahistori se kishin nevojë për një mbrojtje për të hedhur shikimin larg, pa dëmtuar sytë. Ata përdorën materialin e fildishit për të penguar rrezet e diellit. Syzet e para të diellit kishin formë drejtkëndëshi, me një strukturë të zgjatur, që mbahej me duar. Me kohën, ato jo vetëm u përsosën, por u bënë të çmuara dhe ekskluzive. Vetëm perandorët mund t’i lejonin vetes të përdornin size dielli, xhami i të cilave ishte gur i çmuar, i lustruar. Perandori romak, Nero, ka pasur syzet më të rralla e më të pazakonta të të gjitha kohërave. Ai shihte ndeshjet mes gladiatorëve nëpërmjet gurëve të çmuar, të lustruar, në ngjyrë të gjelbër. Ndër shekuj, po rritej interesi për këtë aksesor të lakmuar, I cili të jepte mundësinë të shihje më qartë dhe me ngjyra botën. Për këtë, po shtohej numri i specialistëve që po i kushtoheshin përsosjes së formës dhe dizajnit të skeletit të syzeve, të cilat po bëheshin më të lehta në përdorim, pasi mund t’i vendosje në sy apo pas veshëve, pa qenë e nevojshme t’i mbaje lentet më në duar. Eksperimentet e Xhejms Ajskout me lente të nxira, rreth vitit 1752, treguan se kishte ardhur koha të punohej jo vetëm me formën, por edhe me cilësinë e materialit të syzeve të diellit, dhe ngjyrat. Xhamat me ngjyrë blu apo të gjelbër, janë përdorur që në këtë periudhë, pasi Ajskou besonte se mund të përmirësonin probleme specifike me shikimin. Por, mbrojtja nga rrezet e diellit, filloi të përbënte shqetësim në fillim të viteve 1900. Yjet e kinemasë së atyre viteve kishin një ndikim të jashtëzakonshëm te masat. Ata shfaqeshin në skena të filmave të ndryshëm me syze, madje ndryshe nga ç’kishte ndodhur deri atëherë, filluan të shfaqeshin në publik, në të përditshmen e tyre, pas hijes së syzeve. Kushdo dëshironte të kishte një pale syze edhe pse kostoja e tyre ishte e lartë deri në vitin 1929, kur Sem Foster, themeluesi i Foster Grant, i futi në Amerikë me një çmim të lirë, të përballueshëm nga kushdo. Ai i shiste syzet e tij në plazhet e Atlantik Sitit dhe Nju Xhersit. Po aq ndikim sa të famshmit, pati edhe ushtria, veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ray Ban krijoi një palë syze për aviatorët, duke përdorur teknologjinë e lenteve të polarizuara, të krijuara nga Edwin H. Land, themeluesi i “Polaroid Corporation”. Ray Ban sapo kishte krijuar syzet ikonë, të cilat përveçse në radhët e aviatorëve, u pëlqyen dhe u përdorën edhe nga ikonat e asaj kohe, ndërsa filloi prodhimi i tyre edhe për publikun e gjerë. Dizajnuesit e syzeve e kishin kuptuar se, që pasi të gjithë nisën të mbanin syze, nuk do të kishte më kthim pas! Syzet e diellit u bënë aksesori më shik në vitet ’60. Yjet e Hollivudit shiheshin gjithmonë e më shpesh me këtë aksesor dhe jo pak prej tyre, në vitet ‘70 kishin krijuar markën e syzeve me emrin e tyre. NJË INDUSTRI GJIGANDE U KRIJUA DHE U ZHVILLUA KUR VETËM PAK DEKA DA MË PARË NUK EKZISTONTE.
A ka ndonjë palë syze më të spikatura sesa ato me skelet në formën e syve të maces që Odri Hepbërn vendos në Breakfast at Tiffany? Kombinimi i këtij modeli të syzeve me fustanin e zi, është i paarritshëm. Merlin Monro, Elizabet Tejlor, Grejs Keli, Brixhit Bardo e të tjera, e kishin zgjedhur modelin e preferuar të syzeve. Ishin ato që zgjidhnin modelin e syzeve që do të shiteshin për miliona njerëz në të gjithë botën. Këtë vit, kemi një rikthim të modës së viteve ’70! Dizajnuesit, edhe sot, pavarësisht se kjo industri është zhvilluar, e kanë të vështirë të superojnë propozimet e së shkuarës. Ata pasurojnë me detaje dhe elemente të reja, si gurë të çmuar, modele të syzeve që ne i kemi parë nga këto diva. Tashmë, syzet e diellit me mbrojtje nga rrezet ultra violetë janë shndërruar në një standard të industrisë. Markat e njohura ofrojnë syze dielli me nuanca e stile të ndryshme, dhe bëjnë propozimet përmes koleksioneve të reja çdo vit. Me gjithë përsosjen e vazhdueshme ka diçka, e cila mbetet thuajse e pandryshuar: edhe sot yjet e Hollivudit mbeten frymëzim për stilin e tyre, për miliona njerëz në të gjithë botën. Syzet që do të zgjedhë Kejt Mos, Rihana apo Guinet Paltrou, do të jenë pa dyshim më të pëlqyerat dhe syzet e diellit më në modë për sezonin.
Nga Brunilda Lahe
Flirtet dhe ngacmimet në sferën politike, e kudo, kundrejt personazheve vajza dhe gra, kanë ndodhur dhe mesa duket ende vazhdojnë të ...
Meri Gjini ka bërë parashikimin për të gjitha shenjat, për atë çfarë i pret në katër ditët e ardhshme...
“Kam fol me familjen time kur u zura me Meritonin”, kështu ka deklaruar Rike Roçi në një diskutim brenda shtëpis&...